Nga: Blerim Valla
Mes shumë miqve, familjarëve e kolegëve, poetja nga Gjakova, Tixhe Rexha – Gërqari ka promovuar vëllimin e saj të dytë poetik me titull “Lumit të jetës”. Në këtë promovim të organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës dhe nën mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë të Gjakovë, për vlerat e këtij libri kanë folur studiues letrar, poet e mysafirë të shumtë të pranishëm.
Tixhe Rexha- Gërqari, një poete e përkushtuar që asnjëherë nuk e ndali pasionin e saj për shkrimin e poezisë, me këtë libër të saj të dytë poetik, shpreh një reflektim të rrjedhës së jetës, për momentet dhe përjetimet e bukura, por edhe të trishta të jetës, pastaj të indinjatave, habive, pikëpyetjeve të saja karshi ngjarjeve që ndodhën e ndodhin ende sikurse edhe për çdo ndjenjë të çiltër që buron nga shpirti i saj poetik.
Për vlerat e librit poetik “Lumit të jetës” e para foli redaktorja e librit, Migena Arllati, e cila me një dell prej studiueseje të mirëfilltë ka potencuar mes tjerash se: “Libri i autores përmban poezi që trajtojnë tematika të ndjeshme dhe frymëzuese si atdheu por edhe përjetimet e jetës me të cilat është ballafaquar ajo, duke na dhënë një vëllim poetik me poezi të arrira estetikisht dhe që do të gjejnë padyshim lexuesit e vet”.
Kurse recensenti Agim Desku në fjalën e tij ka vlerësuar lart punën krijuese të autores, duke theksuar se libri reflekton ndjenja të thella dhe një dashuri të pakushtëzuar për atdheun, lirinë, vendlindjen, Kosovën, por edhe për jetën, familjen, dashurinë, shoqërinë etj.
Edhe poeti Engjëll I. Berisha ka vlerësuar përkushtimin e palodhur të poetes duke potencuar se: “Autorja është një poete e heshtur që vazhdimisht shkruan diçka por që ato janë poezi të vlerave të mirëfillta gjë që u pa në librin e saj të parë, e në veçanti në këtë të dytin me titull ‘Lumit të jetës’”.
Në këtë ngjarje poetike pos fjalëve të panelistëve, nga ana e recitatoreve u shpalosën disa poezi të librit, të cilat emocionuan të pranishmit.
Krejt në fund, autorja e librit, e emocionuar mes tjerash, për daljen nga botimi i të librit të saj të dytë, tha: “Falenderoj Drejtorinë për Kulturë të Gjakovës për përkrahjen e botimit të librit, pastaj kryetarin të klubit letrar ‘Gjon Nikoll Kazazi’, shkrimtarin Muharrem Kurti, që më nderoi me mirënjohje dhe anëtarin tjetër të kryesisë së këtij klubi poetin Engjëll I. Berisha për vlerësimin pozitiv të poezive të këtij libri tim, si dhe redaktoren e librit Migena Arllati, për punën dhe përkushtimin ndaj këtij libri dhe recensentin e palodhur, poetin Agim Desku dhe të gjithë ata që e vlerësuan me fjalë të mira librin tim. Faleminderit edhe piktorit të njohur Nijazi Llonqari për pikturat që ishin pjesë në këtë vëllim poetik” , përfundoi poetesha Rexha – Gërqari.
ObserverKult
Lexo edhe: