
Ervin Nezha, një zë i ri dhe interesant në letrat shqipe, në romanin “Tri tavernat”, sjell një rrëfim që të tërheq që në fillim me natyrshmërinë e stilit dhe qëndrueshmërinë e ndërtimit. Rrëfimtari e çon lexuesin në një fshat me një emër simbolik e imagjinar në një qoshe të harruar të Shqipërisë së kohës së diktaturës, i cili përshfaqet artistikisht si një mikrokozmos i izoluar, në të cilin çdo ndryshim i tentuar apo i menduar s’është gjë tjetër veç një iluzion.

Nga Albana Beqiri
Historia është e thjeshtë, por domethënëse: një kooperativist i ri, Demir Sulonjaku bashkë me shokët e tij, zbulon një varrezë osmane të pasur me stoli e plaçka luftëtarësh. Kryetari i kooperativës, Myrteza Faruku, e sheh këtë si mundësi të artë për të shpëtuar ekonominë e fshatit dhe sidomos për të marrë merita e plr t’u imponuar. E kështu fillon një valë ethesh kërkimi e hipokrizie ku pa asnjë dallim: funksionarë vendorë e qendrorë të Partisë, shkencëtarë të Institutit të Arkeologjisë, fshatarë të rëndomtë, por që i merr përpara vala e dëshirës për ndryshim, të gjithë pra, përfshihen në këtë valle groteske ku thesari e humbet kuptimin e vet real dhe shndërrohet në një pretekst për ambicie, frikë, servilizëm dhe mashtrim. Por, siç ndodh shpesh në diktaturë, shpresa shuhet: thesari as ruhet e as i shërben komunitetit; funksionarët largohen, shkencëtarët dëbohen dhe fshati mbytet sërish në grinë e përditshmërisë së vet.
Ky fund antiklimaktik i qëllimshëm e shndërron romanin në alegori të pritshmërive të kota të ushqyera prej sistemeve utopike. Thesari nuk është vetëm një gjetje e rastësishme arkeologjike, më shumë se aq ai është metafora e mundësive që ngjajnë të jenë të reja, por që sistemi i kalbur i gëlltit dhe i asgjëson pa mëshirë. Si çdo gjë tjetër. Në këtë kuptim, Nezha e ndërton romanin si një polemikë artistike ndaj nostalgjisë së pakuptueshme për diktaturën, duke sfiduar realitetin historik përmes instrumenteve letrare të groteskut, ironisë dhe ndërkohësisë. “Tri tavernat” është ndërtuar estetikisht mbi një strukturë të fragmentuar, me kapituj të shkurtër (30 sosh plus epilogu), që rrjedhin si rrëfenjëza, të lidhura nga zëri i një narratori të gjithëpranishëm, i cili e udhëheq lexuesin përmes një ndërthurjeje të pasur kohësh e ku diktatura nuk është vetëm një kohë e shkuar (jo aq e largët), por një mekanizëm i tërë absurd e kriminal i shprishjes së individit e që vazhdon të endet në ndërgjegjen kolektive.
Në këtë kuptim, si roman i ndërthurur me tre kohë: diktatura komuniste, e kaluara legjendare (mugëtia legjendare e Gjorg Golemit) dhe e tashmja letrare, “Tre tavernat” reflekton mbi absurditetin e utopive që shfaqen vetëm për t’u fshirë sërish nën gravitetin e sistemit ideologjik.
Një nga dukuritë më karakteristike të kësaj kohësie të mbivendosur është ironia intertekstuale që i lejon veprës të pasqyrojë kohët e ndryshme në një strukturë dialoguese, ku secila kohë përthyen tjetrën në kuptim dhe përvojë.
Ajo që bie në sy gjatë leximit të romanit është fakti se, diktatura nuk trajtohet thjesht si një kohë e errët që i përket së shkuarës, por si një proces i gjatë zhbërjeje që vazhdon të lërë gjurmë në ndërgjegjen tonë kolektive edhe pas rrëzimit të saj. Në këtë kuptim, “Tri tavernat” nuk mund të lexohet thjesht si kronikë e një kohe të humbur, por si një ftesë letrare për të parë nga afër sesi njeriu, i zhveshur nga zëri (sensi i reagimit) dhe dinjiteti, endet i huaj brenda vetes dhe botës. Është një roman që “flet” vërtet me një qetësi pothuaj olimpike, por duke shpalosur thellësi mendimi e idesh, që të fton të rrish pezull mes të qeshurës së hidhur dhe një dhembjeje që shfaqet përgjatë përjetimit të absurdit të asaj kohe.
