
Përse tregu muzikor shqiptar dominohet nga muzika e keqe? Disa shprehen se krijuesit thjesht ofrojnë atë që kërkon audienca dhe se edhe kur bëhet muzikë cilësore, ajo nuk gjen vendin e duhur tek publiku. Të tjerë thonë se është çështje fitimi dhe mbijetese në një treg të kufizuar dhe mjaft agresiv.
Kantautori Gjergj Kaçinari mendon se problemi qëndron edhe në faktin se shumë muzikantë dhe këngëtarë të afirmuar, të cilët janë padyshim shumë të talentuar në zhanret në të cilat krijojnë, janë tërhequr dhe nuk po prodhojnë më muzikë.
“Këtu problemi është që shumë artistëve të tjerë, ca që ndihen që vërtet janë maja e piramidës dhe qendra e muzikës që bëjnë, të cilët nuk prodhojnë, edhe ke artistë që janë akoma në treg dhe që janë shumë të mirë pa dyshim, por që këngën e fundit mund ta kenë bërë para 20 vitesh.”
Ai tha se nuk mund të fajësohen krijuesit që prodhojnë muzikë jocilësore për faktin se krijimet e tyre dominojnë tregun, ndërsa shtoi se shumë artistë të talentuar janë të përgjumur nga fitimi i shpejtë dhe pagesat që marrin nga performancat në lokale.
“Nga se mendon se vjen kjo tërheqje e tyre?”
“Nga një përgjumje… Nga ca lekë të shpejta që mund t’i marrësh nëpër lokale duke kënduar, edhe t’i nuk ndjen kurrë nevojën për t’u ulur për të shkruar muzikë të re për të mbajtur audiencë. Sepse ty s’të intereson audienca. Ty të interesojnë veç ata njerëzit që janë mbledhur aty për të pirë birrë dhe lokali të të paguajë… Një artist që mendon që është artist dhe mendon që ka këto vlerat që ka, ka një përgjegjësi sociale, morale, profesionale… Ti duhet të bësh tënden.”
ObserverKult
kliko edhe:






