Xhevahir Spahiu dhe poezia e kritikuar nga Enver Hoxha më 1973/ Akuzat për “ekzistencializëm”

Xhevahir Spahiu është autor i shumë veprave që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqiptare. Poeti që bëri epokë me estetikën dhe artin ka dhuruar për poezinë shqiptare disa vepra që ende dhe sot ‘godasin’.

Spahiu njihet si poet që përdor me mjeshtëri kontrastin si dhe cilësohet si “poet i ngjyrave të forta”. Xhevahir Spahiu ka lindur në 1 mars 1945 në Malind të Skraparit. Shkollën fillore dhe atë 7- vjeçare e përfundoi në vendlindje në Vlorë, ndërsa shkollën e mesme Pedagogjike në Berat. Spahiu ka studiuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Filologjisë dhe Historisë, Dega: Letërsi-Gjuhë. Që nga viti 1968 ai ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor i revistave “Nëntori” dhe libretist dhe mësues në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

Ka marrë çmimin “Migjeni” dhe ka qenë fitues i çmimit të parë në konkursin për 45-vjetorin e çlirimit të atdheut. Në vitin 1973, poeti u shfaq në një revistë, e cila i solli në atë kohë zemërimin e regjimit komunist, Enver Hoxhës. Kjo i dha atij një ndalim botimi për dy vite. Koleksioni “Zgjimi i thellësive” doli ndërkohë në vitin 1979, më pas u tërhoq nga shitja sepse më vonë u cilësua si “i pashëndetshëm”. Në vitin 1993, pas rënies së komunizmit, ai u bë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe u bë president në vitin 1998, shkruan panorama.

Në vitin 1973, poezia e tij “Jetë” u kritikua nga Enver Hoxha, i cili e akuzoi për “ekzistencializëm” dhe për referenca të ngjashme me Jean-Paul Sartre — një autor i ndaluar nga regjimi. Kjo solli një ndalim dyvjeçar për botimin e tij. Edhe poezia Zgjimi i thellësive u tërhoq nga qarkullimi pas botimit. “Më thanë që isha ndikuar nga Sartri, por nuk ishte e vërtetë. Unë nuk dija frëngjisht dhe nuk e kisha lexuar. U thashë të gjithëve që, në poezi kam thënë mendimin tim, idetë e mia dhe origjinalitetin tim. Këmbëngulën se isha ndikuar nga ai.

Më 9 janar 1973 u bë kritika për mua. M’u tha që ka ndikime të ideve ekzistencialiste nga Sartri. U bë kritikë në gazetën ‘Zëri i Popullit’, pastaj më lart. U thashë që s’e kam njohur dhe s’e kam lexuar dhe se nuk dija frëngjisht. E pranova se diçka dija për Zhan Pol Satrin, se kush ishte, por nuk e njihja aq thellë sa të ndikohesha. Më bënë vërejtje, u bënë mbledhje”, – ka rrëfyer para ca kohësh poeti ngjarjen që i kushtoi shumë në jetën e tij artistike. Por çfarë masash u morën ndaj tij për shkak të poezisë dhe si e përmirësoi “biografinë”? “Më 1973-shin unë qëndrova 8 muaj brenda mbyllur në ‘Zërin e Popullit’, pa shkruar asgjë, pa nxjerrë asnjë artikull. Më vonë, bëra një poezi për dëshmorët dhe e botova në gazetën ‘Drita’. Më thanë shumë mirë. U kënaqën me të”, – është shprehur poeti.

Enver Hoxha në Presidiumin e Kuvendit Popullor kishte thënë: “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra sesi i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore…”. Udhëheqësi mendonte se Spahiu, në atë vjershë kishte rënë nën ndikimin e filozofit e shkrimtarit francez. Poezia “Jetë”, ende sot mund të cilësohet si një prej poezive më të bukura të tij. “Le të vijnë druvarët, trungun le ta presin,/ Nën tokë/ për rilindje rrënjët le të mbesin,/ me drurin tim le të bëjnë gjithçka, por jo arkivole;/ mbi krye të kem qiellin me mall,/ nën këmbë as hije/ mbi tryezat e sajuara prej eshtrave të mia/ mbështesni bërrylat,/ bini në mendime./ Jam ai që s’kam qenë,/ Do të jem ai që nuk jam” – janë disa prej vargjeve të saj.

Poezia

do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lum a në dhomat e gazit.
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit qe s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
do të vdes i mbytur në borxhe.
Pemë po të isha e të mbija ndanë lumit
Do të gjelbëronin shpresat, do të binin prej meje
Mbi degët e përkulura do të thithej bora e do të
Të vinin tek unë të ngrinin fole,
Të uleshin, të cicëronin një çast mbas shtegtimit,
Mbi mua pastaj papritur të vërshenin ujërat
E trungun dallgët të ma rrihnin,
Gjethet t’i këpusnin për herbariumet e tyre,
Mbas turnit, punëtorët të pinë cigare
Me pëllëmbët e trasha si dy copë trungje,
Mbi gjoksin tim ku mbështetet Arusha,
Mbështesni shpatullat e vajzave të bukura.
Trungun tim druvarët le të vinë e të presin
Në tokë, në kohë e në zemra,
Për t’u rilindur sërish le të mbesin.
Me drurin tim le të bëjnë gjithçka,
Mbi krye le të kem vetëm qiellin e madh,
Mbi tavolinat e bëra nga trupi im,
Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send,
të shohësh thellë në ata sy,
e të mos duash të jesh përherë me ty?
Të ecësh me krahun mbi supet e tua
e të harrosh oshtimën e kaltër,
peshkarexhat si zjarre të natës?
e mos kuptosh se si përpiqet deti
të dalë jashtë guaskës së vetvetes?
Në stacionin pranë pishave, këtë natë me shi,
në heshtje po çlodhen njëzet e shtatë taksi.
Nesër përsëri mbi qytet do të shkasin,
si shiu mbi pardesynë time bojëkafe.
Po ç’rrugë, vallë, i presin? Dhe ç’ëndrra shikojnë
taksitë që flenë zbuluar nën neone?
Mes gjumit të hekurt u fërfërijnë reflekse
të jetëve që nesër si rrugë do të pleksen.
Në ca do të hipin dashuritë e ndershme,
do të qajnë në të tjerat viktimat e mblesëve.
Po ta dija në cilat taksi hipin lotët,
trupin tim barrikadë do ta vija nën rrotat.

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇFARË DO TË THOTË TË JESH NJERI ME KULTURË?