
U përkujtua dje në 75-vjetorin e ditës së lindjes aktorja Hajrie Rondo, një nga emrat më të ndritur të teatrit dhe filmit shqiptar.
Ajo u rrit dhe u formua artistikisht në Teatrin “Bylis”, ku kontribuoi për 40 vite me radhë. Me talentin dhe pasionin e saj, fitoi vlerësime të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke u nderuar me titujt prestigjiozë “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Artistja lindi më 1 mars të vitit 1951 në Delvinë ku edhe mori formimin bazë. Largohet në Qytetin e Fierit ku pas përfundimit të studimeve në “Institutin e Lartë të Arteve” për aktore ajo do të emërohej pranë teatrit të këtij qyteti ku edhe do të zhvillonte karrierën e saj të gjatë.
Në karrierën e saj shumëvjeçare, artistja për shkak të talentit të saj të rrallë arriti të lëvronte në të gjitha zhanret e artit skenik. Gjithashtu artistja njihet edhe për një numër të konsiderueshëm të roleve të saj që i arriti në kinematografi. Edhe sot e kësaj dite artistja identifikohet me rolin e saj brilant që ka realizuar në filmin artistik “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.
Përveçse një aktore brilante, artistja ka mbajtur edhe funksionin e drejtoreshës së teatrit të Fierit, që në periudhën kur ajo shërbeu u zhvilluan shumë aktivitete dhe festivale të rëndësishme.
Disa nga rolet e saj më të rëndësishëm janë:
Mara, “Vëllezër dhe shokë” 1980
Xifja, “Agimet e stinës së madhe” 1981
Lima, “Nëntori i dytë” 1982
Tana, “Përrallë nga e kaluara” 1987
Semihaja, “Ballkan Pazar” 2011 dhe shumë e shumë role të tjerë.
Në maj 2015 Hajrie Rondo u rikthye sërish në skenë me shfaqjen “Seks vetëm për festa” dhe me filmin “Buka” interpretime, të cilat i realizoi pas një pauze disavjeçare që ajo bëri për shkak të një beteje me një sëmundje të rëndë.
Ajo u nda nga jeta më 9 shtator 2017.
ObserverKult
Lexo edhe:
582 vite nga “Besëlidhja e Lezhës”- kuvendi i princave shqiptarë






