Gratë nga gjithë Maqedonia e Veriut në fushatë vullnetare për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit (video)

Në prag të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një grup grash nga qytete të ndryshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut u bashkuan në një fushatë kreative, me qëllim ngritjen e vetëdijes për kontrolle të rregullta shëndetësore, si një nga mënyrat më efektive për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

Ky projekt u ideua nga kanali Luaj derën me tekst të shkruar nga Xhemazije Rizvani, ndërsa kamera dhe montazha u realizuan nga Fitim Marovci. Fushata u zhvillua pa asnjë mbështetje materiale, si një nismë plotësisht vullnetare, që bashkoi aktore, profesioniste të fushave të ndryshme dhe gra që kanë përjetuar nga afër betejën me kancerin e gjirit.

Mbështetja për realizimin erdhi nga: Teatri Shqiptar i Shkupit nën drejtimin e Ismet Ramadanit, Teatri i Tetovës me drejtues Hasim Memishi Sopi, Fakulteti i Arteve me dekan Senad Abdulin, si dhe nga studio Da Lee Entertentmain
Në këtë projekt morën pjesë: Antigona Seferi, Iba Laçi, Florinda Muhaxhiri dhe Melihate Etemi – profesoresha, Besarta Murtezani – soprano,
Arta Sefadini – mjeke, Xhemazije Rizvani dhe Anita Latifi – gazetare.
Aktoret profesioniste që dhanë fytyrën e tyre për këtë nismë ishin: Vjollca B. Hamiti, Teuta A. Jegeni, Amernis Nokshiqi, Sara Bajrami, Sabina Memishi, Sheqerie Iljazi, Arta Zejneli dhe Linda Shabani.
Në mesin e pjesëmarrëseve ishte edhe Trëndelina Deari, sociologe. Një pjesë e këtyre grave janë viktima të kancerit të gjirit, të cilat përmes pjesëmarrjes në këtë fushatë dhanë një mesazh fuqie, guximi dhe shprese për të gjitha gratë që përballen me të njëjtën sëmundje.
Përmes kësaj iniciative, organizatorët synojnë të përcjellin mesazhin se zbulimi i hershëm shpëton jetë dhe se kujdesi ndaj vetes është akt dashurie dhe force.

ObserverKult


Lexo edhe: