Anisa Liço: Nëse s’do me të ndjekë hija e fajit, ruaje ndërgjegjen e pastër

Nga Anisa Liço

Ndërgjegjja është një nga dimensionet më të thella të përvojës njerëzore. Ajo nuk është thjesht një konstrukt moral i shoqërisë, por një mekanizëm i brendshëm, i rrënjosur si në traditat filozofike ashtu edhe në psikanalizën moderne. Që nga Sokrati, i cili fliste për “daimonin” e brendshëm që e udhëzonte drejt së mirës, e deri te Freudi, që konceptoi superegon si zërin rregullues të ndërgjegjes morale, kjo forcë e brendshme mbetet një busull që na orienton mes së drejtës dhe së gabuarës.

Të jetosh me ndërgjegje të pastër nuk është një ideal abstrakt, por një nevojë ekzistenciale. Një ndërgjegje e ngarkuar me faj prodhon tension të vazhdueshëm psiko-emocional, duke u shfaqur shpesh në forma ankthi, pagjumësie apo konflikti të brendshëm. Nga ana tjetër, një ndërgjegje e qetë është baza e një ekuilibri të shëndetshëm psikologjik dhe garanton atë që filozofia stoike do ta quante “ataraksi” – gjendja e qetësisë së shpirtit.

Në aspektin moral, ndërgjegjja e pastër është forma më e lartë e lirisë: liria për të mos u fshehur nga vetvetja. Ndërsa shoqëria na mat me sukses, status e dukje, ndërgjegjja na mat me një kriter më të pakorruptueshëm – autenticitetin. Ajo na pyet: “A ishe i drejtë?”; “A respektove tjetrin si qënie njerëzore?”; “A do të doje të ishe në vendin e atij që e preku veprimi yt?”

Nëse përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është e kthjellët, atëherë njeriu jeton një jetë që nuk e ndjek hija e fajit. Kjo është pasuria që nuk blihet, nuk trashëgohet dhe nuk manipulohet: është produkt i zgjedhjeve tona të përditshme.

Siç do të shprehej Immanuel Kant: “Dy gjëra më mbushin shpirtin me admirim e respekt gjithnjë e më të madh: qielli me yje mbi mua dhe ligji moral brenda meje.” Në këtë ligj moral shfaqet edhe thelbi i ndërgjegjes së pastër – një busull e brendshme që nuk gabon kurrë drejtësinë e rrugës sonë njerëzore.

ObserverKult


Lexo edhe:

VESHJET TRADICIONALE SHQIPTARE PARAKALOJNË PËR HERË TË PARË NË “OKTOBERFEST” (FOTO)