Vlora Konushevci: Alkimia metaforike

afrim demiri zoti vdes i pari


Vargjet poetike të Afrim Demirit i ofrojnë lexuesit një botë të pasur metaforike dhe simbolike nëpërmjet imazheve të gjalla, gjuhës së pasur poetike dhe bukurisë së vargut elegant mbi jetën dhe kompleksitetin e saj.

Nga Vlora Konushevci

Poezia e Demirit “Zoti vdes i pari”, e përballë lexuesin me paradoksin e fuqisë dhe cenueshmërisë kur ballafaqohet me vdekjen, duke ofruar një reflektim prekës mbi natyrën kalimtare të ekzistencës njerëzore. Që në titull përcaktohet toni i poezisë ku Demiri vë përballë imazhin e një hyjnie të fuqishme, pra Zotit, me realitetin e zymtë të vdekshmërisë, duke nxjerrë në pah brishtësinë e jetës njerëzore dhe mundësinë e përfundimit aksidental: “Kohë vrasjesh/ sa kohë e vështirë/ sa kohë e pështirë/ Mund të vritesh/ duke blerë bukë/ Duke pi makiato/ apo/ duke përtypë sakëz/ Zoti vdes i pari/ në çdo vrasje”
Vargu “Kohë vrasjesh / sa kohë e vështirë / sa kohë e pështirë”, e zhyt menjëherë lexuesin në realitetin rrëqethës të kohës së karakterizuar me dhunë e vdekje. Autori përdor gjuhë lakonike, por me fuqi të madhe shprehëse e komunikative për ta shpërfaqë brutalitetin e gjendjes njerëzore, me një semantikë të pasur poetike.
Pohimi qendror i poezisë e sfidon nocionin e mbrojtjes hyjnore ose favorizimit, duke sugjeruar sikurse Dekarti në “Filozofinë e parë”, se subjekti duhet të dyshojë për çdo “të vërtetë”. Kësisoj Demiri vë në dyshim ekzistencën e Zotit në kohëra të tilla.
Nobelisti John Galsworthy, romancier e dramaturg anglez, kishte parashikuar qysh në shekullin e XIX ndikimin e luftës në letërsi. Ai kishte pohuar se: “Ka shumë të ngjarë që trauma e luftës të ketë ndikim më të madh dhe më të fuqishëm mbi letërsinë sesa vetë lufta”. Kjo profeci letrare e tij u realizua më pas në vitet kur nisi Lufta e Parë Botërore. Në këtë kontekst, përfaqësimi i traumës së luftës në letërsi dhe roli i saj në kujtesën kolektive dhe në formësimin e identiteteve individuale dhe kulturore është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Shumë poet, sikurse poeti anglez Wilfred Owen, e panë si detyrë pasqyrimin e realitetitë të zymtë të luftës. Owen thotë se: “Gjithçka që mund të bëjë një poet sot është të paralajmërojë. Prandaj poeti i vërtetë duhet ta tregoj të vërtetën”. Njësoj edhe poeti Demiri, ka marr përsipër të rrëfejë të vërtetën e luftës së vitit 1999 me anë të poezisë, duke qenë vuajtës pasoje dhe njëherësh dëshmitarë, prandaj poezia e tij mëton të nxjerr në pah dhe ruajë të vërtetat e luftës, të cilat gazetarët dhe politikanët mund t’i injorojnë ose harrojnë.
Megjithatë, Demiri ka kombinuar mrekullisht të qenit gazetarë me të qenit poet, ndaj kjo vërehet edhe në trajtimin e pasojave dhe dhimbjes që ka shkaktuar lufta.
Në poezinë “Kush t’i thotë Zotit”, poeti trajton fatin e refugjatëve që bartin besimin dhe lirinë e tyre në valixhe, duke (mos) besuar për ta parë lirinë. Referenca për kalimin e “vijës së Ferrit”, shton një shtresë thellësie metaforike, duke lënë të kuptohen sprovat dhe mundimet me të cilat përballen refugjatët. Vargu simbolizon jo vetëm pengesat fizike, por edhe ferrin metaforik të fatkeqësisë që ata duhet të kapërcejnë për të arritur destinacionin e tyre fizik e shpirtëror: “Kush t’i thotë Zotit/ refugjatët atë natë/ ishin nisur për tek Ai/ Në valixhe bartnin/ besimin në te dhe në/ Lirinë/ Udhëtonin gjatë e gjatë/ refugjatët e ngratë/ për të kaluar/ vijën e Ferrit/ për të besuar/ se kapërcehet/ Ylberi.”
Në të njëjtën frymë është edhe poezia “Kur s’mbyllet vrima e çelësit”. Metafora e vrimës së çelësit, asaj hapësire të vogël e të ngushtë, bëhet simbol i fuqishëm që përfaqëson aspekte të anashkaluara që mund të lejojnë hyrjen e “Vdekjes”. Vrima e çelësit bëhet një portë metaforike për rreziqet e mundshme pavarësisht përpjekjeve. “Liria” që ka mbetur jashtë i shton poezisë edhe soditjen ekzistenciale. Ajo e shtyn lexuesin të reflektojë mbi ekuilibrin delikat midis sigurisë dhe nevojës thelbësore për liri, mbi ankthin e të dyjave, duke sugjeruar se çlirimi i vërtetë kërkon më shumë sesa thjesht mbrojtje fizike: “Kur s’mbyllet vrima e çelësit/ Në një ditë lufte/ pasi ke mbyllur dy here/ derën me çelës/ ke lëshuar kanatat/ e pastaj edhe perdet/ ke fikur qirinjtë/ dhe ke rënë në shtrat/ pa u zhveshur/të bie ndërmend/ se fryma e vdekjes/ mund të hyjë/ për vrimë të çelësit/ dhe kupton se jashtë/ të ka mbetur/liria”
Harold Bloom, kritik letrar amerikan thotë se vlera estetike del nga kujtesa, teksa Nitzsche nga dhimbja, prandaj veprat e suksesshme letrare janë mbërritje tek ankthet e jo çlirim prej tyre.
Kështu edhe poeti Demiri i vargëzon ankthet e realizuara duke mos hedhur akuza, duke mos nxit urrejtje, por thjeshtë duke dëftuar të vërtetën e tij dhe të kohës të cilën e ka jetuar.
Njësoj siç ka bërë edhe shkrimtari Erich Maria Remarque, i cili në romanin e tij “Gjithçka e qetë në Frontin Perëndimor”, në hyrje të romanit shprehet: “Ky libër nuk duhet të jetë as akuzë dhe as rrëfim, e më së paku aventurë, sepse vdekja nuk është një aventurë për ata që qëndrojnë ballë për ballë me të.”
Në poezinë e Afrim Demirit alkimia metaforike shpaloset përmes përdorimit të gjuhës metaforike, duke i shndërruar edhe elementet e zakonshme në simbole me ndikim që pasurojnë shtresat e kuptimit brenda vargjeve. Kështu poeti Demiri i distilon të vërtetat tragjike për të ngjallur rezonancë emocionale nga përvoja që në
shikim të parë duket e zakonshme. Pra mjeshtëria e poetit këtu qëndron në aftësinë e tij për të shndërruar të zakonshmen në të jashtëzakonshme, konkreten në abstrakte.
Nëpërmjet procesit alkimik të metaforës, ai i fton lexuesit të gërmojnë nën sipërfaqe, të zbulojnë shtresa më të thella kuptimore duke u lidhur me aspektet universale të përvojës njerëzore. Fuqia transformuese e gjuhës metaforike bëhet një katalizator i kuptimit dhe eksplorimit të të vërtetave të fshehura brenda vargjeve që bartin një fuqi të madhe ekspresive.
Prandaj, Afrim Demiri është një ndër poetët e rrallë të këtij brezi dhe zë i veçantë në panoramën tonë letrare bashkëkohore. Shkathtësia e tij poetike premton të rezonoj nëpër analet e kohës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme që do të pasurojnë dhe lartësojnë trashëgiminë tonë letrare, ndërkaq lakorja e vlerave të tij krijuese do të shkoj gjithnjë e më lart.

ObserverKult

Lexo edhe:

Faruk Tasholli: Protesta e një ligjërimi urban