Sa i takon personazheve, Nezha ndjek modelin e rrëfimeve të shtyra nga ngjarjet: individët nuk shërbejnë si pol i zhvillimit psikologjik, por si figurina të një teatri grotesk. Që prej Myrteza Farukut deri te Demir Sulonjaku e Kleanthi, personazhet nuk paraqiten si individë me thellësi psikologjike në kuptimin klasik të fjalës. Ata janë ndërtuar më tepër si prototipe: mishërime të funksionarëve ideologjikë ose qytetarëve të nënshtruar, të cilët nuk përjetojnë në mënyrë të brendshme dramën apo satirën e ngjarjeve, por veprojnë si hallka të një makinerie më të gjerë ideologjike. Kështu, Myrtezai është partiaku arrivist që mbetet karikaturë e vetvetes deri në fund. Arkeologu Kleanthi është profesionisti që e tradhton pasionin dhe dashurinë. Irena, e reja e brishtë nis e bitis si viktimë. Kristina, llogaritarja është një tjetër figurë humbëse. Përjashtim bën vetëm Demir Sulonjaku, personazh ky që mbart një përzierje të çuditshme ndërmjet idiotizmit dhe një mirësjelljeje instinktive dhe që falë këtij ambiguiteti i jep romanit të themi një lloj tensioni narrativ, që e nxjerr disi rrjedhën e personazheve nga një lloj skematizmi i ngurtë që i karakterizon ata. E megjithatë, kjo statikë e figurave nuk është mangësi, por pjesë e konceptit kritik të veprës: sistemi është aq i ngurtë, sa askush nuk ka hapësirë reale për ndryshim.
Grotesku dhe hiperbolizmi janë instrumentet më të mprehta me të cilat autori zgjedh “të përballojë” artistikisht tragjedicitetin e një diktature shkatërrimtare. P.sh., ai përdor groteskun për të shpalosur absurditetin ideologjik të zhvarrimit të varrezave osmane — nga zëra të zbrazët që recitojnë parulla si “lokomotiva e parë”, deri te imazhet e ushtarëve me sy të gjakosur, që ngjajnë si vizione pagane. Elementet groteske nuk janë vetëm shfaqje stilistike, por funksionojnë edhe si alarm kritik: inteligjenca dhe logjika e sistemit janë zhdukur dhe realiteti zbutet nga një kaos sarkastik. Përforcues mbetet edhe përdorimi i hiperbolës: që nga kukuvajka që përsëritet qindra herë e deri te shpikja e “thesarit të mbretëreshës Teutë”, një strategji që e çon absurditetin në kufijtë e groteskut, por pa e zbehur indignimin e brendshëm të rrëfimit. Të gjitha këto krijojnë një peizazh absurd ku humori dhe dhembja ecin krah për krah. Dialogjet e funksionarëve të Partisë, të mbushura me parulla boshe e fraza klishe, e bëjnë lexuesin të dridhet mes të qeshurës dhe ndjesisë së një tragjedie të pashmangshme.
Përmes mitit të Gjorg Golemit, Nezha e lidh këtë realitet grotesk me trashëgiminë historike, duke treguar se si legjenda mund të kthehet në instrument të pushtetit, para se të rigjejë kuptimin e saj si shenjë e një memorie kritike. Romani, në këtë mënyrë, nuk është vetëm rrëfimi i një kohe të humbur, por edhe reflektim i thellë mbi mënyrën se si historia, miti dhe ideologjia ndërthuren për të ndërtuar ose për të shembur identitetet kolektive.
Gjuha e “Tri tavernat” është e rrjedhshme, narrative dhe e gjallëruar nga dialektizma të përdorura me mençuri dhe gjithnjë në funksion të atmosferës. Ajo nuk ndalet në zbukurime të panevojshme, por shërben si mjet i kthjellët i rrëfimit. Mbase, që të thellonte dimensionin estetik të prozës, teksti do të fitonte ende më shumë nga një shtresë poetike, por forca e tij qëndron pikërisht në këtë qartësi dhe në ironinë therëse që e shoqëron fjalën.
Përfund, ndonëse në pamje të parë, shfaqet si një rrëfim i vendosur në peizazhin gri të Shqipërisë së komunizmit, përtej kësaj fasade, romani është një reflektim i mprehtë mbi degradimin moral, marrëzinë kolektive dhe zhveshjen e njeriut nga dinjiteti, në një shoqëri të sunduar nga absurdi ideologjik. Megjithëse autori nuk e ka jetuar drejtpërdrejt atë periudhë, ai arrin të krijojë një univers bindës letrar, ku grotesku dhe ironia ndërtojnë një realitet thellësisht të njohur në psikologjinë e kujtesës sonë kolektive. “Tri tavernat” është një vepër që dialogon me traditën e romanit alegorik të diktaturës, por me një zë që kërkon krijimin e identitetit të vet. Është një roman që të themi e refuzon fundin e lumtur dhe na lë me atë ndjesinë e pezullt të pyetjeve të mëdha që nuk kërkojnë përgjigje të shpejta. Një roman që na kujton se letërsia e mirë nuk mjaftohet me pyetje, por arrin të japë përgjigje artistike edhe për ato pyetje që ripërsëriten në kohë.
“Tri tavernat” është botim i “ALBAS”-it.
ObserverKult
Lexo edhe:
ALBANA BEQIRI: VESË TINGULLI OSE UNIVERSI POETIK I VETËSHPREHJES FEMËRORE






