
Recension
(Majlindë Sinani Lulaj “Muranë fjalësh”, botoi Sh.B “Armagedoni” , Prishtinë, 2021)

Nga Kemajl Aliu
Libri “Muranë fjalësh” i Majlindë Sinani Lulaj edhe pse libri i parë i saj poetik, duhet parë si një start të suksesshëm, në radhë të parë për diskursin e narracionit të gjuhës poetike, nga i cili narracion abstragohet substrati motivor qysh në manifestimin fillestar të tij, për të marrë trajta të reja si rezultat i vargut polidimensional që tejkalon kuptimin e thjeshtë literal, duke shpërfaqur dimensione kuptimore të ndryshme figurative, simbolike, emocionale dhe konceptuale.
Libri “Muranë fjalësh”, është i organizuar në 7 cikle, me gjithsej 70 poezi, të cilat fokusojnë realitetin e reprodukuar artistikisht si një pasqyrë të brendshme të botës poetike që shpërfaqë ndjesitë në raport me realitetin e jashtëm.
Nëpër humbnajën e jetës
Qenia njerëzore qysh moti bën jetën e saj brenda dimensioneve të një fati të kornizuar apo të paragjykuar si të tillë. Figurativisht poetja këtë raport qenie-fat, gjegjësisht fat-qenie na e sjellë si një FAT NYJE të jetës, në librin e saj ”Muranë fjalësh” e cila vazhdon dhe mbetet fund e krye e tillë. Ajo është vetë metafizika, mbi të cilën poetja e ndërton botën e saj poetike, ku shpërfaqet përgjithësimi i gjërave dhe koncepteve lidhur me të cilat apriori gjithmonë gjithçka ndodhë sikur në një qark ciklik kohor dhe hapësinor ku qenia njerëzore e bënë rrugëtimin e saj vetmitar, vetmitar deri në shkallën e tragjedicitetit. Është i tillë ky stad ku gjendet kjo qenie që edhe përkundër asaj që ka nevojë imperativë, ta mundë, ta thyej, apo ta zbus sadopak vetminë përmes pranisë së të dytit – tjetrit, ky dytësor nuk i ofrohet asnjëherë, për asnjë çast. Prandaj nuk i mbetet shteg tjetër përveç përpjesëtimit me vetveten me çka kjo qenie vetmitare do të rezultojë e dyzuar: / Përjetë/ udhëtare/ unë me veten / e kurrkush ma/. ”Udhëtare”, fq. 10.
Realitetit i objektiv të cilit i qaset M.S. Lulaj, kapërcen përmasat e reales duke e ndërtuar botën e saj poetike në një fiktivitet i cili mbase edhe është poenta kryesore e poezisë së saj. Ndërthurja si dhe ndërveprimi i reales me fiktiven si dhe i fiktives me realen shpërfaqin konkordancën edhe në përmasat e gradacionit, gjegjësisht shkallshmërisë. Gjithçka nisë nga një ”realitet”që është i natyrës origjinere, lidhur me të cilin vetëm kallëzimi mund të ketë qenë i vërtetë, dhe i cili shpie deri te ëndrra (irealiteti), për të dëftuar sende reale ( veku i gjyshes) i cili edhe pse: / i harruem qyshkur s’asht ma/ s’ka pushue me end/ Fatin e lidhun nyje/. ”Fati i nyjtë” fq. 9. Këto zhvendosje realitet-fiktivitet (Hapësira,koha) dhe anasjelltas, fiktivitet – realitet, ( kallëzimi, hiri, dhe ëndrra) dëshmojnë për një bredhje semantike karakteristike e cila i jep kësaj poezie tipare të theksuara të individualitetit krijues poetik të M.S. Lulajt.
Rrugëtimi, është jeta, është vetë frymimi, që siç duket është i pa cak i pa qëllim, dhe pa busulle. Dhe me që e tëra kjo nuk është e qartë në masën sqarimit të domosdoshëm, se a është jeta rrugëtim i synuar, braktisje apo shmangie prej saj, poetja e aksenton padiskutueshëm mëdyshjen – dilemën, duke e kontekstualizuar bindshëm në poezitë; “Kanga e braktisjes”, “Kanga e zhgënjimit” etj. Është bota ku mungojnë horizontet e hapura, bota ku gjithçka është e mjegullt, e mugët dhe e pa shpresë: /N’horizont/ Siluetat e imta/si lecka resh/ “Kanga e braktisjes”, fq. 22. Është ky, një rotacizmin ciklik, ku FATI NYJË ngelë si përhershmëri, prandaj edhe ëndrrat kanë humbur kuptimin janë bërë të tepërta, me që në jetën humbnajë, gjithçka është e përsëritshme dhe monotone… sepse asgjë nuk ndodhë e re.: /s’ka asnjë dallim mbramë prej parmbramë/ a prej mbramjes që kujtojmë se po e jetojmë/ / na jemi si pardje si dje si sot krejt t’njisojtë/ ”Kanga e boshtit t’brendisë” fq. 27, sepse ; / jeta/ vit për vit nis lojë të re/ me letra të vjetra/” “Letra t’vjetra ” fq. 82. Në këtë gjendje të rezignatës së thellë, njeriu e kërkon shpëtimin e tij, në diç sa të panjohur, aq edhe të paimagjinueshme, pa mundur të përcaktohet saktësisht:/Ndoshta s’duhet me mendue/ pos qiejsh/ lidhun gjithmonshëm / me mbetë/ “Lidhun qiejsh” fq. 14. Jeta do të vazhdoj, ani pse terri është fat i qenies njerëzore, poetja e inkurajon qenien, në vazhdimin e rrugëtimit të saj të gjithmonshëm duke thënë: /terri s’asht padita e syve/ veç pamundësia me jetue/ çka asht e dekun/ ”Hi urne” fq. 12.
Lumi i bardhë apo gjeneza identitare-nacionale
Gjithashtu vend dominant në librin poetik ”Muranë fjalësh” zënë poezitë me tematikë mbi atdhedashurinë, mallin, mërgimin dhe kujtesën historike, të cilat si mesazhe janë sistematike, ani pse shfaqen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë: / vjeshta e malli/ gurëzohen n’Bjeshkë t’Namuna/ e piklat prej reve/ shtojnë Lumin e Bardhë/ “Pikla prej reve” fq. 64. Edhe kur poetja i qaset një statusi narrativ direkt apo të tërthortë siç thamë më lart, aksenti gjithnjë kontekstualizon mallin që derivon nga mërgimi, ku atdhedashuria është dhe mbetet e përjetshme deri në përmasat hyjnore: /i harruem/ humbun kapërcimit që verbon/ i numëron hapat e kthimit për n’shpi/ troket e thërret/ n’porta zemrash t’fjetuna/tuj dashtë me hy./.”I harruem”, fq. 40. Malli, dashuria, origjina si dhe vet vazhdimësia e jetës metaforizohet kryekëput me atdheun, që argumentohet ekzakt në vargjet vijuese :. /pak hapa më tej/ asht toka prej kah jam/ një copë e vogël dheu/ që herë-herë/ ku dimnat hajnë me dhambë/ e vnoj n’vend t’zemrës/ ”Elegji” fq. 46. Me këto pak vargje poetja shfaqë gjenezën identitare nacionale, e cila buron nga copa e dheut (atdheut), e cila shndërrohet në zemër të qenies sonë përballë dimrave kafshues të egër, që hanë me dhëmbë. Është një poezi ndër më të fuqishme që përçon mesazhe të thella përmbajtësore dhe estetike.
Të fshehtat e hirit rrëfimtarit të vetëm
Një pjesë bukur të mirë të poezive të librit poetik ” Muranë fjalësh ” e përbëjnë edhe poezitë të cilat në shikim të parë krijojnë përshtypjen se janë të karakterit deskriptiv, por vet strukturimi i motiveve apriori si dhe ngjarjeve të ekzistencës njerëzore brenda dimensioneve të hapësirës dhe kohës e bëjnë kryesisht poezi të mendimit. Ambienti është hapësira reale fizike ku frymon qenia njerëzore në kohën e matshme , ndërsa në anën tjetër anogjikisht të dyja këto kategori, reprodukohen në gjeografi të imagjinatës përmes narracionit perspektiv dhe retrospektiv që manifestohet si mendim dhe kujtesë. Natyrshmërisë, analogjisë së këtij raporti, poetja i përgjigjet bindshëm përmes ndërtimit të abstraksionit dhe fiksonit poetik me çka arrin të evitojë suksesshëm deskripcionin literal për të finalizuar mendimin estetiko- poetik mbi bazën e një imagjinatë tejet të bujshme.: /Ditë të përdredhuna bien rrugicave të mendimeve/ si gjethe që dridhshëm shkëputen/ prej skelete drunjësh/ e marrin ikën ngutshëm/, “Frymë”, fq. 35. Motivet dhe temat janë të nduarndurta; ( tema e fatit, kohës, identitetit, dashurisë, enigmës, nostalgjisë, kozmosit, pritjes, vetmisë) ku vargu poetik funksionalizohet me kombinatorikën e dukuritve ambientale si: (hëna, dita, errësira, lindja, perëndimi, retë, mjegullat) me qenien njerëzore, që është epiqendra e këtij narracioni poetik.
Herë-herë në poezinë e M.S. Lulajt, ndihet një optimizëm pa ndonjë aksent të theksuar, një optimizëm me ngjyrim dhe një tonalitet të maturuar, gjegjësisht balancues në raportet ekzistuese. Në këto poezi fiksioni bëhet dominant: kohë e largët rilind nga kallëzimi, hiri shpërfaqë gjurmët e një epoke, kujtimet-ëndrrat kërkojnë dhe nisen në rilindjen reale të ditës së re. Ky diskurs narrativ, kjo lëvizshmëri aq e dinamizuar koncepteve, kategorive, dukurive dhe fenomeneve ta përkujton mendimin e F. Nietzsche-s që thotë: ” Mendjes i pëlqejnë shtigjet dhe portat e fshehta.” / t’pashkelunat udhë e toka bahen hapa t’premtueme/ heshtjen e netëve e zjarrin e heshtjes kanë me e zgjue/ ”Zhveshje kujtimesh” fq. 36. / Apo më konkretisht siç thotë poetja: /Jeta/ gjithmonë një trajtë/ që ka me ardhë/ fq. 7.
E veçanta e kësaj poezie gjithashtu është edhe drejtpërdrejtshmëria e saj shprehëse të cilën poetja arrin ta funksionalizoj estetikisht përmes një metaforike konsistente si dhe një bredhja semantike të veçantë, çka e bën librin më të plotë gjegjësisht më të realizuar si tërësi poetike. Ka poezi herë herë me pikëpamje filozofike nihiliste si psh. /n’paqe hapin sytë/ skeletet e mendimeve/ nëpër qiellin e heshtjes/…/ ka ardhë koha tashma/ me marrë veten përdore/ me u humb ajrive pa frymë/ ”Koha me u humb” fq. 90. Apo, / ka nji çast / që përplas gjithçka/ e si pluhun a shkëlqim/ i ban baras me kurrgja/. ”Ka një çast” fq. 78. Mirëpo në përgjithësi autorja nuk ngelë kornizave të këtij mendimi filozofik, ajo i kthehet fuqishëm jetës, rrugëtimit që është edhe mision jetësor i qenies njerëzore; / harrimi /veç harrimi është kurrë e ndodhuna/ e vdekja e vërtetë/ ” Vdekja e vërtetë ” fq. 47.
Përfundim
Të theksojmë në fund se M. S. Lulaj krijon me vargje të lira dhe me të rimuara. Kujtoj se në këto dy forma shkruan mirë. Përderisa në rastin e parë, (poezia pa rimë) ajo arrin t’i jap më tepër liri të shprehjes, në variantin tjetër (poezinë me rimë) arrin që përmbajtjen ta fuqizojë përmes muzikalitetit, ritmit dhe ndikimit emocional, që vërehet posaçërisht te poezitë e ciklit të II-të: ”Kanga e mohimit”, “Kanga e braktisjes”, ”kanga e asaj që s jam” etj. .
Nisur nga tëra këto mund të konstatojmë se libri ” Muranë Fjalësh”, shquhet për një tematikë të zgjeruar dhe të thellë e cila përmban në vete një gamë të gjerë idesh, konceptesh, dhe situatash që transmetohen nëpërmes vargut polidimensional përplot elemente figurative, si metafora, simboli, alegoria etj. Këto shenja poetike krijojnë lidhje funksionale midis mendimit dhe ndjesive, duke e bërë poezi të kuptimeve të shumëfishta e cila i imponon lexuesit nxitje emocionaliteti, imagjinate dhe ndjeshmërie si dhe duke i dhënë mundësi dhe hapësirë të lirë interpretimi. Në këtë kuptim, J.L. Borges do të thoshte: ”…një poezi nuk është vetëm ajo që shkruan autori, por edhe ajo që lexuesi e rikrijon në mendjen e tij.”
ObserverKult
Lexo edhe:






