Pikturat që u frymëzuan nga romanet e Kadaresë/Ekspozitë dhe album për 90-vjetorin e Ismail Kadaresë

Albumi “Kadare në Artet Figurative – 100 imazhe”, dokumenton ndikimin e veprës letrare të Ismail Kadaresë në artin pamor shqiptar nga periudha e pasluftës deri në vitin 2025. Letërsia  e Kadaresë u shndërrua në një formë të heshtur rezistence gjatë komunizmit dhe në një burim frymëzimi në dekadat pasuese.

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, UET Press përuron albumin dhe ekspozitën “Kadare në Artet Figurative – 100 imazhe”, në ambientet e COD (Center for Openness and Dialogue) në Tiranë, ditën e mërkurë (sot), 28 janar.

Aktiviteti bashkon letërsinë, pikturën dhe reflektimin kulturor në një dialog të përbashkët. Në ceremoninë do të jetë e pranishme edhe bashkëshortja e shkrimtarit, shkrimtarja Helena Kadare.
Albumi me parathënie nga Prof. Asoc. Dr. Ermir Nika dhe nën kurimin e Prof. Asoc. Dr. Abaz Hado, dokumenton në mënyrë studimore ndikimin e veprës letrare të Ismail Kadaresë në artin pamor shqiptar nga periudha e pasluftës deri në vitin 2025.
Ky është albumi i dytë në kuadër të projektit “Kadare në Artet Figurative”, pas botimit “100 Portrete”, të cilin UET Press e solli vitin e kaluar me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar.

ObserverKult


Lexo edhe:

Si sot, 90 vjet më parë, lindi shkrimtari i njohur, Ismail Kadare