
Java e Gjuhës Italiane në Botë, organizuar nga Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane i Universitetit të Prishtinës.me temë bosht “Italofonia në botë”, hapet këtë vit me ngjarjen poetike “Dy zëra, një poezi”.
Në këtë ngjarje të veçantë, dy poetet e mirënjohura, Denata Ndreca, që vjen nga Firenze dhe Donika Dabishevci nga Kosova do të sjellin një udhëtim poetik në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Poezia do të bashkojë dy kultura, dy ritme të ndjeshmërisë dhe dy mënyra të të menduarit poetik.
Poetet do të diskutojnë edhe për:
– si manipulojnë me gjuhën për të krijuar figura të forta me të cilat shprehin mendimet, emocionet dhe mesazhet e tyre
– çfarë dimensioni merr gjuha për një poete që jeton mes shqipes dhe italishtes?
– çfarë humbet e çfarë fiton poezia kur kalon nga një gjuhë te tjetra?
– pse mbetet akoma kaq i vështirë kapërcimi i kufijve gjuhësorë për letërsinë shqipe?
Me këtë rast, Denata Ndreca do të prezantojë librin e saj të ri “In quale lingua devo morire” (Në cilën gjuhë duhet të vdes), një reflektim poetik mbi identitetin dygjuhësh dhe ekzistencën mes dy kulturave.
Ndërkaq, poezitë e Donika Dabishevcit, të përkthyera në shumë gjuhë, përfshirë edhe italishten nga poeti i njohur Gëzim Hajdari do të shpalosin universin e saj poetik të thellë trupor dhe emocional, ku fjala bëhet kujtesë dhe ndjesi.
Secila prej poeteve sjell një individualitet të fuqishëm letrar, duke e pasuruar letërsinë shqipe dhe evropiane me zëra që ndërthuren përtej gjuhëve.
Veç kësaj Studentët e Fakultetit të Filologjisë do të jenë pjesë aktive e ngjarjes, duke lexuar poezi të dy autoreve në gjuhën italiane.
Ngjarja do të mbahet më 13 tetor, në orën 12:00, në Amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe do të moderohet nga shkrimtarja dhe profesoresha e gjuhës italiane Majlinda Bregasi.
Takimi është i hapur për publikun, me ftesë të veçantë për poetët e rinj dhe studentët, që mund të frymëzohen nga ky dialog poetik ndërkulturor.

ObserverKult






