
Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Ismail Syla.
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
-Tregimi në librin e leximit të dh kollës fillore për njeriun e ulur mbi gurin e ftohtë, nën të cilin qëndronte gjarpri, është momenti kur tek unë lëviz magma e letërsisë dhe mekanizmi i të menduarit në mënyre filozofike, sipas kalendarit të moshës së fëmijërisë. Kur gjarpri i kërkon gurit që të lëviz pak që ta kafshojë njeriun, guri i thotë të mos brengoset, se ai do ta kafshojë edhe më rëndë, më ngadalë, me të ftohtin e tij, më keq se ai më dhëmbë të helmuar. Nga këtu tek unë hapet perdja, zbulohet bota letrare, metafora, personifikimi nga njëra anë, por ndodh edhe e krisura e dellit meditativ, për mënyrën e dytë, metafizike të kafshimit të njeriut. Edhe guri kafshon.
Ilustrimet, mjegulla, dorëzimi i foshnjës ujkut nga ana e prindit, si kusht i mbajtjes së besës në librin e Rexhep Hoxhës “Lugjet e verdha” më kanë bërë që ta qaja me lot këtë roman për fëmijë. Ndërsa përrallat e rrëfyera nga babai ende mbajnë në kujtesë gjeografinë e fëmijërisë, ato visore e relieve ku lëvizin personazhe, kafshë, njerëz dhe ngjarje me bukuri të pa zbehur.
Po ashtu, në fëmijëri kam përjetuar shpirtërisht katarzën më tronditëse në jetë, pa e ditur këtë nocion aristotelian. Drama “Halili dhe Hajrija” e shfaqur në korridorin e shkollës katërvjeçare në fshat nga “artistët” e rritur, amatorë, ku rolin e Halilit e luante një i afërm imi, më krijoi një ndjesi shokante, kur “vritet” në skenë. Pas shfaqjes, për mua ai ishte i “prerë” në qafë, dhe brenda mendjes sime kisha derdhur lotët e padukshëm për “vdekjen” e tij.
Kur ratë në “grackën” e saj?
-Që në fëmijëri jam ushqyer me dy burime të literaturës letrare, me librat e bibliotekës së Komoranit, magjike, me rafte ku kishte disa ekzemplarë për çdo njërën prej tyre dhe ato që po rriteshin çdo ditë në shtëpinë tonë, nga vëllai nëntë vjet më i madh se unë, Ganiu, arsimtar, i cili blinte sistematikisht libra e libra. Nga biblioteka e Komoranit në mendje më është thadruar romani “Për mëmëdhenë” i Thoma Kacorit, me temë të luftës së komitëve shqiptarë (Stefan Bardhi) kundër sundimit otoman. Më vonë më ka rënë të hyjë në bibliotekën mbretërore në Stokholm të Suedisë, në të famshmen “British Library” në Londër, por hormonin e gëzimit dhe ndjenjën e nostalgjisë për bibliotekën e parë nuk mund ta provokojë asnjë ngacmim substance tjetër, nuk mund të rishkruhet në asnjë palimpsest dhe të retushohet efekti i imazhit të risisë së pastër, të absolute novelty- së.
Vit pas viti, lexim pas leximi vjen çasti kur në ndërgjegjen time të rinisë së hershme arrij ta kuptoj dhe të më pëlqej monotonia e romanit legjendar të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pastaj “Tregimet e Jugut” e më radhë. Në shkollë të mesme koha ime ndahej në dy pjesë, varësisht nga orari. Pasdite, pas mësimit, lexim i pasionuar i letërsisë deri në orët e vona të natës. Paradite, përgatitje për orët shkollore. Që nga viti 1972 kam rënë keq në grackën e letërsisë. Çdo libër që më dilte përpara e lexoja. Bota letrare ishte bota ime dytë. Nuk mund ta merrja me mend që duhet jetuar e të mos kesh lexuar shkrimtarë shqiptarë, shkrimtarë botërorë, të mos dish për baladat, legjendat popullore, të mos dish librat themelorë të letërsisë dhe mitologjisë antike greke.
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
-Një lloj gacash dhe prushi letrar në kokën time qenë ndezur që në vitet fillestare të shkollës. Ishin më shumë përfytyrime frymëzuese që nuk gjenin gjuhë shprehëse. Gjithçka ftohej para ndonjë fletoreje. Dy momente të paharruara të fëmijërisë janë poezia “Mulliri” e botuar në “Rilindje për fëmijë” në klasën e gjashtë dhe “Liria” e botuar në revistën “Zëri i rinisë”, në muajt e verës, një vit më vonë. Të dy të dërguara me postë. Pa intervenim. Gëzimi i botimit në “Zëri…” ishte i jashtëzakonshëm. Në fakt, gjatë stinës së verës kjo revistë dilte një herë në muaj. Ata muaj redaktor i poezisë kishte qenë Esad Mekuli. Si redaktor korrekt, ai kishte gjetur në zarf poezinë time dhe e kish botuar. Emri, mbiemri, klasa dhe emri i fshatit. Histori. Akoma edhe më dramatike. Pas një kohe më vjen në shtëpi një honorar mjaft dinjitoz.
Gjatë shkollës së mesme është periudha e leximit intensiv, e hartimeve shkollore të guximshme në tema e motive, por ende pa e gjetur zërin tim. Duke qenë pjesëtar i lëvizjes ilegale të asaj kohe (Grupi Marksist Leninist i Kosovës) kam shkruar dhe botuar poezi revolucionare për revistën “Liria”. Në librin “Këngët e lirisë” (Zvicër, 1980) kam të botuara 12 poezi, të cilat do t’i nënshkruaja edhe sot.
Gjatë studimit të letërsisë dhe gjuhës shqipe, 1979 -1982, është periudha e forcimit të aparatit teorik dhe aventura e interpretimit të letërsisë mbi një përgatitje aq sa kishim literaturë nëpër dorë. Kisha një fletore me lirika, të cilat i shkruaja në çaste të caktuara, por më shumë se ide, bëja ushtrime stilistike. Vrulli i leximit dhe studimit u ndërpre në kulm pas burgosjes në janar 1982. Edhe në burg leximin dhe krijimin nuk e kam pushuar. Një “libër” të tërë “Kur strehët pikojnë” e kam shkruar dhe mbajtur në mend deri pas daljes nga burgu i Pozharvcit, (Serbi).
Pas rënies së censurës komuniste në shtypin e Kosovës, 1990 e tutje, kam qenë i pranishëm në rubrikat letrare të Zërit, Rilindjes, Kosovares, Botës së Re dhe “Bujkut”. Më 1997 e botoj librin me ese “Duke kërkuar esencat” dhe atë me poezi “Tempulli i braktisur” 1998, që shpallet libri më i mirë për poezi në Mitingun e Poezisë në Gjakovë dhe libri i vitit nga Fondacioni Kulturor Kombëtar “Velija” në Tiranë.
A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
-Nëse nuk kam përgjigje shumëdimensionale, kam përgjigje autoriale. Shkruaj sepse prekjen e saj e quaj mallkim i bekuar. Një oksimoron, kundërthënie në mbiemër! Duke parë se çfarë kanë mortifikuar në germa, fjali, faqe, kapituj, libra e libra gjenitë e botës nuk ke si të mos trembesh se në çfarë zone perëndish ke hyrë. Sado që njerëzimi arrin shpikje teknologjike, sillet pështillet dhe dorëzohet në prehrin e gjenive letrarë. Olimpiada e Londrës më 2012 u hap me vargjet e Shekspirit. Prodhimet më të mira të kinematografisë kanë burim të pashtershëm mitologjinë e popujve klasikë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kulmimin e teknologjisë moderne, por nuk kanë Shekspirin e Anglisë, ata pushtojnë hapësirat nder galaktike me teleskopin “Hubble”, por nuk kanë në letërsi qartësinë e verbërisë së Homerit.
