Shemsi Krasniqi: “I rrëmbyer nga shkronjat”, roman ku shkronjat shndërrohen në personazhe të rebeluara

Shemsi Krasniqi duke folur për romanin

Vështrim mbi romanin “Enlevé par les lettres” (“I rrëmbyer nga shkronjat”), autor: Dan Bozhlani; botues: Le Lys Bleu Éditions, Lyon 2025

Nga Shemsi Krasniqi

Më 23 maj 2025, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris, u promovua libri i autorit kosovar Dan Bozhlani, autor i disa librave në prozë dhe poezi, i cili mbi dhjet vite jeton në Lyon të Francës dhe është aktivist i shquar i shoqatave kulturore te shqiptarëve ne Lyon. Libri i takon fushës së letërsisë dhe është i zhanrit roman, kurse është botuar në frëngjisht nga shtëpia botuese Le Lys Bleu Éditions, me përkujdesjen e redaktoreve: Aurélie Macabrey dhe Emma Sorin. Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti ambasadri i Kosovës në Francë, z.Mehdi Halimi, kurse moderator i eventit ishte diplomati i ri z.Arbër Maliqi. Mbarëvajtjen e takimit e mundësoi i gjithë stafi i ambasadës, për çka meriton një falenderim.

Për librin folën redaktorja Emma Sorin, studiuesja Ardiana Faja, e cila lexoi edhe vështrimin e redaktores tjetër, Aurélie Macabrey, si dhe atë të Dorian Koçit, pastaj shkrimtari i mirënjohur, kineasti dhe ish-diplomati Luan Rama dhe në fund fola edhe unë. Të gjithë referuesit theksuan vlerën e romanit, sidomos unikalitetin e stilit dhe univerzalitetin e përmbajtjes. Krejt në fund, në fjalën e tij falenderuese, autori evokoi një moment domethënës që kishte të bënte me rastin kur kishte ardhur për herë të parë në Ambasadën e Kosovës në Paris. Ai tha: “Kur para shumë viteve erdha për herë të parë në ambasadë për të marrë pasaportën, ndjeva se një zë i brendshëm më tha: do të rikthehesh pësëri. Dhe ja, u riktheva me këtë promovim libri!”. Ishte ky një mesazh i mirë për të gjithë bashkatëdhetarët tanë që jetën e tyre jashtë vendit ta përmbushin me sa më shumë suksese dhe kontribute në fushat e tyre profesionale, por edhe në art e kulturë. Pjesë e këtij promovimi ishin edhe disa performanca artistike: pati lexim poezish shqip dhe frëngjisht, si dhe vallëzim modern nga valltarja shqiptare Aida Llukaj, shoqëruar me kitarë nga kitaristja franceze Adèle Andjujar-Bonnier, e cila me këtë rast këndoi edhe disa këngë solo. Sa i përket publikut, përveçse nga Kosova, pati mysafirë edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Franca. Ishte një atmosferë e bukur, për tu mbajtur në mend.

Në fjalën time me këtë rast thashë:     

Çdo libër është botë në vete; është krijim, rrëfim, inspirim, angazhim, vizion dhe synim. Zakonisht përmes veprës së vet, autori flet me publikun, sepse arti është edhe komunikim. Autori zakonisht komunikon me lexuesin e vet, por në këtë rast ai është kthyer në një drejtim tjetër, jo kah lexuesi, por kah shkronjat, kah ato shenja që shprehin dijet, ndijimet, virtytet, kujtesën dhe vizionin tonë.

Ndoshta më mirë të themi, se në romanin e Dan Bozhlanit, vetë shkronjat shndërrohen në personazhe të rebeluara dhe prishin renditjen e tyre në letër, palosjen në fleta, vendosjen në rafte të bibliotekave; pra ngriten në këmbë dhe thyjnë heshtjen, atë heshtje e cila vazhdon që nga shkrimet në shpella, ato në pergamente e deri te letra, duke na kritikuar pse nuk jemi mirënjohës ndaj tyre, pse lexojmë përgjumshëm … Ky pra është rasti i romanit “I rrëmbyer nga shkronjat”, i autorit Dan Bozhlanit. Një libër shumë i veçantë ose më mirë të themi unik, një roman poetik, psikologjik dhe njëkohësisht filozofik, i cili na nxjerr prej një realiteti dhe na futë në një hiperrealitet, të cilin nuk e shohim, nuk e njohim, nuk e kemi menduar e as imagjinuar.

Në këtë roman ngjarjet nuk ndodhin në një gjeografi reale, por në brendinë e vetës sonë, në botën tonë organike, intelektuale dhe imagjinare. Është tepër i veçantë përshkrimi i udhëtimit nëpër trupin njerëzor, në brendinë e tij, nëpër peisazhet e bukura të zemrës, e sidomos në thesarin e trurit. Por nganjëherë, ngjarjet ndodhin edhe në divan, në sallon, në bibliotekë, në librari, në fshatin e librave, në bulevard qyteti, si edhe në vetë planetin Tokë, atje ku siç thotë autori, eshtërat transformohen në dhè.

Personazhe nuk janë vetëm njerëzit, por edhe shkronjat, librat, fletorja, trupi njerëzor dhe organet e tij, zëri i qetë dhe zëri paqësor. Madje, personazh është edhe zjarri dhe në librin e Danit, zjarri bëhet lexuesi më pasionant i disa shkrimeve, sidomos i atyre poeteve që janë të pavendosur për të bërë emër. Megjithatë, zjarri në këtë roman, ka ndjenja, ka mëshirë. Ai për shembull nuk e “lexoi” (d.m.th. nuk e dogji) poezinë “Nëna”, por e dëboi nga prushi i vet.

Imagjinata e shkrimtarit, është mjaft e pasur dhe të befason me të papritura. Ajo shpërfaq mënyrat e të menduarit njerëzor që nga kohërat më të lashta, atëherë kur besohej se edhe sendet kishin shpirt e bëheshin të gjalla, transformoheshin prej një rendi ontologjik në tjetrin dhe riktheheshin përsëri në gjendjen primare. Kështu për shembull ndodh me poezinë “Nëna” e cila në një moment bëhet statujë, e statuja rikthehet në person të gjallë, e përsëri rikthehet në gjendjen e ngrirë. Motivi i metamorfozës, përveçse poetik është edhe mitologjik, kurse përtej botës imagjinare, është pjesë e botës sociale, biologjike, fizike, gjeologjike dhe kozmike. Metamorfozën e përjetojnë edhe shkronjat. Ato ndodh të dalin nga librat e të fluturojnë në qiell, atje në në një rast formuan kokën e një djali. Në një rast tjetër të 36 shkronjat u tjetërsuan në njerëz duke krijuar kështu “fshatin e librave”, një fshat i cili në vend të kalldrëmit, rrugët i ka të shtruara me libra, e njëra prej tyre ka të bëjë me edukimin e fëmijës në barkun e nënës. Ky lloj shkrimi kështu, më përngjan shumë në prozën niçeane.

Autori në romanin e vet përdorë edhe parabola duke udhëtuar në kohë dhe udhëtimi i tij është tepër i gjatë, dhe duket se mbërrin deri te paraprindërit e njerëzimit. Por ai në këtë aventurë letrare nuk i anashkalon eksperiencat e luftës, vrasjet e nënave, gratë e dhunuara, kolonat, policinë, madje edhe zhdukjen e qenit në luftë… Makrohistoria nuk ka kuptim pa mikrohistorinë. Kujtesën njerëzore e përbëjnë të dyjat, jo vetëm njëra. 

Dani përmes romanit të tij na tërheq vëmendjen kah libri, kah shkronjat e tij, kah përmbajtja që kanë, kah ushqimi i tyre shpirtëror për ne, kah kujtesa dhe dija, kah bardhësia, drita dhe ndriçimi i tyre, anipse gjaku i tyre, siç thot autori, është i zi. Pavëmendja jonë ndaj tyre, i bën ato të ikin, të fluturojnë, prandaj të lexojmë me vëmendje e me kujdes. Ato janë një ushtri shpirtërore, një ushtri e cila nuk e vret llojin e vet, siç bëjnë njerëzit.

Libri vërtetë shquhet me një tematikë të veçantë, me një stil dhe gjuhë të veçantë, por bartë mesazhe univerzale, reale dhe aktuale, si ato për ruajtjen e paqes dhe humanizmit, promovimin e udhëheqjes së grave dhe fundin e patriarkatit, ruajtjen e Tokës si shtëpia ynë e përbashkët, ruajtjen e jetës, thellimin e dijes dhe ruajtjen e kujtesës, virtytit dhe dinjitetit njerëzor.

Çdo kapitull i librit përmban maksima, thënie tipike filozofike, mesazhe humane me vlera univerzale. Ndër to është edhe “Testamenti Paqes”, të cilin ju ftoj ta lexoni me vëmendje të veçantë, sepse është ftesë për ruajtjen e paqes, dashurisë, vëllezërisë dhe vazhdimësisë së jetës në Tokë.

Ashtu sikurse Dani që në emër të prindërve paqësorë të njerëzimit po kërkon paqe, dashuri, vëllezëri, ashtu unë, duke qenë i nderuar për këtë fjalë rasti, i dëshiroj autorit shëndet, kreativitet dhe imagjinatë të pasosun!

ObserverKult

——————————

Lexo edhe:


SHEMSI KRASNIQI: KOMETA HALLEY