Poezi për dritën që fshihet dhe shpresën që zbulohet

Pal Ndrecaj

Rreth përmbledhjes me poezi, “Orë orakulli”, të Marin Kelmendit.

Nga Pal Ndrecaj

Libri “Orë orakulli” i Marin Kelmendit është në ardhje e sipër. Unë pata rastin ta lexoj në dorëshkrim. Ky lloj leximi nuk është se dallon shumë nga leximet tjera, por ka diçka: të vë para një ndjesie se je dëshmitari i parë i një gjëje të bukur që po vjen.
Libri “Orë orakulli” i poetit Marin Kelmendi, hapet me një meditim interesant. Është meditimi për gjendjen e njeriut në botën e sotme, në këtë botë që karakterizohet nga shmangie të shumta, mes tjerash edhe me ato nga morali. Njëherësh, ajo është edhe meditim për rrugëdaljet, të cilat do t’i sjellin dy hyjni: orakulli dhe poezia. Poeti e ka ndie se ka rënë ora e këtyre dy hyjnive dhe i ka nisur në atë mision frymëzimet e tija për të dhënë ndihmesën e vet poetike në këtë situatë. Situata përshkruhet si një errësirë ku “drita fshihet me qëllim, “ndonëse liria ngatërrohet me hije, ndonëse ëndrrat e zeza i këndon një meshë e zezë”. Është errësira në të cilën shihet një “dorë vrastare”, por edhe një shpresë. Shpresa që buron nga fakti se ajo që “i ka gjërat në dorë” është poezia.
Bota është një natë që i ka shuar dritat, që të shohë fundin e errët. Është kjo një deklaratë që thuhet zëshëm.
Në këtë çështje aktuale njerëzore Marini thellohet edhe në poezi tjera, duke filluar që nga ajo “Prolog”. Poezia e tij bëhet një zonë debati e një fushë ndeshjeje ndërmjet të mirës e të keqes, humanes e johumanes, të cilat bashkëjetojnë krejt afër njëra tjetrës me ligjësitë e tyre të kundërta dhe me synimin për t’i jetësuar, për të krijuar atë ndeshjen e madhe e për ta dominuar hemisferën tonë.

Diita nuk mund ta shohë veten Nga kjo zezëllimë që ia ngarkojnë njerëzit.
Kush ka lindur në netët e gjata, Vrapon në gjendjen civile të ndërrojë ditën e lindjes,
Të nisë nga e para stinën e vet.

Poezia e Marinit flet për probleme të ndjeshme të jetës, siç janë: shpresa e mungesa e saj, morali, kushtetëzimet mes tyre, ky raport kushtëzues që njeriu ia ka parashkruar vetes në procesin e gjatë të të ekzistuarit, ndërsa ka bërë kodet, ka vënë kufijt (moralë) dhe ka shqiptuar rregullat. Poezia e tij është një përballje në fushë të hapur mes këtyre shfaqjeve jetësore, që në një diskurs më të thjeshtësuar e kemi quajtur përballja mes të mirës dhe të keqes.
Ja si duket kjo përballje në fushë të hapur:

“Ujku dëshiron gjakun, bujku dëshiron arën,
Të dy duan sojin e vet, prandaj hedhin farën”.

Poezia e Marinit hyn brenda shkaqeve të përmendura, i shpalos ato, i emëron pasojat dhe, për të qenë tamam një poezi e jetës, nuk e përmbyll rrëfimin me pesimizëm. Pesimizmi është udha që çon më vdekje, Legjenda e Marinit është legjendë e shpresës, dmth ajo rrëfimin për jetën e përmbyll me shpresën e vetë jetës:

Nga këtu
Zogjtë e marrin këngën me vete,
Këngën e shpirtit dhe
E shpërndajnë qiellit,
Nga thithin ajrin të gjithë njerëzit,
Të gjitha gjallesat e gjalla.

“Orë orakulli” është një libër për një legjendë të re, që autori e ka krijuar me “hi dielli”.
Për çka na rrëfen ajo?
Legjenda nis me një udhëtim, i cili ka një cak që çdokush e do:

Të udhëtosh me gërsheta dhe natën,
Je me dritë kallinjsh gruri në arë,
Prandaj mbin në çdo stinë,
Si të ishe farë.

Bredhja nëpër botën komplekse të kësaj poezie ndihmohet nga disa koordinata që shërbejnë për të orientuar, ose një busullë (poezia “Bota në busullë”), e cila do të na tregojë “ku jemi (…) cila palë e botës po shkel tjetrën”. Është busulla që orienton dashuritë dhe që ua tregon stacionet trenave të natës:

I mbajmë në shuplaka të dorës, Kur duam të dimë ku jemi, Cila palë e tokës po shkel tjetrën,
Vajzat e lagjes ku do t’i presin të dashurit, Trenat e natës a do t’i gjejnë stacionet e veta, Të lënë e të marrin udhëtarë,


Poezia e Marinit vjen si rezultat i një procesi të gjatë përpjekjeje, në të cilin bashkohen kultura e leximit, meditimi e persiatjet sistematike me guximin për të provuar:

Ju e dini se unë zakonisht e çoj detin,
Atje ku nuk ka det.

Kjo është fuqia e fjalës artistike dhe e artit. Dëshminë autori e gjen tek artistët e mëdhenj:

Odhise Paskali kur ndërtonte portrete,
Nëntë mjeshtri shkrinte, një linte për vete.

Një gjë e rrallë që poetët shpalosin me një sharm të veçantë janë ndjenjat për vendlindjen.
Kështu na vjen edhe vendlindja e Marin Kelmendit. Ajo është vendi i një goce nga Peja që mban në pajën e vet mollën e kuqe për shtizë bajraku.

Marini shkruan për tema të ndryshme. Për shtëpine e vjetër që ruan kujtimet, për natyrën, për lulen, për stinët, për vallet, për vetë poezinë, e cila, sipas tij “vjen nga fisi i diellit”.
Poezia e Marinit, në shumicën e rasteve, nis si një ndjenjë, rrëfim a përshkrim i rëndomtë dhe përmbyllet duke na vënë përpara imazhe të pasura, që shpalosin gjëra shumë të bukura dhe mjaft emocionuese. Një shembull të tillë gjejmë edhe tek poezia “Syri i pranverës”, ku proceset e gjalla të natyrës në zhvillimin e sipër, tërheqin brenda tyre edhe ato të botës njerëzore dhe ecin me një paralelizëm e harmoni, çfarë e bën të mundshme një talent i begatuar me shkathtësi të kënaqshme gjuhësore. Kjo është një veçori e artit të Marinit, të cilit vlerën e asaj që quhet origjinalitet ia jep një prirje këmbëngulëse për të mos e lënë vargun rehat në rutinë, por për të thënë, me doemos, diç të re, diç ndryshe:

Pranvera me sythë, një gjerdan për pyllin,
Melodinë ia shton bariu me fyellin,
Është ai fyelli i lashtë që bie ndën male,
Zënë të rrudhen gjethet, kur njerëzit kanë halle.

ObserverKult


Lexo edhe:

Pal Ndrecaj: Me poetin e diplomatin Kujtim Morina