Kur një poet francez shkruan për Prishtinën e Kosovën…

Pasthënie e librit “ZEMËR NATE – FRYMË DASHURIE” nga Daniel Leuwers, Coeur de nuit (Zemër nate), Prishtinë, 2016

Nga Begzad Baliu

Një prej sfdave që e ka mbajtur peng prej shumë kohësh fjalën time për librin me poezi të shkrimtarit Daniel Leuwers, përkatësisht librit me pesë poemtha të tij (Tirania e kujtimeve, Makthet, Thirrja e natës, Zemra n’harmoni, Nata dhe tjetërkundi) ka qenë raporti im me autorin dhe krijimtarinë e tij.

Si t’i qasesha një vepre, autorin e të cilës e kam njohur dhe çmuar prej vitesh si një mis-ambasador të dyfishtë mes Kosovës dhe Francës dhe madje jo vetëm të saj; si t’i qasesha veprës letrare, mesazhin e së cilës e kisha dëgjuar të recituar prej shumë vitesh ende pa e marr trajtën përfundimtare; për më tej, si t’i shquaja disa referenca dhe madje momente historike të theksuara në këto poezi, të cilat viteve të fundit, jo njëherë i kemi diskutuar apo dëgjuar mes krijuesve, pjesëmarrës në Takimet e Prishtinës, organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve dhe Kritikëve.

Katër vjet më parë, autori i kësaj vepreje Daniel Leuwers, erdhi në Prishtinë, në krye të një grupi krijuesish. Në Prishtinë prej më se dy dekadash vinë e shkojnë përmes tokës dhe qiellit individë dhe grupe të pafundme ushtarakësh, strategësh të luftës e të paqes, politikbërës rajonalë e globalë, tregtarë, besimtarë të të gjitha riteve dhe madje farkues të shumë sekteve e religjioneve klasike e moderne, të cilët në rastet më të shpeshta vinë nën veladonin e organizatave joqeveritare. Shqiptarët, të cilët vetëm Zot i madh e di se kur janë vendosur në këto hapësira, prej shekujsh, nga toka, deti dhe qielli presin e përcjellin tregtarë nga Evropa Qendrore, fillime e mbarime kryqëzatash mes Lindjes e Perëndimit; prej shekujsh presin Bajlozë klasikë që nën presionin a armëve a të ideologjive i mbajnë të rrethuar brenda “Kështjellës” dhe Bajlozë modernë që për bukën e gojës i detyrojnë të bëhen pjesë e prostitucionit global. Të gjetur në një nga Skelet më të veçanta të Europës Juglindore, shqiptarët, në fillim të shekullit XIX, e patën për nder të prisnin edhe njërin prej krijuesve më të mëdhenj të Europës, Gjorgj Bajronin, i cili për shumë arsye, pra jo vetëm letrare e artistike, u bë pjesë e historisë së tyre.

Shkrimtari Daniel Leuwers, ashtu si edhe njëri prej paraardhësve të tij Lordi Bajron, erdhi në një Skele tjetër të hapësirës shqiptare, në Kosovë, rreth dy shekuj me pas. I pari thërriste në krye të poezisë së tij: Në zemrën time kam diçka të fshehtë (Bajron), ndërsa i dyti, sikur i përgjigjet në krye të poemthit të tij: Çdo rrugë për ty ruan një fshehtësi (Leuwers). I pari vinte për të parë historinë që po bëhej nga Luani i Janinës, ndërsa i dyti për të parë historinë e bërë nga luanët e UÇK-së. I pari (Bajroni) prandaj e bëri historinë edhe me poezinë, si një udhëtar i përmasave shekullore, ndërsa i dyti (Lewers) po e përvijon atë sot përmes poezisë dhe artit si një artist i përmasave globale. I pari (Lordi Bajron) e pati braktisur qytetin, përkatësisht Europën në emër të ekzotikës në Lindje, i dyti, (Daniel Lewers), i cili dekada të tëra i ka kaluar ndërmjet Evropës, Afrikës dhe madje kontinentit të Australisë, e përvijon këtë si një vi në pikturën e Pikasos tani në vargun e tij “të braktisësh qytetin / të shkosh kah një horizont i ri”. /Vetëm,/ ti ndjen, pra, ngrohtësinë e njerëzve/ vrragat e udhëve”.

Në këtë mënyrë autori i kësaj vepre, përmes vargjeve të tij, kulturës së tij intelektuale e krijuese ndërlidhë jo vetëm epokat historike letrare (tre shekujt e fundit), përfaqësuesit emblematikë të qytetërimeve universale, po edhe kontinentet (Australinë, Afrikën, Evropën) dhe madje fushat e krijimtarisë artistike (poezinë, pikturën, muzikën). Në këtë mënyrë ai i bën të reflektojnë në mënyrë unike vargjet poetike dhe forcën e brushës në pikturë, përjetimin artistik si akt universal të heronjve, që kanë shënuar momentet përfaqësuese dhe që kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, duke e ruajtur në të njëjtën kohë edhe individualitetin krijues prej artisti qoftë edhe vetëm me domethënien simbolike të vargut dhe të titullit të veprës “Zemër nate”, në kontekst të simbolikës së prozës, përkatësisht titullit të veprës së Xhozef Konradit “Zemra e errësirës”.

Në këtë rrugëtim ngjarjesh e kontinentesh në poezinë e tij zë vend edhe Prishtina, një lakmi kjo e gjithë qytetarëve të saj, që edhe ata e vendi i tyre të bëhen pjesë e vlerave sublime botërore, qofshin këto edhe vlera sublime të dhembjes universale, sepse errësirën e sotme të pasigurisë së zemrës e kanë përjetuar shekuj me radhë nga koncepte e ideologji të së keqes, që kur e kur ka marrë përmasa qiellore.

Nuk është e rastit pse Prishtina dhe Kosova, më parë se sa Parisi të kenë ndjerë zërin e Teatrit Ba-Ta-Clan, që njëkohësisht mund të quhet edhe zëri i Masakrës së Rezallës, Korishes, Pastaseles, Therandës, Reçakut etj., rrugët e të cilave, si edhe rrugët e Parisit dhe të poezisë së shkrimtarit Daniel Leuwers, janë plot kujtime dhe plot fshehtësi.

Prishtinë, shtator 2016

ObserverKult


Lexo edhe: