
Vështrim librit: “Pranverat që ikin”, i autorit Imer Topanica
Shkruan: Albinot Maloku
Romani “Pranverat që ikin” i autorit Imer Topanica është një vepër letrare e fuqishme që trajton temat e dhimbjes, vuajtjes dhe rimëkëmbjes. Ndërsa e vë në qendër të vëmendjes përdhunimin si mjet lufte – bashkë me pasojat e tij afatgjata për viktimat, ofron një rrëfim shumë dinamik e me plot skena dramatike. Ky roman është një përpjekje e thellë për të eksploruar natyrën e pasojave të luftës, si dhe mënyrat se si individët dhe shoqëritë mund të përballen me plagët që ajo lë, duke ofruar perspektiva shumëdimensionale mbi temën.
Përdhunimi si akt i dhunshëm përveç ndikimit të menjëhershëm, ka pasoja të gjata e të thella për viktimat dhe shoqëritë që përjetojnë këtë krim. Përmes dy personazheve kryesore, Mejremit dhe Petras, autori çelë një dritare ku shpërfaqen jetët e individëve të prekur nga dhuna seksuale gjatë dhe pas periudhave të luftërave. Dy linjat, njëra nga perspektiva e viktimës dhe tjetra nga këndvështrimi i një hulumtueseje që kërkon drejtësi, manifeston një ndër aspektet më të fuqishme të romanit, që u falë lexuesve mundësinë të kuptojnë thellësinë dhe kompleksitetin e traumës, si dhe procesin e rimëkëmbjes.
Topanica, përmes personazhit të hulumtueses kroate, e trajton kërkimin e drejtësisë dhe të vërtetës jo vetëm si një proces gjyqësor, por edhe si një akt shpirtëror e moral. Ky aspekt është thelbësor në roman, pasi Petra i jep viktimave një mundësi për t’u përballur me të kaluarën dhe për të kërkuar jo vetëm dënimin e kriminelëve, por gjithashtu njohjen dhe respektimin e dhimbjes së tyre. Kërkimi për drejtësi, ashtu siç është paraqitur në këtë vepër, është një akt i shenjtë, një angazhim që shkon përtej këndvështrimit të normave, ligjeve, përkatësisht gjykimit në bazë të tyre, duke kulmuar me humanizmin dhe moralin.
Autori trajton rimëkëmbjen psikologjike dhe shoqërore pas dhunës, duke e lënë të nënkuptohet se ky proces është një rrugë e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me sfida. Përpjekja për të krijuar mbështetje për viktimat është një nën-temë në vetvete. Rimëkëmbja nuk është e lidhur vetëm me vënien e drejtësisë, por edhe me nevojën për mbështetje emocionale, psikologjike dhe shoqërore. Në këtë kuadër, figura e Petra-s si hulumtuese dhe mbështetëse, është një simbol i shpresës dhe i mundësisë për shërim, një mundësi për t’u larguar nga një e kaluar e mbushur me dhimbje dhe për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme.
Romani në një mënyrë provokon një temë që shpesh cilësohet si tabu në shoqëritë e pasluftës. Përdhunimi dhe dhuna seksuale si krime lufte, në shumë raste mbeten të fshehura e për rrjedhojë edhe të padënuara. Këto lloje krimesh u shkaktojnë viktimave jo vetëm dhimbje fizike, por edhe një ndjenjë të thellë të fajësisë dhe ndjeshmërisë. Kësisoj ato veç që kanë ndikim të menjëhershëm, lënë pasoja edhe afatgjata në psikikën e individëve dhe të shoqërive që i përjetojnë.
Edhe shoqëria kosovare si shumë shoqëri të tjera që kanë kapërcyer përvoja kaq të hidhura, ka provuar ta shmangë, e më pas i është qasur me një lloj ndrojtje, duke e lënë atë një plagë të fshehur, por të pambyllur për do kohë. “Pranverat që ikin” është një hap përpara për të thyer këtë heshtje dhe për të nxjerrë në dritë të vërtetën e këtij krimi. Në këtë kontekst, gjetja e së vërtetës është një akt i guximit dhe i rezistencës ndaj mohimit.
Përdhunimi nuk mund të mohohet, prandaj viktimave duhet t’u epet mundësia të flasin dhe të kërkojnë njohjen e dhimbjes së tyre. Personazhi i Efendi Bilallit, një figurë e autoritetit fetar, e fuqizon këtë mesazh, duke u mbështetur në argumentin se viktima e përdhunimit nuk ka asnjë faj dhe se ajo ka të drejtën të jetojë me nder, pa pësuar stigma nga rrethi shoqëror. Ky është një mesazh i rëndësishëm që pasuron filozofinë e romanit dhe e lidh me parimet morale të dinjitetit dhe respektit për çdo individ.
Në fund, romanin e Imer Topanicës mund ta shohim si një reflektim në proceset e rimëkëmbjeve që ndodhin pas çdo cikli dhune. Rrëzimi dhe vuajtjet janë të pandashme në jetën e viktimave, por fuqia për t’u ngritur është ajo që bën të mundur riparimin e qenies së tyre. Ky është një roman që trajton pasojat e luftës, por që gjithashtu ofron një mesazh të shpresës dhe këndelljes. Të lexuarit e këtij romani mund të thellojë të kuptuarit e kompleksitetit të traumës, rëndësinë e mbështetjes shoqërore dhe psikologjike për viktimat, si dhe nevojën për të vënë drejtësi qoftë edhe të vonë. Kjo përfundimisht është rruga e vetme e cila e çon një shoqëri të bëhet më e shëndetshme dhe më e drejtpërdrejtë.
“Pranverat që ikin” është një thirrje për veprim, një apel për të trajtuar problemet e paadresuara të së kaluarës, si dhe një mundësi për të ndihmuar në rimëkëmbjen e atyre që kanë përjetuar tragjedi të paimagjinueshme.
ObserverKult
Lexo edhe:






