Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia dhe të kurimit të asistent lektorit Helidon Haliti, organizon edicionin e tretë të ekspozitës “RINart”. Ky aktivitet unik bën bashkë studentët e Universitetit të Arteve në Tiranë dhe atyre të Universitetit të Prishtinës.
Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në orën 12:00 pranë Galerisë “2 Botë” në Seferan, Belsh. Ekspozita përfshin mbi 400 punime të studentëve aktualë të cikleve Bachelor dhe Master, si dhe të atyre që kanë përfunduar studimet ndër vite, të cilët prezantojnë diplomat e tyre.
Përveç hapjes zyrtare, gjatë ditëve të ekspozitës do të organizohen workshope në mediumin e pikturës, akuarelit, instalacionit dhe fashion design. Ekspozita shfaq një gamë të gjerë punimesh nga tetë programe studimore: fashion design, grafik dizajn, pikturë kavaleti, pikturë monumentale, fotografi, qeramikë, skulpturë dhe multimedia.
Ky aktivitet zhvillohet në dy hapësira të mëdha ekspozuese prej 750 metrash katrorë, duke garantuar një përfaqësim dinjitoz të çdo mediumi.
Ekspozita “RINart” nuk është vetëm një mundësi për promovimin e talenteve të rinj të Fakultetit të Arteve të Bukura, por edhe një nxitje për zhvillimin e turizmit kulturor në zonën e Belshit. Galeria “2 Botë”, në ish-kapanonet e ushtrisë mbi kodrën e Seferanit, është një destinacion i ri që po pasuron jetën artistike dhe turistike të rajonit, falë iniciativës së piktorit Helidon Haliti.
ObserverKult
lexo edhe:
ktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës në grevë, anulohet Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu”