Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, janë trekëndëshi që ka ndikuar në jetën e poetit dhe studiuesit të letërsisë, Agim Vinca.
I ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ai ka zbuluar se ka lindur në Maqedoninë e Veriut, por familjen, studimet dhe karrierën i ka zhvilluar në Prishtinë.
“Unë kam dy nënshtetësi, nga që kam lindur në Maqedoni, por jetoj prej 52 vitesh në Prishtinë, prej vitit 1972 dhe karrierën time e kam krijuar në Prishtinë.
Prishtina është vendi ku unë jetoj, ku kam krijuar familjen, ku kanë lindur fëmijët e mi, ku janë shkolluar dhe ku besoj se do të pushoj edhe pasi të iki nga kjo botë fizikisht, sepse në Prishtinë kam studiuar, kam magjistruar, kam doktoruar. Jam realizuar intelektualisht si krijues, si njëri, prandaj, pa Prishtinën, inteligjenca shqiptare në ish-Jugosllavi e ka pasur kryeqendër shpirtërore dhe administrative. Edhe shqiptarët që ishin jashtë territorit të Kosovës, Maqedonisë, ne kemi qenë shumë të lidhur dhe jemi mirëpritur.
Ne jemi një komb pak problematik dhe gjuha na lidh, faktori më i fuqishëm”.
Sa i përket Shqipërisë, Vinca zbuloi se ka ardhur për herë të parë në moshën 26-vjeçare dhe kujton gjithçka sikur të ishte dje.
“Unë kam ardhur në Shqipëri në moshën 26-vjeçare, isha asistent në Fakultetin Filozofik të Prishtinës dhe e kujtoj sikur të kishte ndodhur dje. Kjo ka ndodhur në 2 mars të vitit 1974”.
Më tej, ai ka theksuar se dha dorëheqjen nga politika pasi nuk donte të ishte ministër kukull. Për Vincën, politika ka qenë gjithmonë e përkohshme dhe profesioni është ai që do të mbetet i përjetshëm.
“Unë nuk kam qenë anëtar i asnjë partie politike. Jam ofruar në vitin 1988 me Partinë Lëvizja Demokratike Shqiptare, në krye të cilës ishte profesor Rexhep Qosja. Nuk pranova të jem anëtarë i kryesisë se kisha obligime në fakultet, por ishte koha mbas çlirimit të Kosovës dhe mua më emëruan pa më pyetur zv.ministër të Arsimit dhe Shkencës. Pastaj, në fundvit të ’99 u bë një marrëveshje dhe mua më ngarkuan në bashkëdrejtuesit të Departamentit të Arsimit dhe Shkencës, bashkë me një grua gjermane.
Unë bëra një tekst me 10 pika ‘Nuk dua të jem ministër kukull’ dhe mbajta konferencë shtypi. Edhe u ktheva te studentët.
Profesioni është i përjetshëm, postet janë të përkohshme, unë nuk kam pasur ambicie për karrierë politike”.
Poeti dhe studiuesi i letërsisë, Agim Vinca është ndalur në emisionin “Pas Mesnate” te situata në Maqedoninë e Veriut. Ai u shpreh se gjuha shqipe ka marrë vëmendje, por ka ende shumë punë. Ai ka theksuar se në vitet ’80 në Maqedoninë e Veriut ka qenë terrorr për gjuhën shqipe.
Sipas Vincës, Maqedonia e Veriut duhet të jetë shtet dykombësh. Sakaq, ai thënë se ka firmosur peticionin për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
“Unë kam qenë pjesë e rezistencës. Si intelektual kam siguruar që kam për obligim jo vetëm të shkruaj vjersha dhe poema, por ta ngre zërin në mbrojtje të integritetit, të popullit tim, në mbrojtje të gjuhës sime. Në vitet ’80 në Maqedoni ka qenë një terrorr i tmerrshëm, dmth ishte një politik tërësisht antishqiptare. Edhe në Kosovë, por në Kosovë do të vijë kjo në vitet ’90. Unë kam bërë atëherë shumë reagime, letra, të rrezikshme për kohën. U zhvillua një fushatë tërësisht kundra meje në vitin 1988, që ka arritur kulmin në mars të 1988. Pushteti dhe komuniteti i ka detyruar bashkëfshatarët e mi të deklarohen kundër meje. Kanë shkruar ata një letër dhe këta e kanë nënshkruar. Tre prej tyre ishin njerëz të pushtetit, dy ishin të padijshëm dhe thoshin: ‘Ne i gëzojmë të gjitha të drejtat’. Ndërkohë, në fshatin tim nuk kishte asnjë gërmë shqip.
Tani realiteti ka ndryshuar. Unë mendoj që gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është më ajo që ka qenë. Unë mendoj që statusi i juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni që përbëjnë zyrtarisht 30% të popullësisë me regjistrim nuk është zgjidhur përfundimisht, sepse shqiptarët nuk janë në Kushtetutë si shtetformues. Duhet të jenë. Për mua Maqedonia e Veriut duhet të jetë shtet dykombësh, i maqedonasve sllavë, i shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë aty, se edhe ata kanë të drejtën e tyre në këtë qiell. Edhe gjuha shqipe do duhet të ishte gjuhë zyrtare në krejt territorin e Republikës së Maqedonisë, siç është gjuha serbo-kroate në Kosovë”, u shpreh ndër të tjera Vinca. /abnews.al
Intervistën e plotë me Agim Vincën mund ta shihni duke klikuar në videon më poshtë:
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM VINCA: E VLEN TË JETOHET PËR TË BUKURËN DHE TË VËRTETËN