(Begzad Baliu: “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, “ERA”, Prishtinë, 2020)
Nga Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu
Pak ditë para botimit të kësaj vepre, kolegu im i punës dhe i profesionit, prof. dr. Begzad Baliu, më dërgoi dorëshkrimin e librit të tij më të ri “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, që në cilësinë e recensuesit të shkruaj 2-3 fjali për këtë vepër. I vetëdijshëm se fjala dhe mendimet e prof. Baliut janë të matura e të peshuara në peshore filigrani, me thellësi mendimi e analize, me kënaqësi të madhe edhe i hyra kësaj pune. Dhe, ndoshta, jo në përmasat çfarë i kërkon ky libër sapo i botuar, e jo as edhe në atë shkallë që do ta dëshironin autori dhe lexuesit i këtij libri.
Librit “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, siç shihet edhe nga titulli që ka, është një përmbledhje studimesh e kumtesash të këtij veprimtari tashmë të mirënjohur në fushën e arsimit të lartë filologjik dhe të kërkimit shkencor.
Libri ngërthen më vetë një lëndë të pasur e të rëndësishme, të studiuar e analizuar edhe më parë nga studiuesit tanë e ndonjë nga ato tema edhe nga studiues të huaj, por jo në përmasat e analizës, të vlerësimit e të metodologjisë së shtruarjes së problemeve, siç i ka trajtuar profesor Baliu.
Lënda e kësaj vepre, që kap hiq më pak se 599 faqe libri, është lëndë e përzgjedhur ku janë pikasur periudha, autorë e studime të rëndësishme, përkitazi me reformacionin dhe rolin e tij në fushë të albanologjisë; për Thimi Mitkon; për 3 studiuesit hungarezë (V. Vidish, L. v. Talloci, F. B. Nopça), të cilët kanë dhënë ndihmesë të madhe, bash kur shqipja e shqiptarët edhe kanë pasur më së shumti nevojë; për Komisinë Letrare të Shkodrës; Maksimilian Lambercin; Kolë Ashtën; Nelson Çabejn, Asallan Hamitin, si dhe për disa studime të tjera për gjuhën shqipe; fjalë përkujtimi për akademik Idriz Ajetin (1917-2019), Robert Elsien (1950-2017) dhe disa të dhëna e dokumente për aktivitetet e disa përfaqësuesve tanë politikë e shkencorë të zhvilluara në Institutin Albanologjik e më gjerë.
Në këtë studim, autori ju ka qasur edhe këtyre temave, jo të parëndësishme: “Fjalorët, leksiku i shqipes dhe etimologjia”; “Leksiku i teksteve të shkrimtarëve të vjetër”; “Leksiku i teksteve letrare të bejtexhinjve”; “Leksiku i neologjizmave të shkrimtarëve Rilindjes Kombëtare Shqiptare”; “Prirjet leksikore të shekullit XX”.
Në veprën e zënë në gojë këtu, vetëm dokumentet e paraqitura nga autori zënë afro 100 faqe, që kanë të bëjnë me letërkëmbime titullarësh e politikanë të kohës, vizita ndërinstitucionale Kosovë – Shqipëri, vizita studiuesish në vend e jashtë vendi, ekspedita shkencore në terren nga studiuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, projektstatutesh të IAP, rregullore, procesverbale, kryesisht të kohës derisa Baliu ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik etj.
Kjo vepër, marrë në tërësi, zgjeron horizontin shkencor të lexuesit, e ndihmon atë, jo vetëm të bëhet vëzhgues i pavarur i dukurive dhe i risive të periudhave historike, të autorëve ndër të parët në fushën e historisë, kulturës e shkencave albanologjike, por edhe të di të gjykojë e vlerësoj zgjidhjen e çështjeve të ndryshme të paraqitura në këtë vepër, duke u mbështetur, natyrisht, edhe në njohjet më të thelluara të fushave përkatëse.
Pasqyra e literaturës së shfrytëzuar nga autori për këtë vepër është një dëshmi e punës së tij serioze studimore për trajtimin e temave nga më të ndryshmet nga fusha e albanologjisë dhe të studiuesve e të periudhave më të hershme e deri më sot.
Nga ajo që shihet në vepër, del se prof. dr. Begzad Baliu, me një ngulmim sfilitës dhe njëherësh sakrifikues ka shpërfaqur edhe një mënyrë vetjake, si të thuash, të paraqitjes së problemeve (siç është rasti i bibliografive dhe i referencave për çdo autorë), të trajtimit dhe zbërthimit të problemeve gjuhësore, si në planin sinkronik, ashtu edhe në atë diakronik-historik.
Si studiues tashmë me emër, prof. Baliu, ka mbajtur parasysh prore se studiuesi duhet vënë mendjen se si duhen trajtuar të dhënat e ofruara për të arritur në përfundime të suksesshme në punën e vet. Këtë parim drejtimdhënës, që e kishte ngritur prej kohësh patriarku i albanologjisë, prof. Çabej, e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme në këtë vepër edhe prof. dr. Begzad Baliu.
Në fund të kësaj paraqitje (këtu të shkurtër), nuk na mbetet gjë tjetër pos autorit të kësaj vepre t’i urojmë me gjithë zemër botime edhe të veprave të tjera si dhe shëndet e vullnet për punë kësodore.
Gjilan, 1 tetor 2020
Lexo edhe:
BEGZAD BALIU: GJON HUNIADI DHE SKËNDERBEU NË ROMANIN SHQIPTAR