Unë shkruaj me bindjen se fuqia e fjalës është kryevepra e evolucionit miliona vjetësh. Një psherëtimë e njeriut, e shkruar dhe e zënë në kohë të duhur, është më e fuqishme se një bibliotekë librash e akademikëve të mykur në mediokritet dhe teknicitet të dijes mekanike. Një shprehje frazeologjie tronditë një shkollë teatri, po u përdor aty ku domethënia përçan trupin e vetvetes, krijon kuptime dytësore, dhe bashkohet organikisht me vetveten, duke mbyllur “plagët – varrët” e vetvetes . Shkruaj sepse çdo njeri me dhânti arti, ka obligim moral që gjuhës së ruajtur shekuj me radhë, të vetmes kryevepër kombëtare, të përpiqet që t’ia dhurojë kryeveprën, Iliadën shqiptare.
Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
-Janë dy fusha të pastra letrare që më bëjnë ta shfaq botën time të fikcionit :poezia dhe tregimi i shkurtër, dy fusha teorike, eseja dhe shqyrtimi kritik, si dhe shkrimet e diskursit publicistik, si reagim social politik. Krijuesit në mendje i ngjizen qeliza idesh, imazhe dhe shpërthime tjera të cilat kërkojnë të materializohen. Nga këto shkreptima disa janë që formën më të mirë e gjejnë në vargun lirik. Ka të tilla që nuk funksionojnë në poezi, por gjenden mirë në kostumin e prozës. Nga jeta, leximi, debati publik, nxitja dhe provokime tjera ka qeliza krijuese që zhvillohen në trajtesa të rigorozitetit teorik-shkencor por edhe lirisë së imagjinatës, frymës liberale, në ese, ose në qasje sintetizuese, si vlerësim kritik, shqyrtim, kumtesë e recensione praktike. Të gjitha këto nën zhanre dhe forma të shkrimit japin mundësi dhe spektër të gjerë për të shfaqur vëzhgime, vrojtime individuale, por edhe të qëndrueshme, universale, për të vënë në pah vlera, koncepte, ide dhe gjetje të arrira në të gjitha rrafshet e shprehjes së fjalës së shkruar.
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Në fushën e poezisë jam përpjekur që me sistem të ndërtoj vizionin tim për disa aspekte të ontologjisë sonë kombëtare. Tema e atdheut është shumë e lashtë dhe shumë lëruar e kultivuar në letërsi. Përmes shumicës së përmbledhjeve me poezi jam përpjekur t’i vë në pah tri dimensione të atdheut tim personal, tri profile poetike. Atdheun e pabërë. Atdheun heroik. Atdheun depresiv. Poezitë e mia ndjekin linjën e qortimit të thellë filozofik të atdheut, jo të përbuzjes, po të kritikës ndërgjegjësuese. Të kritikës me efekt emancipues. Atdheu i pabërë është ai i robërisë së gjatë. I Shqipërisë deri më 1912. I Kosovës deri më 1999. I varrosjes së heroit nën dritën e hënës dhe oshtimën e përroit. Pa protokoll shtetëror. Atdheu heroik është shtylla më e hollë e patriotizmit shqiptar. Heroizëm individual. Elegji nacionale. Përballja e Jasharëve të Prekazit është metafora më e fortë e flijimit individual. Vajtimi në sharki i tyre (solidarizimi post festum) është dergja jonë nacionale. Ndërkaq Atdheu depresiv, është profili i tretë, i vëllimshëm e i volumshëm. Plagët e thella, pasojat, mungesa e vetëdijes dhe shpërfillja e shpërdorimi i vlerave të lirisë. Korrupsioni në nivel nacional.
Në përmbledhjen “Libri i Epeve” me një ton satire jam përpjekur të vë në pah tri pozicione të qenësisë sonë kombëtare, fenomenet dobësuese Përkundjen, subjektin goditur nga dukuritë e tilla, Të Përkundurin, dhe armikun, sunduesin, poshtëruesin e e botës shqiptare Përkundësin. Në përmbledhjen “Libri i Tiranive (Toena, 2016) kam ngritur shtatë tirani: të robërisë, lirisë, bukurisë, vetmisë, zgjimit, paradokseve dhe të të lisit. Demonstrimi i fuqishëm i bukurisë së lirisë dhe i bukurisë së gruas shndërrohet në tirani. Robëria vetvetiu është tirania më e zezë. Në të gjitha librat me poezi është këndi i Atdheut. Një ditë mund ta bëj një antologji me këto poezi, vetëm duke i sistemuar në ciklin e heroikës, të depresives dhe n të pa arrirës, të pabërës. Ndërkaq gjithë dilemat filozofike jam munduar që t’i shtrojë dhe zgjidh përmes figurës mitologjike të Sfinksit.
Në shumicën e librave me poezi jam përpjekë ta estetizojë si pjesë arti botën e pasur të shprehjeve me frazeologji. Ka shprehja popullore më të fuqishme se duzina e duzina romane e drama (si psherëtima: oh, ma kalle barkun… – jo zemrën etj.). Ka fjalë të urta shqiptare më të pasura me mençuri rrezatuese se disa botime akademike sterile (Ati shpërthehet në gardh të ulët). Ka shprehje alegorike më “të thella” se termat letrarë si ajo, “a do zhguna, a doni basma” për këngë trimërie dhe këngë erotike. Ka anekdota domethënëse po aq sa gjuha universale ezopike, e kultivuar nga gjenitë e kombeve historike.
Në shumicën e librave jam përpjekur që ta kultivojë vargun i cili e përjashton rigorozitetin e metrikës klasike. Përpiqem që vargu të mbushet me kuptim, me rrjedhë sintakse e cila nuk dhunohet për hir të vargut, strofës dhe gjatësisë. Kur një varg nuk ka elementin estetik që të zgjon nga lodhja, rutina dhe monotonia e leximit, ai varg nuk ka inde artistike, është leksik. Kjo ka bërë që asnjë herë të mos e sakrifikojë zanoren flamur “ë” për hire të gjatësisë së vargut, përpos në trajtat e rregullta ku apostrofa është e domosdoshme (t’i them, etj.).
Në lëmin esesë jam duke krijuar një fjalor specifik, ku fjalët e përzgjedhura i nënshtrohen përkufizimeve dhe komenteve nga më të larmishmet, jashtë modeleve linguistike, jashtë kanuneve dhe ligjeve të linguistikës klasike. Në të do të përshij të gjitha fjalët e shqipes që rrezatojnë lirizëm, domethënie filozofike dhe bukuri të fshehura, me stil të lirë interpretimi.
Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-Sa herë njeriu gjen çastin dhe kthehet prapa vetes të shikojë si i ka punët me trashëgiminë e tij, besoj se gjen plotë zona djerrë, toka të zgavruara, terrene të pa mirëmbajtura, ndërtime të lodhura, ndryshk dhe rrënim. Nganjëherë duhet kthyer dhe riparuar diçka. Trashëgimia është arkipelag ishujsh, që nëse nuk kanë forcën e qëndrueshmërisë, në vend të ontologjisë kontinentale, i dorëzohen tretjes ujore. Ndërkaq, në projektet ende të papërfunduara, krijuesi ka mundësi ta ndiej cilësinë e materialeve me të cilat ngrit veprën sa mund të qëndrojnë në sistemin e vlerave kombëtare e më gjerë, duke krahasuar me aktualitetin, por edhe me krijimtarinë e vet, të nxjerrë në dritë. Nxjerrjen në pah të estetikës së fjalëve shqipe e kam si objektiv përmbyllës në librat me lirikë, por edhe me ese.
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
-Çështja e frymëzimit, e muzës, e inspirimit është individuale për secilin krijues. Unë nuk besoj në shprehjet që përpiqen të lënë mbresë si “frymëzim hyjnore”, “vepër hyjnore”. Jo. Të gjitha kryeveprat janë hyjnore, jo që i frymëzon Hyji, por me harmoninë e arritur, thellësinë e prekur, formën e përsosur, përmbajtjen e mbushulluar i afrohen atij perceptimi që mendja njerëzore e idealizon Zotin, demiurgun, kryekrijuesin. Kulmi i përsosjes së mendjes, pendës, dorës, gishtave të artistit është hyjnorja e vetë njeriut.
Deri tek akti që të jenë në një vend frymëzimi, xixa e idesë, letra, lapsi, penda, peneli, vegla muzikore ka gjendje, raste e rrethane individuale. Çdo gjë varet nga struktura e personalitetit veç e veç të krijuesve. Por ka çaste kur kapaciteti gjenial dhe motivi i duhur e gjejnë njëri tjetrin. Shekspiri gjeti Hamletin, Servantesi Don Kishotin, Gëte Faustin, Xhojsi Leopold Blumin etj.
Në punën time krijuese i besoj qetësisë shpirtërore, xixës krijuese, që më shkakton lumturi, meditimit rreth asaj që shfaqet dhe punës pareshtur derisa ideja e re ta gjejë të thënmen në mënyrën më të mirë. Periudha disamujore e izolimit nga covid-19 për mua qe produktive, sepse ma dha mundësinë e leximit dhe vjeljes së të gjitha shprehjeve frazelogjike të fjalorëve që disponoja. Ishte kohë kur pashë një kozmos estetik të ndriçuar të fjalorit të gjuhës shqipe.
Sa jeni sistematik në të shkruar?
-Pjesërisht punoj me sistem, por shpesh jeta ndërhyn dhe shkakton tronditje tektonike. Vdesin projekte, shuhen qeliza të ndezura krijuese. Sikur ta kisha një regjistër automatik vetë-ruajtës, ngaqë ka raste kur vjen një xixë krijuese, dhe thua e mbaj mend, e nuk e shënoj. Ajo ik. Fillon pendesa dhe vuajtja për humbjen e saj. Çdo dembeli ndëshkon. Duke dëgjuar një fjalim, duke shikuar një film, duke marrë pjesë në një ceremoni, ndodh që të lindë një ese në miniaturë. Po nuk bëre skicim, humb, shkrihet, i vyshken petalet e magjepsjes. Magjia? Arratiset.
Në punën afatgjate, jo që nuk punoj me sistem, por ka shumë tarakatje jetësore që të nxjerrin nga punishtja letrare. Duhet shkuar në arën e mallkuar nga Zoti, për shkak të fajit biblik të Evës e Adamit, për ta punuar sipërfaqen e fortë me shat dhe djersë, për ta fituar bukën e gojës. Feta e thekur e bukës dhe tasi me lëng të kafes së zezë janë të shijshëm vetën në art, në film, në prozë, në pikturë. Në jetën e përditshme kanë shije tjetër. Stërpjekjen dhe hidhësinë.
Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
-Mirë që kjo pyetje është me nëntekst hipoteze. Në asnjë rrethanë nuk jam i penduar për një përcaktim tjetër në fusha tjera profesionale dhe shkencore. Si fushë shpirtërore, letërsia ka kapacitete pafund të përmbushjes. Ka fjalën e shkruar dhe ndjenjën. Për dallim nga preciziteti dhe thatësia teorike e gjuhës shkencore e filozofike, fjala letrare ka potencë verbale (fjalë, zë, shqiptim) energji ndjenjash (mbresë, zemër, rrëqethje, mornica) dhe rrumbullakime teorike (thellësi refleksive, meditim filozofik). Në kuptimin praktik, përpos dijes sistematike të historisë së letërsisë, teorisë së letërsisë, estetikës, shkruarjes në gjinitë e saj ku kam prirje, me dëshirë, paralelisht, do ta studioja edhe filozofinë, si kryezonjë e dijes dhe përmbledhësuese teorike e nivelit cerebral më të lartë për ekzistencën dhe përvojën e njeriut, si qenie e vetëdijshme për ontologjinë e materies dhe idesë.
ObserverKult
Lexo edhe:






