Sot promovohet romani “Dritarja e Marin Shkrelit” i Ndue Ukajt

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të drejtave autoriale, Biblioteka e kryeqytetit “Hivzi Sulejmani” promovon romanin e shkrimtarit Ndue Ukaj, “Dritarja e Marin Shkrelit”, që është botuar vitin 2023 nga Shtëpia Botuese “Onufri”.

Për romanin do të flasin: Anton Berishaj, Adil Olluri dhe Rrezartë A. Morina, kurse pjesë e diskutimeve do të jenë edhe maturantët e shkollës  “The British School of Kosova”, të cilët këtë roman e kishin lektyrë shkollore.

Promovimi mbahet në ora 14:00, në mjediset e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në Dardani.

Për librin

“Dritarja e Marin Shkrelit” nis me një fillim tronditës dhe mbaron me një fund tragjik, që për mendimin tim janë dy pikat më kulmore të rrëfimit artistik të Ndue Ukajt. Fillimi i romanit është i vendosur në një hapësirë pranë ambasadave të huaja dhe me një grup të rinjsh që doemos dëshirojnë të ikin sa më parë nga Kosova.

Kohësisht fillimi i romanit vendoset shumë vite pas luftës në vendin tonë, por që realisht është fundi i fabulës dhe rrëfimit të Marin Shkrelit, një krijues dhe kontribuues për lirinë e vendit të tij, që tronditet me dëshirën e pakompromis të të rinjve për ta braktisur sa më parë, në çdo çast e në çdo rast, Kosovën, për të cilën ky kishte sakrifikuar shumë./Adil Olluri

*

Romani “Dritarja e Marin Shkrelit” është një mimesis i fuqishëm i kujtesës për të djeshmen e luftës në Kosovë, që trysnoi, shtypi e përçudnoi ëndrrat e një të riu, duke ia mohuar atributet më domethënëse të qenies, lirinë dhe vullnetin, atij vetë dhe rrethinës së tij. Me këtë vepër Ndue Ukaj lëvron shembullin tipik të asaj letërsie që etablohet si kujtesë kulturore, ku transfigurohet e djeshmja e afërt historike dhe ankthi post-traumatik i gjetjes së kuptimit të ekzistencës së të sotmes./Elsa Skënderi

Për autorin

Ndue Ukaj (1977) i lindur në Stubëll të Epërme të Vitisë, është shkrimtar, kritik i letërsisë dhe publicist. Është i përfshirë në disa antologji të poezisë, brenda dhe jashtë vendit. Poezitë dhe tekstet e tij janë përkthyer në anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, kinezisht, suedisht, turqisht, dhe janë botuar në shumë revista prestigjioze.

Është autor i librave: “Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, “Ujëvarat e metaforave”, “Godo nuk vjen”, “Interpretime letrare”, “Ithaca of the Word”, “Arka e shpëtimit”, “Gjithmonë diçka mungon”, “Dritarja e Marin Shkrelit”, “Shtegu i të verbërve”. Libri me poezi Godo nuk vjen, u laureua me çmimin kombëtar ”Azem Shkreli” për librin më te mirë të botuar me poezi në vitin 2010. Në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit”, u laureua me çmimin për poezinë më të mirë.

Revista letrare The International Poetry Transation And Research Centre, që botohet në Kinë, më 2014, e ka vlerësuar një nga poetët më të mirë të botuar në vitin 2013 në këtë revistë. Po ashtu, ka fituar çmimin “Creativity prizes” në Naji Naaman’s Literary Prizes 2016. Është vlerësuar edhe me mirënjohje dhe çmime tjera letrare.

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA NDUE UKAJ: KOHA PËR GJËRA TË BUKURA