
Nga: Agron Gërguri
Një rrëfim romanesk që trajton estetikisht “saktësinë e pasaktësisë” dhe prek mendjen e fjetur mbi kujtesë. Lëvizjet nëpër kohë atje këtu, mendim, emocion, ndjenjë reagim lojë – përjetim si një minierë e shkrimit me begati mineralesh që janë fjalë, shprehje të kuptueshme që të bëjnë prezent edhe aty ku nuk je sepse autori nganjëherë nuk të lë t’i hysh në rrëfim nga xhelozia dhe egoizmi. Ai lëviz nëpër ngjarje duke shpërfaqë një kulturë jete ngërthyer me kulturën e leximit si një pasuri letrare të cilën e shndërron në materie romani duke e afirmuar jetën bukulike si nivel qytetrimi i tradicionales të cilën e nxjerr nga kujtesa. Romani “Saga e Lepajve” mund të përkufizohet si “neorealizëm eseistik” bazuar në dokumentaritet të “projektuar” përplot më figuracione që bëhen mesazhe.
“Kalërimin” letrar nga ngjarja në ngjarje nga një vend në tjetrin e bënë pa e humbur rrjedhën e rrëfimit në rrafshin emocional, duke e dilematizuar saktësinë e ambalazhuar me pasaktësi si formulim estetikë që kap universalen si kuptim përtejletrar duke mbledh nostalgjitë e lexuesit në bazenin e shterrur të kujtesës. Emrat autorëve të njohur i përdor si kode për leximin e situatave të përbotshme dhe identifikimin e të ndodhurave të ngjashme krahasimisht me secilin lexues.
Kapërcime xhojsane dhe “bashkëbisedimi” me lexuesin
Nga demonstratat e vitit 1968 tek gjykatësi i cili me frymën e ligjit dënonte edhe gomën e traktorit që ka shkel në përpeq. Kapërcime që rrëfimin e përdorin rrugë nëpër të cilën kalon imagjinata dhe lë shenjë përtejletrare.
Fillimin ekspresiv e të begat me veprime e dinamikë që kërkon kondicion të lexuesit nuk e përcjell fundi i cili kur shterret pastaj reciklon sekuencat në një betejë me demencen e lexuesit.
Rrëfimet e përsëritura me ndryshime të stilit “Nuk ishte bash ashtu siç ju thash”, “nuk” e pasurojnë rrëfimin aq sa duket se autori e dëshiron.
Personazhet e romanit janë marioneta të cilët i lëvizë në kohë pa ndonjë pengesë edhe pse nganjëherë të duket se orën të cilën e kurdis sot ajo ka cingërruar më herët, e rëndësishme është se jehona të zgjon.
Gjuha përkatësisht dialekti i romanit është në funksion të trashëgimisë gjuhësore si pasuri letrare të cilën e lëron autori. Lutfiu të gjitha i vë në funksion të mesazhit (lexo selamit) që do ta përcjell edhe pse nganjëherë edhe vetë i kundërvihet atij mesazhi. Pra romani “Saga e Lepajve” nuk të lë vetë ta lexosh, por është lexim reciprok, ku lexuesi gjen te vetja diçka të ndrydhur të cilën e nxjerr në shqyrtim si vlerë të mospajtimit dhe dyshimit deri te e pathëna në dashuri si një përjetim i veçant që nis me dëshira seksuale të cilat me ëndje i tregon dhe është krejt e parëndësishme janë të vërteta apo jo duke e vërtetuar thënien se rrëfimi në roman është më i vërtetë se e vërteta jetësore që ka mund të jetë motiv i romanit.
Lutfiu e nget kalin Rosinant të Don Kishotit
Që në hyrje autori jep lirinë e të kuptuarit ndryshe të asaj që autori ka dashur të thotë për ta lënë mundësinë e “vrasjes” së rrëfimit real me fantazinë e lirë si diçka që nuk e dijmë çka është por na përshkon në vete si një mendim i parehatuem por gjithë i freskët në lodhjen e tij si kali Rosinant i Don Kishotit. Autori në esenë hyrëse si një preambulë e sagës e tund ngjarjen me gjendje e situata të cilat i vendos e zhvendos derisa sa lexuesit t’i bie tamam, pastaj e gjuan figurën herë larg që ta shumëkuptimësoj siç e do arti i fjalës me të cilin ai bënë biopsinë e jetës duke e diagnostifikuar si një sëmundje të pashërueshme dëshirash si një orgazëm herë larg aktit pasi që është hangër pitja. Në lexim/perceptim të dërgon deri aty ku takohen absurdi dhe ekzistencializmi duke e pasur gjithëherë seriozitetin si yrrnek joserioz si provë jetëngutjeje e cila në shkrimtarin e tij fermentohet në kuptim jo dogmatik dhe stampohet si pikëpyetje a thua a i kanë mjaftuar 13 mullinj që të bluajë fjalët e duhura me të cilat e shkruan sagën e Lepajve dhe e “paragjykon” reagimin kritik të lexuesit.
“Marrja e fermentit biopsik del e zbërthyer lehtë dhe që të gjitha e paraqesin apriori rezultatin që do të vijë nga laboratori i lexuesit”. Andaj “rezultati del një diagnozë që jeton bashkë me bashkëjetesën jetë-art, por me anim kah triumfi i së mirës ndaj së keqes, i të vdekshmës kah e pavdekshmja”
Rrëfimi që shkon larg e kthehet tek vetja
Kudo e kahdo që niset me rrëfimin ai mbërrin te vetja, përvoja e tij, tek dashuria të cilës trimërisht nuk guxon me ia përmemd emrin derisa shtratin po. Në secilën dilemë apo kthesë jete ai e thërret dajën Ismet që t’ia vizatoj maketen e veprimit në jetë, e i cili asnjëherë nuk harron t’ia shkruaj busullën përkujtuese se çka e si duhet bërë diçka kur nuk bënë asgjë.
Zhdërvjelltësia zhbiriluese përmes të cilës fjalën e dërgon deri në altarin e të vërtetës e cila nuk është e tillë por krijohet në vullnetin e autorit dhe kalon nëpër buzëqeshjen lexuesit duke prek diçka të vlefshme tek fëmijëria të cilën e gjen brenda nesh duke thirrë për ndihmë kur takohet me pyetjen: “Çka o kah bahet me neve?”. Në një përlamje të s’djeshmes me të sotmen e vërteta mbetet spektator i nemitur derisa ti, unë, ai secili që e lexon “Sagën e Lepajëve” ndihet pak Lepaj pak autor pak i rifreskuar nga moderniteti i pakuptimit i cili po e digjitalizon njeriun dhe e mohon shpirtin duke e plastifikuar puthjen e dashurinë dhe ndjen nevojë të kthehesh në origjinë për ta kuptuar kush je, nëse jo në jetë s’paku në letërsi. “Saga e Lepajve” është një endje nëpër vehte ku takon të kaluarën si të ardhme apo thjeshtë si një thirrje për ta natyralizuar jetën e cila është virtualizuar.
Leximi si përjetim i të pajetuares!
Duke ndjekur idenë autori gjatë rrëfimit, observon situata sociale, psikologjike që sedimentohen si përvojë jetësore deri në filozofi. Në këtë rrugë “takohet” edhe me Frojdin dhe komplekset e (pa)provuara seksuale, si mundësi e pamundur por si një shqetësim i bukur që të dërgon atje prej ku ka ik njeriu.
Romani “Saga e Lepajve” është prej atyre romaneve që bashkëbisedon me lexuesin duke e “provokuar” atë që t’i mbush margjinat e librit si një formë e dialogimit kreativ diaobolik me autorin.
Leximi i romanit “Saga e Lepajve” mund t’ju dërgojë edhe në horizonte tjera kuptime e keqkuptime, shqetësime e rehatime, rrugë të ngatërruara e realitete të papërjetuara si përjetim i dëshiruar. Lexojeni!
ObserverKult
—————
Lexo edhe:





