“Antologji e dhimbjes”, një vëllim që prek thellësitë e emocionit njerëzor

(“Antologji e dhimbjes”, zgjedhur dhe përgatitur nga Shkëlzen Halimi, Botimet DRINI, 2024)

ANTOLOGJIA E DHIMBJES” sjell në një vend poezi të dhjetëra autorëve shqiptarë të përzgjedhura nga Shkëlzen Halimi, poezi këto që prekin thellësitë e dhimbjes, si emocion i fuqishëm njerëzor, dhe si të tilla, shpreh fuqinë unike të fjalës për ta shndërruar vuajtjen në një gjuhë universale. Në këtë antologji, dhimbja shfaqet jo vetëm si ndjenjë e thjeshtë, por si një përvojë e thellë e jetës, e përjetuar në forma dhe në kontekste të ndryshme historike e personale. “Antologjia e dhimbjes”, përveç që na ofron një ndjenjë të përbashkët njerëzore, na fton që të reflektojmë mbi përjetimet tona dhe mbi mënyrën se si dhimbja mund të bëhet një burim i frymëzimit poetik.

Në këtë përmbledhje janë përzgjedhur vargjet e një numri të madh autorësh, të cilët i përkasin brezave të ndryshëm të letërsisë shqipe, të cilët e kanë prekur këtë tematikë përmes një spektri të gjerë të përvojave jetësore. Emrat e poetëve si Musine Kokalari, Martin Camaj, Arshi Pipa, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi e shumë të tjerë, i japin këtij vëllimi një dimension të thellë historik e kulturor. Përmes poezive të këtyre autorëve, lexuesi mund të vërejë sesa ndryshe, por edhe sesa ngjashëm mund të shfaqet dhimbja në varësi të sfondit kulturor, kohës dhe ngjarjeve historike që kanë prekur shqiptarët.

Këta poetë, secili me stilin dhe përjetimin e vet të veçantë, kanë arritur të ndërtojnë një përmbledhje poetike që mbart jo vetëm dhimbjen si ndjenjë, por edhe forcën e saj shëruese. Prandaj, në vargjet e tyre gjejmë një trajtim të thellë dhe shpeshherë filozofik të dhimbjes – një ndjenjë e cila, kur përjetohet dhe përshkruhet përmes poezisë, shndërrohet në mundësi për të kanalizuar emocionet dhe për të pastruar shpirtin. Në një farë mënyre, kjo antologji na fton ta shohim dhimbjen si një përvojë të përbashkët njerëzore që tejkalon kufijtë e kohës dhe vendit.

Ky vëllim përfaqëson një udhëtim përmes ndjeshmërisë dhe brishtësisë së shpirtit njerëzor dhe i bën jehonë një koncepti universal që prek çdo njeri në një moment të caktuar të jetës së tij. Përmes këtij botimi, lexuesit shqiptarë kanë një mundësi të rrallë për të hyrë në botën intime të poetëve, qoftë të atyre që tashmë konsiderohen si mjeshtrit më të mëdhenj të letërsisë shqipe, ashtu edhe të atyre më pak të njohur, të cilët përmes disa poezive të veçanta kanë arritur të portretizojnë dhimbjen me një gjuhë poetike të ndjerë dhe të lakmueshme, që prek dhe kuptohet lehtësisht nga lexuesi. Libri ka mbi tetëdhjetë poezi dhe është botuar nga SHB “DRINI’ në Ferizaj.

ObserverKult


Lexo edhe:

SHKËLZEN HALIMI: TË SHKRUASH ËSHTË PUNË E DHIMBSHME