
Koha e triadave
Nga Ismail Syla
Miti – zgjedhja e qiellit
Në vetëdijen historike serbe, sidomos pas ngritjes në mit të humbjes në betejën e Kosovës më 1389 nga ndeshja me ushtrinë turke, u formësua ideja e “popullit qiellor” (nebeski narod.) Që nga ajo kohë figura e princit Lazar u bë e shenjtë, mbretëria qiellore u vu përballë asaj tokësore, humbja u përkthye në fitore, sakrifica në privilegj, vuajtja në sprovë. Me kalimin e kohës ky mit nuk qe vetëm fetar, por mori përmasa politike. Shndërrohet në identitet. Kur një komb e vendos veten në qiell, toka bëhet sprovë.
Praktika – toka e Kosovës
Kur miti zbret në administrim, ai kërkon plan. Që nga Naçertanije-ja e Garashaninit, elaborati i Çubrilloviqit e deri te politika e Millosheviqit, Kosova u trajtua si hapësirë që duhej rikthyer në narrativën e shenjtëruar. Kjo praktikë nuk ishte metafizike. Ishte konkrete: kontroll institucional, shtypje politike, presion demografik, dhunë periodike. Territori shihej si amanet historik, popullata shqiptare, si problem. Miti i qiellit u përkthye në projekt tokësor. Në polici. Në ushtri. Në zjarr. Përballë kësaj strategjie, Kosova reagoi si vazhdimësi minimale: me shkolla paralele, institucione paralele, durim të organizuar, e në fund, përballje kur pragu biologjik arriti rrezikun e pikës kritike.
Qielli real – bombardimi, 1999
Në vitin 1999, paradoksi u bë i prekshëm. Një identitet i ngritur në qiell u përball me qiellin real. Operacioni i NATO-s zgjati 78 ditë. Avionët nuk lexonin mite, por ndiqnin koordinata. Simbolika u bë e fortë: qielli, që në narrativë mitike ishte shenjë zgjedhjeje, u bë burim goditjeje nga bombat. Për Serbinë, kjo ishte traumë. Për Kosovën, ndalim i zhdukjes. I njëjti qiell, dy përvoja. Bombardim për njërën palë. Ndërhyrje shpëtuese për tjetrën.
Epilogu – kur metafora përplaset me realitetin
Mitet formalisht duken sikur kanë kuptim, por nuk e zëvendësojnë historinë tokësore. Kur përdoren për të justifikuar mohimin e tjetrit, ato përplasen me rendin e kohës. Qielli nuk është pronë simbolike. Nuk mbron projekte që kërkojnë zhdukje. Në fund, toka mbetet me njerëzit që jetojnë mbi të. Kosova kërkoi të mos zhdukej. Serbia u përball me pasojat e një strategjie që kishte përzier metafizikën me administrimin e dhunës. Miti i kombit qiellor funksionon si poezi. Por kur bëhet politikë, ai kërkon prova në tokë. Dhe toka, ndryshe nga miti, nuk fal lehtë. Shembja e mitit serb për Kosovën është më e rënda në Ballkan.
(Kjo triadë lindi nga përcjellja e procesit të Hagës për dy ditë më radhë, 10 dhe 11 shkurt, gjashtë ditë para 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës)
Prishtinë, 11 shkurt 2026
ObserverKult
Lexo edhe:






