
Nga Blerim Valla
Mitingu tradicional i poezisë në Gjakovë, i 61-ti me radhë këtë vit do të mbahët vetëm një ditë dhe atë të premten më 21 nëntor.
Ky edicion do të vjen me program të reduktuar në masë të madhe. Pra më i varfër për afër 90 % të aktiviteteve të tija letrare siç janë mbajtur më herët. Kështu këtë vit nuk do të ndahen tri çmimet letrare si “Çmimi Din Mehmeti” për veprën më të mirë poetike të vitit, pastaj “Çmimi Teki Dërvishi” për veprën më të mirë të vitit në prozë, as “Çmimi Yllka Domi” që i ndahet poteshës më të mirë të re pjesëmarrëse e mitingut, sikurse as “Çmimi Ndërkombëtar Nëna Terezë” që i ndahet poetit më të mirë të huaj që merr pjesë në këtë manifestim letrar!
Të premten, më 21 nëntor në Mitingun e 61-të, të Poezisë do të ndahet vetëm “Çmimi Ali Podrimja” për poezinë më të mirë të lexuar gjatë Orës Letrare e ku do të lexojnë vetëm një numër i zgjedhur poetësh vendor.
Mitingu i sivjetëm do të jetë i varfër edhe me mospjesëmarrjen të asnjë poeti të njohur shqiptar jashtë Kosovës e lërë më të atyre të huaj si mysafirë, siç kanë marrë pjesë për shumë vite më parë!
Dhe krejt kjo për shkak të mospërkrahjes financiare nga ana e atyre që janë të thirrur ta bëjnë këtë!
Vërtetë e dhimbshme dhe për keqardhje ky veprim me të cilin është lënë në mëshirën e fatit festivali i njohur poetik, si Mitingu i Poezisë në Gjakovë. Sikurse edhe institucioni më i njohur letrar shqiptar, si Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës prej të cilit kanë dalur poetët, shkrimtarët, kritikët letrar … më të njohur jo vetëm të Kosovës por edhe mbarëshqiptarë si Ali Podrimja, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Besim Bokshi, Teki Dervishi, Agim Gjakova, Murteza Nura, Fahredin Gunga, Rexhep Hoxha, Ali Musaj, Flora Brovina, Ali Olloni, Sefedin Fetiu, Kadrush Radogoshi, Halil Haxhosaj, Agim Deva, Mazllum Saneja, etj.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur shkrimtari Muharrem Kurti, kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, që është edhe organizatori kryesor Mitingut të Poezisë. Kurti në emër të kryesisë së klubit letrar të Gjakovës, ka thënë se përkundër mungesës së mbështetjës financiare, organizimin e këtij manifestimi i cili i mbijetoi 60 viteve, do të vazhdojë edhe këte vit por me shkurtime të mëdha të aktiviteteve dhe mosndarjen e çmimeve tradicionale, si dhe me mungesa të shumë poetëve nga Shqipëria dhe të huaj. “Njoftojmë publikun artëdashës letrar, se do të shënohet Mitingu i Poezisë, i 61 me radhë, edhe pse këtë vit patëm refuzim të projektit tonë konkurues në institucionet përkatëse kulturore, falë përpjekjeve të mëdha të shkrimtarit të njohur Jusuf Buxhovi (njëri nga themeluesit dhe pjesëmarrësit e gjallë sot të mitingut të parë këtu e 61 – vite më parë), për ta mbajtur patjetër këtë edicion të 61- të, si edhe falë përkrahjes simbolike të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, vetëm për të mos e humbur traditën 61 – vjeçare, po e mbajmë mitingun e poezisë edhe këtë vit, ndonëse me program të shkurtuar dhe në mënyrë krejtësisht vullnetare të kryesisë dhe anëtarëve të klubit letrar”, u shpreh Kurti!
Me këtë rast kryetari i Klubit Letrar në Gjakovë, Muharrem Kurti, ka shpalosur edhe programin një ditor të edicionit të sivjetëm, të 61 – të të Mitingut tradicional të poezisë në Gjakovë, i cili do të mbahët të premten më 21 nëntor, në Bibliotekën “Ibrahim Rugova” të Gjakovës.
Programi: me fillim nga ora 12.00
-Tribuna letrare : “Letërsia, pasqyrim i kohës moderne”.
-Promovimi i librit më të ri: “Udhëtimi në kohë” i shkrimtarit Jusuf Buxhovi.
-Ora letrare : me poezitë garuese të pjesëmarrësve,
-Ndarja e Çmimit “Ali Podrimja” : për poezinë më të mirë të lexuar gjatë mitingut.
ObserverKult

Lexo edhe:
EDICIONI I TRETË I FESTIVALIT TË TEATRIT SHQIPTAR “MOISIU” MBAHET NË PRISHTINË






