

Nga Ditar Kabashi
Në edicionin e 28-të të Panairit të Librit në Tiranë (nëntor 2025) bleva edhe librin “Kafene Monaliza” të shkrimtarit dhe përkthyesit Astrit Hykaj, botuar së fundmi nga Shtëpia Botuese “Mediaprint”.
Personazhi kryesor është Mentori. I diplomuar për aktrim, i kredhur në varfëri, i përzënë nga dhoma e konviktit në Qytetin Studenti, fill pas diplomimit, duke e gjetur veten të strehuar në një kthinë kafeneje.
Si e rënë nga qielli, mundësia për të zotëruar një kafene i dha elan Mentorit. Pas orvatjeve të pasuksesshme për të gjetur angazhim si aktor teatri, mbikëqyrja e një kafeneje të gatshme, të cilën do t’ia bartte pronari që planifikonte ikjen jashtë vendit, iu duk si lotari. Kuptohet, jo pa druajtjen për suksesin e këtij misioni të ri.
Shëmbëllimi artistik që Mentori i përvijoi kafenesë u shfaq që në ditët e para: ca ndryshime në inventar dhe tabela me mbishkrimin “Kafene Monaliza”, bashkë me një kornizë të metaltë me portretin klasik të kryeveprës së da Vinçit aty pranë, për t’u rënë në sy kalimtarëve në lagjen qendrore të Tiranës, afër kalasë.
Personazhet e tjera shquhen fare lehtë. Bona, Bardha, Tofiku, Vini, Bujari, Luani, Caja… Këta ose punojnë me paga aq të ulëta sa me zor mbijetojnë, ose kanë mendjen të martohen me dikë të huaj larg Shqipërisë, ose bëjnë transaksione të paligjshme, ose punojnë në punë të shtetit dhe gjatë natës detyrohen të bëjnë një punë të dytë në një kafene të vogël… Gjithsecili (ende) është pjesë e përditshmërisë shqiptare.
Mentori nuk dëshiron të heqë dorë nga arti; por rrethanat nuk i hapin shteg për ta ushtruar atë, si një mallkim i heshtur që rëndon mbi një brez të tërë, të kualifikuar për profesione, por të privuar nga mundësia për t’u përmbushur nëpërmjet tyre.
Struktura e veprës ruan koherencën e rrëfimit. E ndarë në njëzet e katër krerë, ajo ndjek një kronologji lineare të ngjarjeve, pa kalime kohore a hapësinore që mund të shpërqendrojnë lexuesin. I shkruar me kujdes të matur, pa detaje rënduese dhe dialogë bosh, rrëfimi nuk shkëputet për asnjë çast nga thelbi i vet. Nga përshkrimet skenike spikat formimi dramaturgjik i autorit.
Në aspektin teknik, libri është realizuar mjaft mirë, si në kopertinë dhe faqosje, ashtu edhe në cilësinë e letrës.
Sfidat e të riut shqiptar, nga nevojat më themelore të ekzistencës e deri te kërkesa për (vetë)vlerësim, denoncohen në këtë libër me ton letrar, aq sa Piramida e Maslow-it gjen mishërim në realitetin e fanitur të së ardhmes në atdhe.
Si lexues, nuk mund të mos pyes: Mos ndoshta, për të jetuar me dinjitet, sot e tutje çdo i ri duhet të përfundojë specialist i IT-së? Po arti dhe artistët? Për ta, siç duket, mbetet të gjejnë nga një “Kafene Monaliza”.
ObserverKult
Lexo edhe:






