(Shënime të shkurtra mbi librin e Prof. dr. Begzad Baliut, “Fjalëshpejta në gjuhën shqipe”, Prishtinë, 2024; ribotuar në Tiranë, 2024)
Shkruan: Pjetër Meta, studiues, shkrimtar
Më ka rastisur që në fëmijëri të dëgjoja nga të rriturit fjalë dhe shprehje, të cilat po t’i thoshe me zë dhe shpejt ngatërroheshe, duke i deformuar ose duke mos i thënë drejt ato.
Më vjen ndërmend, kur dikush më thoshte: Thuaj shpejt këto fjalë: “kupa me kapak, kupa pa kapak”, dhe sapo e thoshim së pari mirë, përsëritjen për së dyti nuk e thoshim dot siç duhet. Në ato vite këtë shprehi e quanim lojë. Domethënë puna ishte, se kush është i zoti që t’i thoshte ato fjalë sa më shpejt, dhe pa i ngatërruar. Po kurrë nuk na ka shkuar ndërmend, dje as sot, që këto fjalë t’i emërtojmë. Thjeshtë, se nuk na vinte në memorie një emër për to sepse nuk ishim në gjendje që ato t’i shihnim dhe vlerësonim si sistem.
Kur u prezantova me librin e Prof. Begzad Baliu, me titull “Fjalëshpejta në gjuhën shqipe”, u befasova, dhe sot më pëlqen ta quaj emër i “magjishëm”. Padyshim gjuhëtarët e kanë ditur dhe përdorur këtë emër, ndërsa unë po i gëzohem që e mësova përmes titullit të një libri interesant, dhe për veprën e profesorit, si prurje të re hulumtuese dhe shkencore në lëmin e gjuhës shqipe. Libër që meriton vëmendje të veçantë jo vetëm nga lexuesit e thjeshtë e kureshtarë, por edhe nga bota akademike, publicistët, studiuesit dhe mësuesit.
Libri “Fjalëshpejta në gjuhën shqipe”, përveçse është shumë interesant, ai është i rrallë në llojin e vet, ndoshta i pari i këtij lloji i shkruar me aq kujdes, duke i mbledhur fjalët dhe shprehjet prej shumë vitesh a dekadash.
E pikërisht, se është i rrallë, apo i veçantë, ky libër do një prezantim e njohje të gjerë, sidomos në shkollat tona në Shqipëri e Kosovë, duke i dhënë orët mësimore të duhura, bashkë me orët e gjuhës, për shumë arsye, që nga nevoja për t’u dhënë vendin e tyre në fondin leksikorë- frazeologjik të shqipes, por edhe për t’i përdorur ato (fjalë, fjali e shprehje të popullit) për të fituar njohuri dhe shprehi për jetën.
Duke shfletuar faqet e këtij libri, lexuesi gjen një galeri shekullore fjalësh e shprehjesh të popullit, me kuptime e nënkuptime, të gatshme për t’u asimiluar si mësim për jetën.
Padyshim autorit i është dashur shumë kohë për t’i grupuar e klasifikuar 600 fjalë e fjali domethënëse të shkruara në libër e të mbledhura siç thotë një shprehje popullore në Nikaj-Mërtur: “si kama kelbin” (si këmba qelbin). Por sot të gjitha ato fjalë e shprehje, janë një memorie e shkruar tashmë dhe lexuesi i këtij libri gjen një bazë të gjerë të dokumentuar, që do t’i shërbejë për thellimin e mëtejshëm të dijeve në fushën e gjuhësisë.
Duke i afruar lexuesit një libër kaq të veçantë, i vetmi në llojin e vet, nga fusha e kulturës dhe gjuhës popullore, Prof. Baliu ka një meritë të madhe si hulumtues në fushën e gjuhësisë.
Ai ka mundur të sjellë para lexuesit një shtrirje të gjerë në fjali, fraza dhe sintagma të ngurta, me origjinë që nga lashtësia dhe në vazhdimësi, por edhe me prurje të reja fjalëshpejta, deri në ditët tona, një pasuri të çmuar të gjuhës nga burimi popullor. Të renditura me kujdes sipas alfabetit, që nga A-ja deri te Z-ja , Prof. Begzadi evidenton deri në dëshmi, përvojën, inteligjencën e një populli të tërë, i cili i formësoi dhe më pas i përdori si përvojë për brezat.
Fjalëshpejta e librit të Prof. Begzadit, janë një shumëllojshmëri fjalë-fjalish të larmishme me prejardhje folklorike, si një krijimtari e mençur popullore.
Çdo fjali e frazë – fjalëshpejtë, e shënuar në këtë libër, kanë përdorim të dyanshëm në funksion:
E para, si një mësim, orientim a këshillë për jetën. Rëndom, kjo mbetet një praktikë e përhershme komunikimi mes një të moshuari me brezin që vjen pas. P.sh. “Budallait hapi rrugë”; “Kush s’ka kokë ka këmbë”; “Gjithë gishtat dhëmbin njësoi”; “Puna e natës, gazi i ditës”; “Mos i beso as këmishës së shtatit”; “Fëmijtë bëjnë fjaltë, e burrat mpinë dhëmballët”; “Një grua e keqe, i ka treqind qese” etj.
Dhe së dyti: fjalëshpejta nga vetë ndërtimi i fjalisë apo i frazës, reflekton zhdërvjellsimin e intelektit, të stërvitësh shqiptimin e fjalive apo shprehjeve frazeologjik. Pra, artikulimi i shpejtë dhe me komandim po aq të shpejtë të mendjes, jo vetëm që shkathtëson të folurën, por edhe truri aktivizon shqisën e perceptimit të fjalës për të mos e ngatërruar. P.sh., fjalët “kupa me kapak, kupa pa kapak” apo “ra lara n’rrah të rrallë, e rralloi e la më rrallë”, vështirësitë e para, shpejt mprehin shqisën për të mos ngatërruar fjalët, duke “edukuar” një vëmendje e madhe dhe një koordinim perfekt të mendjes që komandon fjalën, dhe fjalës që del nga goja.
Begzad Baliu është mjeshtër i fjalës dhe si shkencëtar në fushën e gjuhësisë, ai ka mundur që t’i grumbullojë qindra fjalë, për t’i vënë në shërbimin tonë në disa fusha, e siç thamë më lart në fushën stërvitore të të folmes dhe të trurit. Sa më shpejt të flas një njeri, aq më shpejt i vijnë mendimet e të shprehurit, pra fjalët dhe radha e tyre për të marrë kuptim biseda që thotë.
Jo pa qëllim në provimin e letërsisë me gojë në gjimnaz, një notë e kishte vjersha apo proza e mësuar përmendësh. Fjalëshpejta e stërvit trurin dhe e forcon memorien.
Arkeologu i madh gjerman Shliman, vetëm në sajë të mësimit përmendësh të prozave që shkëpuste nëpër romane, arriti jo vetëm të përmirësonte te folurën e tij, por dhe memorien. Ai u bë poligloti më i madh në botë.
Libri “Fjalëshpejta në gjuhën shqipe” i Prof. Begzadit, ndihmon si urti për jetën; ajo (fjalëshpejta) mëson edhe si ta kuptojmë jetën dhe si ta menaxhojmë atë gjatë zhvillimit e vështirësive që na dalin përpara, për shkakun, se ajo afron mençuri dhe urti me aforizmat dhe fjalët e urta popullore. P.sh. “Ai që s’punon si burrë, rri e qan si grue”; “Dëshiro për të tjerët, atë që dëshiron për vete”; “Disa gjëra diskutohen me miq, disa gjëra diskutohen drejtësisht”; “Doli fjala nga dhëmballa, e mori vesh gjithë mëhalla”; “Fukara në konak, e vezir ne sokak”.
Fjalëshpejtat e librit te Profesor Begzatit, na vijnë edhe si përtëritje jete dhe ritual të vitalitetit njerëzor, që nga raportet në familje, në shoqëri e në komunitet.
Në libër gjenden këshilla të tilla, si: “Detit i ka hije vala, kalit i ka hije shala, burrit i ka hije fjala”; “Harroje hakmarrjen Halil, harroje”; “Mos guxo me sha ti kur t’vjen Reshati…”; “Burri të ban zojë, burri të ban tojë”; “Coli i çmendur ngacmonte cucat”; “I din Heta punët e veta”; “I ra plaku plakës në planc, planci plakës i plasi”; “Me gojë afron, me gojë largon”; “Me udhë fito, me udhë kurse, dhe me udhë prish ato që ke”; “Nuk ka jetë pa vuajtje, nuk ka vuajtje pa shkak”; “Njeriu kurrë nuk mushet men, tjetri të shet men e të rren”.
Libri “Fjalëshpejta në gjuhën shqipe”, “prek” edhe reflekton përmes lëndës së larmishme që mbart çdo qelizë të jetës e të aktivitetit shoqëror e njerëzor. Në të gjen objekte të veçanta të shfaqjes në jetë çështje të tilla, si: dashuria për shkollën, për artin, për babain e për mamatë, për djemtë (babi dhe i biri), për vajzat, për arsimin e librin, për muzikën, për sportin, për humorin, për Shqipërinë, për Kosovën, për miqësinë etj.
Citojmë “Zemra zbut zemrën”; “Xhimi gjente gjithmonë gjallëri në gjirin e gjyshes”; “Polici përshëndet plakun përdore”; “Mësimi mësohet me mend t’mira”; “Merita mësoi mësimin mirë, meriton merita të mëdha”; “Mençuria e të mençurit nuk matet me metër”; “Babi bashkë me të birin blenë biçikletë”; “Nëna i këndon ninulla Nitës natën”; “Polici punon pa pare për popullin, pa pushue”; “Shqyptari i Shqipërisë u shqua për shquartësi në Shangai”; “Kosova ka krenarinë kombëtare”.
Nëpërmes faqeve të librit, spikaten alternativa të shumëllojshme, koordinim fjalësh, duke përdorur pas emrit me shkronjën e para, fjalë plotësuese e kuptimore, si p.sh. “Ana u antarësua në administratën amerikane”; “Korabi këndon këngën kushtuar kombit kosovar, ku këndon komplet këngën”, ku shquan një natyrë alternative, stilistike me bazë figurën poetike të shqiptimit aliteracionin.
Pra, me “fjalëshpejta” autori i librit Bezgad Baliu, prezanton përmes veprës së tij, një pasuri dhe traditë popullore të përmasave gjithëpërfshirëse, të ëmbël dhe me humor, personifikues dhe vlerësues, burimor me prejardhje sociale, siç dhe i analizon me hollësi profesori i nderuar.
Por ajo që merr vlerë të veçantë libri i Profesor Begzad Baliut, “Fjalëshpejta në gjuhën shqipe”, është karakteri shkencor i veprës, i cili si vepër e parë në llojin e vet, do të shërbejë si pikënisje e studimeve të tjera të reja shkencore mbi bazë të këtij lloji.
Karakteri shkencor i veprës qëndron në shumë drejtime, të cilat autori i trajton në hyrje të veprës së tij, e cila është dhe e dyzet e dyta. Ai përveç pesë përkufizimeve përgjithësuese për fjalëshpejta si: 1- forma të shqiptimit, 2- forma të ushtrimit, 3- ushtrime për t’u shqiptuar apo artikuluar, 4- forma të shprehjes semantike, dhe 5- forma të strukturës gjuhësore; Baliu në fjalën hyrëse të librit shpjegon thelbin shkencor të fjalëshpejtave, duke i ndarë ato: 1)- sipas burimeve të prejardhjes (citohen në f. 31, 32, 33), 2)- sipas përmbajtjes (citohen në f. 33, 34), 3)- sipas “nyjëtimit” fonetik (citohen në f. 34, 35), 4)- sipas strukturës gramatikore (citohen në f. 35, 36), 5)- “fjalëshpejtat ushtrimore” (citohen në f. 37, 38), 6)- “fjalëshpejtat filozofike (citohen në f. 39).
Realizimi i një libri të tillë, si “sprovë e parë e kësaj natyre në gjuhësinë shqiptare” (citim në f. 39), nuk ka qenë një punë e lehtë. Por, si çdo vepër të shkruar më parë (41 në numër) me karakter shkencor në fushën e gjuhësisë, edhe fjalëshpejta sot, po zë vend në fondin e artë të gjuhës shqipe, nga Begzad Baliu, i cili është dhe do të jetë një personalitet i spikatur në fushën e gjuhësisë shqiptare.
Dhe për kontributin e gjithanshëm në lëvrimin e gjuhësisë, i cili nuk mbaron këtu, sot Begzad Baliu ka marrë titullin dhe mban atributin si shkencëtar i gjuhës shqipe dhe siç shkruan Eshref Ymeri në artikullin e tij, për autorin Begzad Baliu, të dt. 14.09.2024 “është një stoli më shumë në korpusin e krijimtarisë shkencore të këtij personaliteti të shquar në historinë e kombit shqiptar”.
Lezhë, më 07. 10. 2024
ObserverKult
Lexo edhe:
BEGZAD BALIU: GJON HUNIADI DHE SKËNDERBEU NË ROMANIN SHQIPTAR