
(Metafizika e thënies shqipe dhe dora e Zotit e Mikelanxhelos)
Nga Ismail Syla
I. E dhana e zotit
Bukuria gjuhësore e togfjalëshit “E dhana e Zotit”, qëndron tek formulimi me folje të emërzuar – e dhana – (pjesore e substantivuar) trajtë morfologjike e ngrirë, pa kohë të caktuar që shënjon rezultatin e një akti absolut dhënieje duke mos thënë kur e dha e si e dha atë gjë kategoria supreme ideale, Zoti. Vetë gjuha e lë dhënien mister, pa dëshmitarë.
Zoti në këtë thënie është burim absolut. Nuk jepet diçka nga Zoti, por “e Zotit”, jo thjesht diçka materiale, pronë, por e dhënë nga burimi hyjnor. Po të ishte nga Zoti, e dhëna do të ishte diçka lëndore, e ndarë, gjësend, dhuratë. E dhana e Zotit është pjesë integrale e vetë zotit, frymë ideale, energji ndikuese për atë njeri që përcaktohet ajo frymë.
Në mendësinë popullore shqiptare Zoti nuk e shpërndan frymën e tij njësoj. Prandaj dhënia nuk është meritë, dhuntia është fat i pabarabartë. Si e tillë, “E dhana e Zotit” nuk mësohet, nuk blihet e as nuk shitet. Ana më misterioze e shprehjes qëndron në faktin ajo nuk është bekim i pastër. Për gjeniun anonim – të bekuar nga e dhëna – dhuntia sjell shqetësim, mendja të mprehtë që nuk fle rehat.
“E dhana e Zotit” nënkupton vetëdijen për pasojat nga marrësi, i cili, nëse e shpërdoron, bën faj, nëse e fsheh- bie në mëkat. Prandaj dhuntia lidhet përpos me ndërgjegjen edhe me përulësinë dhe frikën e shenjtë.
Bukuria e heshtur e fjalës që askush nuk e kundërshton, qëndron tek e vërteta që askush nuk thotë: e dhana e njeriut, e dhana e fatit e dhana e rastit, po vetëm e dhana e Zotit, sepse shprehja e mbyll diskutimin, e ndal xhelozinë, e qetëson krahasimin. E dhana është akt i mbyllur nga lart dhe vjen si fat, si predispozitë, si barrë e pashmangshme për subjektin. Ai e mban dhuntinë edhe kur fle, edhe kur ikën, edhe kur e mohon. E dhana nuk është më çast, por bëhet gjendje.
II. Prekja e zotit
Në pikturën e Mikelanxhelos “Krijimi i Adamit” nuk është në fokus krijimi i trupit, por çast i pezullt i dhuntisë, pragu ku njeriu mund të bëhet njeri. Gishti i Zotit nuk prek plotësisht. Gishti i Adamit nuk shtrihet tërësisht. Midis dy gishtave mbetet një hapësirë e vogël, jo boshllëk, por hapësirë zgjedhjeje. Ky është thelbi i të dhanës së Zotit: Zoti nuk jep duke e mbyllur distancën por duke e ruajtur. Në dukje, dora e Adamit është e butë, paksa e lodhur, gati indiferente dhe nuk e di ende çfarë po i ofrohet nga dora që iu afrua. Kjo dorë është simbol i njerëzimit të ardhshëm, gjithmonë pak më larg përgjegjësisë sesa mundësisë. Pra, njeriu fillimisht nuk e kupton dhuntinë, por atë e merr si diçka të vetëkuptueshme.
Në pikturën e Mikelanxhelos nuk ndodh prekja sepse po të ndodhte, gjithçka do të ishte e përfunduar. Zoti nuk e imponon frymën. Ai e afron, aq sa njeriu ta ndjejë, sepse dhuntia nuk është dorëzim po ftesë e heshtur. Adami nuk është ende njeri i plotë, sepse ende nuk ka zgjedhur. Ai si trup është i përkryer fizikisht, por si qenie është në pritje të marrjes së kuptimit. Në pikturë Dora e Zotit është e tensionuar, por jo e ashpër. Ajo është metaforë e forcës pa dhunë. Në të ka autoritet, por jo imponim. Kjo dorë nuk sundon, por ia lë barrën tjetrit. Në këtë gjest, Zoti heq dorë nga gjithëfuqia absolute, për të krijuar një qenie që po deshi, ka mundësi edhe ta refuzojë. Kjo është sakrifica e parë hyjnore – t’i japësh liri asaj/atij që po krijon.
Dora hyjnore vjen e tendosur, e mbushur me qëllim, si fjala para se të thuhet. Ajo e di se ku po shkon. Nuk endet. Nuk dyshon. Ndërsa dora e njeriut rri e rëndë, pothuaj e lodhur, si trup që sapo po zgjohet me vetëdije. Ai nuk shtrëngon. Ai pret… e pikërisht në këtë pritje banon dhuntia.
Në hapësirën mes gishtave, dhuntia është ende e pastër. Ende pa biografi. Ende pa dështim. Ajo distancë e padukshme, është aq e vogël sa të mashtrojë syrin, aq e thellë sa të mbajë gjithë metafizikën e dhuntisë. Aty, Zoti nuk prek, ndalet. Dhe në këtë ndalesë, njeriu bëhet përgjegjës.
Në atë hapësirë të vogël altari i vërtetë i kësaj pikture është intervali mes gishtave. Nuk është as qielli, as trupi. Aty lind ndërgjegjja, fajësia, krijimtaria, mëkati, lutja. Pra, pa këtë boshllëk, njeriu do të ishte makinë e shenjtë. Me këtë boshllëk, ai bëhet qenie tragjike dhe krijuese.
Si e tillë, e dhana e Zotit nuk është dhuratë, por barrë. Kjo pikturë nuk flet për privilegjin e të qenit krijesë, por për peshën e të qenit i lirë. Zoti nuk i jep Adamit rehati, por mundësinë për të gabuar, për të krijuar, për të rënë. Kjo është dhuntia më e rëndë: të jetosh pa justifikim hyjnor për çdo zgjedhje që bën ose ke bërë në një moment të caktuar.
III. Distanca – interval hyjnor
Kjo është arsyeja pse njerëzit e prekur nga ai bekim shpesh duken të vetmuar. Ata jetojnë gjithmonë pak para ose pak pas të tjerëve, sepse janë prekur nga diçka që nuk përkthehet plotësisht në fjalë. Ata janë dëshmitarë të asaj hapësire që shumica nuk e shohin.
Zoti ndalet pikërisht aty ku fillon liria njerëzore. Ai nuk e shtyn gishtin përtej, sepse dhuntia pa liri do të ishte dhunë. Prandaj, njeriu duhet të ngrejë dorën vetë, edhe pse nuk e di çfarë po merr. Në këtë kuptim, dhuntia është rrezik i shenjtë. Kush e mban, nuk jeton më si të tjerët. Ai sheh më shumë se ç’ duhet, ndjen më thellë se ç’i leverdis, digjet nga brenda nga një zjarr që nuk e ndezi vetë.
Në fund, prekja nuk ndodh kurrë plotësisht. Ajo mbetet gjithmonë pak e papërfunduar, që njeriu të mos e harrojë se burimi nuk është i tij. Dhe kështu, gjithë jeta bëhet përpjekje për ta nderuar ata milimetra mes gishtave, vendin ku Zoti u afrua, por edhe la përgjegjësinë.
Në atë distancë lind përgjegjësia, mëkati dhe shëlbimi. E dhana e Zotit nuk është prekja. Është mos-prekja që njeriun e detyron të veprojë dhe sillet në rrugën e fatit jetësor, qoftë në përpjekje të suksesshme, qoftë në dështime, zhgënjime, ndëshkime.
Prekja, përkundrazi, është akt i hapur: ajo ndodh në kufi, në dridhje, në gjendjen pezull. Zoti nuk e shtyp trupin e njeriut me të, por ai afrohet deri në pikën ku përgjegjësia fillon. Prekja ka kohë, është çast, është ndalim, është vendim.
E dhana e Zotit është ajo që njeriut i bie hise në jetë pa u pyetur. Prekja e Zotit është ajo që ndodh vetëm nëse guxon të ndjehet. Njëra jep, tjetra zgjon.
IV. Përkufizim përfundimtar teoriko-poetik
Duart e zgjatura në pikturë janë metafora me përkryer e dhuntisë, sepse tregon tri të vërteta njëherësh: dhuntia nuk fitohet (vjen nga Zoti), nuk merret me zor (ka hapësirë) dhe se dhuntia kërkon përgjigje njerëzore (dora duhet të ngrihet).
Prandaj, dhuntia është çasti kur dora e Zotit ndalet pak para njeriut, dhe njeriu mbetet përgjithmonë përgjegjës për atë që mund të kishte prekur. Përfundimisht, dhuntia është një dritë që nuk e ndriçon rrugën, por e zbulon errësirën që duhet të përballohet.
Shënim
Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe janë përfshirë dy shprehjet sinonimike, DHUNTI dhe DHURËTI. Në fakt as njëra as tjetra nuk e bartin kuptimin themelor të dhënies. Midis dyjave, shprehja më autentike do të ishte DHANTIA.
Prishtinë, 24 dhjetor 2025
ObserverKult

Lexo edhe:






