
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Akile Tasi (1891-30 janar 1961).
Tasi lindi më 1891 në Leusë të Përmetit. Arsimin e mori në vendlindje dhe e përfundoi në Boston të SHBA, ku bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën në federatën “Vatra”. Emri i tij lidhet edhe me gazetën “Dielli”.
Akile Tasi u kthye në Shqipëri më 1929. Për disa vite organizoi bibliotekën e Oborrit Mbretëror. Më 1932 u emërua drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe e drejtoi këtë institucion deri në vitin 1941.
U zgjodh deputet në Kuvendin Kombëtar në vitin 1943 dhe u caktua drejtues i gazetës “Bashkimit i Kombit”. Më 1944 u emërua Ministër i Kulturës Popullore.
Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Në dhjetor 1944 u arrestua nga partizanët dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie nga famëkeqi Gjyqi Special. Dënimin e vuajti në kampin e Maliqit, Vloçishtit, Bedenit, si dhe në burgun e Burrelit.
Teksa vuante nga një gjendje e rëndë shëndetësore, atij iu refuzua çdo lutje me shkrim drejtuar autoriteteve. U nda nga jeta më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:






