“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” me 120 mijë njësi, Anila Kananaj: Ja cilat janë ndryshimet nga ai i vitit 1980

Foto ilustrim

Në kuadër të përvjetorit të Kongresit të Manastirit, që u mblodh më 1908, në Tiranë u mbajt Kuvendi Kombëtar i Gjuhës ku u paraqit maketi i Fjalorit të madh të Gjuhës shqipe, hartuar si bashkëpunim i Akademisë së Shkencave me institucionet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Kreu i Akademisë së Shqipërisë dhe ministrja e Arsimit e Shqipërisë veçuan vlerat e veprës.

“Bazë të dhënash me 800 milionë njësi, ku u përfshinë gjithë fjalorët e mëparshëm dhe veprat e autorëve më në zë, që nga Buzuku, Fishta e deri te Kadareja. Fjalori nuk është seleksionues ndaj dialekteve dhe krahinave në përzgjedhjen e fjalëve”, tha Gjinushi.

“Me rreth 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkivë të gjallë dhe një mjet të fuqishëm për çdo përdorues. Jo vetëm leksikun e përditshëm por edhe forma të rralla, dialekte e nuanca historike të saj”, tha Manastirliu.

Fjalori që bëri bashkë 55 bashkëpunëtorë, 25 hartues dhe 10 leksikografë me përvojë, sjell rreth 70 mijë fjalë të reja në krahasim me fjalorin e 1980. Koordinatorja e Projektit përmendi disa prej risive.

“Në 1980-ën ka qenë vetëm me një trajtë, ndërsa djathtas kemi të gjitha plotësimet, e ndryshimet. Janë plotësuar kuptimet e shtuar vargjet sinonimike”, tha Anila Kananaj.

Me fjalë të reja, ose pak të njohura, frazeologji, terma të gjetur në vepra letrare, fjalorë të mëhershëm, përzgjedhja është bërë në mënyrë manuale, duke pasur parasysh edhe shpeshtësinë e përdorimit. Së shpejti Fjalori mund të konsultohet online, dhe pas një kohe që i lihet vërejtjeve e sugjerimeve, ai do të jetë edhe i shtypur./ BW

ObserverKult


Lexo edhe:


MANASTIRLIU: FJALORI I MADH ME MBI 120 MIJË FJALË, MBUROJË PËR PASTËRTINË E SHQIPES