Në Prishtinë është hapur ekspozita e artistit Leart Hyseni, e titulluar “Psherëtimë Hyjnore”, të cilën ky artist ua dedikoi fëmijëve të prekur nga sëmundjet malinje. Krejt kjo ide e tij erdhi pasi këso probleme përjetoi në familjen e tij.
Ekspozita autoriale e artistit Leart Hyseni, dedikuar fëmijëve në repartin e Onkologjisë, ndërlidhet me sfidën familjare të cilën e kishte sprovuar fëmija i tij i trajtuar jashtë vendi.
“Pa dallim individ apo shoqëri, të përkushtohemi në mirëqenien shëndetësore dhe mbështetjen për njëri-tjetrin. Ndërsa mjetet e fituara nga ekspozita do t’i dedikohen repartit të Onkologjisë së fëmijëve”, u tha në hapje të ekspozitës nga Leart Hyseni, autor i ekspozitës.
Pjesëmarrëse në këtë ekspozitë ishte edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, e cila tha se arti në gjenealogjinë e vet ka një mision që shkon përtej shprehjes artistike të mendimit për një çështje të caktuar; ai ka një dimension human.
“Ky aspekt i artit është ilustruar në një ekspozitë jashtëzakonisht frymëzuese, ku përjetohet historia e babait (Leart Hyseni) që ka kaluar një periudhë të vështirë në repartin onkologjik, pas sëmundjes së djalit të tij”, tha Halimi nëpërmjet një postimi në Facebook.
Sipas saj, ballafaqimi i tij me fëmijët e tjerë ka lënë një përjetim të thellë emocional.
“Sot, një pjesë e të ardhurave nga veprat e tij do t’i dhurohen organizatës joqeveritare Cure 2 Children, e cila mbështet fëmijët në repart onkologjik”, shtoi Halimi.
ObserverKult
Lexo edhe: