Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare”

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është miratuar fjalësi përfundimtar i projektit “Enciklopedia shqiptare”.

Me këtë miratim u përmbyll procesi i hartimit të fjalësit të “Enciklopedisë shqiptare”, për të kaluar në fazën e përcaktimit të madhësisë së artikujve e të autoreve deri në fund të marsit e pas kësaj fillon shkrimi i artikujve. Gjatë kësaj kohe, do të evidentohen dublimet në fjalës dhe do të sistemohet alfabetikisht e tërë lënda.

Miratimi u bë në mbledhjen e përbashkët, në Tiranë, mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Kryetarët e akademive, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja, falënderuan redaktoret e redaksive Tiranë-Prishtinë për bashkëpunimin, përgatitjen e takimit, dhe përgatitjen e materialeve përcjellëse.

Në takim ishin të pranishëm akad. Shaban Sinani, akad. Marenglen Verli, akad. Dhimitër Haxhimihali, akad. Sabri Hamiti, akad. Fejzulla Krasniqi, akad. Jusuf Bajraktari, prof. dr. Ajula Jubani, prof. dr. Valbona Toska, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike, Andreas Dushi dhe koordinatoret Drisela Diamanti e Enkelejda Misha.

Akad. Skënder Gjinushi u shpreh se materiali ishte përgatitur në zbatim të detyrave e rekomandimeve të përcaktuara nga redaksia qendrore në dy mbledhjet e mëparshme për paraqitjen dhe shqyrtimi e fjalësve përfundimtarë./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Akile Tasi, intelektuali i shquar që u nda nga jeta në burgun e regjimit komunist