
Nga Idriz Ajeti
Me Profesor Çabejn jam takuar shumë herë dhe do të duhej të ruaja shumë kujtime, por mosha dhe vitet e largëta shumë prej tyre i kanë zbehur. Tani ruaj vetëm disa nga ato më të veçantat, që i kam ruajtur me mendje dhe me zemër.
Sa më kujtohet tani me Profesor Çabejn jam takuar për herë të parë në Konferencën Ndërkombëtare të Studimeve të Europës Juglindore në Sofje. Vite më parë kisha shkruar për disa kontribute të tij te revista “Gjurmime albanologjike” .
Mezi prisja ta takoja, prandaj që ditën e parë u interesova ta gjej dhe të bisedoj.
Megjithëse ka kaluar shumë kohë dhe ne pastaj jemi takuar edhe shumë herë të tjera, nuk më hiqej nga mendja ai takim i parë.
Në vitet ’70 marrëdhëniet ndërmjet ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë ishin normalizuar, prandaj u bë e mundur që në Prishtinë të vinin shumë profesorë universitarë. Të gjithë u priten shumë mirë, por ardhja e Profesor Çabejt ishte një ngjarje e madhe. Ai ishte një përfaqësues i dijes shqiptare dhe në Prishtinë pritej jo vetëm si Profesor e Shkencëtar, po si një Burrë i Madh.
Takimet e mia me Profesor Çabejn ishin të shumta dhe të ndryshme.
E para, gjatë kësaj kohe unë isha në krye të disa institucioneve universitare e shkencore në Prishtinë dhe takimet me të ishin sa zyrtare aq edhe personale.
E dyta, gjatë kësaj kohe u përgatit dhe u botua kompleti i veprave të tij, ku mua m’u kërkua të shkruaj Parathënien e tij, prandaj patëm mjaft takime dhe diskutime për disa aspekte të botimit të studimeve dhe veprave veç e veç.
E treta, ai ligjëronte në studimet e magjistraturës, prandaj ndihmoi mjaft në ngritjen e kuadrove shkencore në Prishtinë. E vërteta, shumë studentë tanë që mbrojtën temat e magjistraturës dhe të doktoratës në albanologji gjatë viteve ’70 dhe ’80, ato i kishin filluar dhe diskutuar shumë herë me profesorët nga Tirana, Profesor Mahir Domin, Dhimitër S. Shuteriqin, Androkli Kostallarin, e sidomos Profesor Eqrem Çabejn.
Me Profesor Eqrem Çabejn kemi diskutuar shpesh për çështje të leksikut të trevave të Ballkanit! Megjithëse unë u mora më shumë me marrëdhëniet e shqipes me gjuhës sllave, në formim jam romanist. Edhe ai merrej me indoevropianistikë e gjuhësi shqiptare, por romanistikën e kishte në krah të parë. Veprën e tij e nderoja dhe për të kam shkruar gjatë gjithë jetës sime .
Njëherë unë kisha një mendim tjetër rreth etimologjisë së toponimit Ombla dhe këtë e shfaqa publikisht në fjalën time, pasi që ai tashmë e kishte botuar mendimin e tij. Kolegët më thanë se Profesor Çabej do të inatoset, por përkundrazi, ai ishte një Burrë i Madh, që i pranonte mendimet shkencore të tjetrit. Sigurisht unë isha i bindur në mendimin tim, por me vinte keq t’i kundërvihesha Profesor Çabejt sepse ai më parë kishte shkruar mirë për mua. Kur u takuam, ai ma rrahu krahun dhe më tha: “Ke të drejtë”!
Nuk e di nëse këtë e ka tumirë edhe me shkrim, por mendimin tim pastaj e kanë përkrahur mjaft studiues të studimeve ballkanike dhe unë e ribotove atë edhe në gjuhë të tjera .
Me Profesor Eqrem Çabejn ishim dhe mbetëm miq!
Prishtinë, 20 shkurt 2016
*Biseda me Profesor Idriz Ajetin është incizuar dhe është përgatitur teksti i përmbledhur, i cili është rilexuar dhe nënshkruar nga Profesor Ajeti. Me dëshirën e tij në tekst janë shtuar edhe disa të dhëna në fusnotë. (Begzad Baliu)
ObserverKult

Lexo edhe:






