
Pas ikjes nga kjo botë të Adil Pirevës
Si i gjallë dhe si i vdekur?
Nga Fehmi Pireva
Të flasësh dhe të shkruash me gjuhën e përmortshme, nuk është aspak e lehtë. Bota emocionale e njeriut, në raste dhe ditë të tilla, trazohet…Me çdo rresht, sadoqë, mundohesh ta sfidosh këtë turbulencë ndjenjash, dhembjesh, e ke të pamundur ta bësh në plotëni. Edhe pse të gjithë jemi të vetëdijshëm se lindim, rritemi në një botë, e cila ka ligjet e veta të pandryshueshme dhe na duken të ashpra. Por, ekziston vetëm një lloj “barazie”, para vdekjes fizike, me të gjithë ata që e mbajnë vetën të pabarabartë me të tjerët, në këtë botë jallane. Por, barazi para vdekjes shpirtërore nuk ka…!
Në kohën, kur Adil Pireva, nuk gjendet fizikisht mes nesh, koha e tij, përplot veprimtari, motive, ideale dhe fisnikëri, nëse, jo në plotëni, është e vetëkuptueshme se, shumëçka nga ajo kohë që idealizohej dhe dukej e pamundur, sot, jeton me kohë tonë. Nga një i poraslindur diku, e deri te një i moshuar, sadoqë frymon me vështirësi, por me aromën e lirisë. Në substancën e saj, liria, permban gjakun, vuajtjet, torturat mendore-fizike për pavarësi, të drejtat kushtetuese dhe ligjore.Themelet ku ruhet dhe lartësohen institucionet e Republikës së Kosovës.
Të flasësh dhe të shkruash me gjuhën e përmortshme, nuk është çudi, se nga bota shpirtërore dalin kumte, mesazhe, që nuk e përkufizojnë dot një jetë njeriu. Por, mbi të gjitha, si një lloj kumti duhet të kuptohet, shenja e drejtë e rrugëtimit, të cilin e ndoqi me vendosmëri: Adil Pireva, Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Skënder Kastrati, Afrim Loxha, Skënder Muçolli, Iljaz Pireva, Hasan Dërmaku etj. Dhe si një produkt i punës së tyre, ku u ndërlidhën faktorë të tjerë, vendor dhe ndërkombëtar të asaj kohe, më në fund, Kosova arriti ta shkëpusë një copë pranvere të vonuar me diell.
Ndonëse në sfondin e saj, nuk i kishte të gjitha lulet, siç i ka kjo stinë, nuk mund të harrohet: Universiteti i Prishtinës, flamuri kombëtar, i cili u mbajt i fshehur, si zogu nën grila, gjuha e unisuar shqipe, e shpenguar, që të mund të flitej dhe shkruhej lirisht. Ishte kjo gjuhë e sakatosur, që ju mbyll goja me shekuj, me ligje dhe dekrete perandorake, që të shkrihej në universin e gjuhëve të huaja të pushtuesve. Që gjuha dhe kombi të nxirreshin me rrënjë nga kontinenti i vetë evropian.
Po, cili ishte mesazhi i Adil Pirevës, me të cilin kam ndarë me dhjetëra takime: “unë vertetë kam vepruar në grupe dhe parti politike, por, qëllimi im ishte dhe mbetet, Kosova. Të ndërtohet, zhvillohet, ta ndjekë hapin, krahas popujve më të qytetëruar evropianë”. Madhështia e tij, nuk fliste në vetën e parë. Thjeshtësia e tij, gjithçka që dita e bëra për Kosovën, jo për vetën.
Unë dhe shumë miq të tij, nuk do ta shohim më fizikisht: Kur mëngjeseve me diell, ai do të zbriste i qetë dhe ngadalë, me hapa lasgushian, nga lagjja “Vneshta” e Prishtinës, duke ecur në këmbë drejt kryeqytetit, i përshëndetur nga qindra njerëz, mes veturave luksoze, rrugëve të tymta të kryeqytetit.
Do të zinte vend në një karrige në bufen e kryeqytetit “Amaro”.
I këndshëm si gjithmonë, me humorin e hollë, por i vështirë t’ia lexosh botën e brendshme. Mendoja, sikur Adili, po jetonte mes dy botëve: njëra e rëndomta, pra e zakonshmja, siç i themi, përshtatja me njerëzit, tjetra e pazbërthyeshmja- enigmatikja, ku siç duket, kishte zënë vend njëfarë boshëllëku i plotësuar nga pleqëria dhe lodhja.
Ndoshta për t’ia pamundësuar t’i thoshte të gjitha, ato gjëra të ngelura peng, që në një moshë të re, që pak a shumë i përmblodhi në poezinë testament: “Eni në Demonstrata”, shkruar më 16 nëntor 1968. Nuk ishte thjesht një poezi, por një kumt dhe mesazh ndër breza, i një veprimtari, mësuesi, poeti, gazetari, publicisti, kryeneç kundër robërisë.
Në moshën fëmijërore kisha dëgjuar më shumë se sa e kisha parë fizkisht, sepse, ai bënte jetë burgu! Kisha ngarendur aty-këtu duke hulumtuar nëpër revista shkencore, si: “Përparimi”, “Fjala” etj. kur pas daljes nga burgu, censura ua kishte prerë rrugën e afirmimit dhe karrirerës, jo vetëm Adil Pirevës. Mjeshtër i pendës, i vargut të lirë, i poezisë për fëmijë dhe të rritur.
Do të ikte nga kjo botë, pak a shumë si Lasgush Poradeci, as i gjallë, as i vdekur. I besonte edhe fjalës së atyre, nga sinqeriteti i tepruar, të cilët e shpërfillën dhe e rrënuan me intrigat e tyre. Pas viteve 2006, ndonëse nuk e thoshte, u margjinalizua nga politika, dhe nuk e pati mundësinë që të kontribuonte, si intelektual, veprimtar, poet, publicit, politikan.
Njeri me njohuri të gjëra, i shquar për thellësinë dhe mprehtësinë e mendimit dhe artikulimit të fjalës. Rruga e gjatë për lirinë, bashkimin, pavarësinë ua mori energjinë krijuese, dikujt në letërsi e dikujt në shkencë. Që diçka e shenjtë të bëhej e plotë!
ObserverKult
Lexo edhe:






