
Ese për jetën në prag
Nga Ismail Syla
1. DIAGRAMI TEORIK
Historia shqiptare, e lexuar nën prizmin e vazhdimësisë minimale, nuk është histori e ngjarjeve të mëdha, por histori e pragjeve. Jo e hyrjes në epoka, por e qëndrimit përpara tyre. Shqiptarët nuk kanë jetuar në qendër të historisë, as në skaj të saj heroik, por në një hapësirë më të vështirë për t’u përkufizuar: në pragun midis ekzistencës dhe zhdukjes. Të jetosh në prag do të thotë të mos jesh as brenda, as jashtë. As i lirë, as i zhdukur. As subjekt i plotë, as objekt i përfunduar. Kjo gjendje nuk prodhon lavdi. Ajo prodhon kohë.
Ontologjia e pragut. Në filozofi, jeta zakonisht mendohet në terma të veprimit, të kuptimit dhe realizimit. Por jeta shqiptare, për shekuj ka operuar në një regjim tjetër:regjimin e vazhdimit. Në këtë regjim veprimi reduktohet në mbijetesë, kuptimi shtyhet, realizimi pezullohet. E tërë kjo nuk është mungesë etike apo politike, por është përshtatje ontologjike ndaj presionit të vazhdueshëm. Vazhdimësia minimale në këtë kuptim, është formë e jetës para kuptimit.
Pse kjo jetë duket “e heshtur”. Historia kërkon rrëfim, figurë, kthesë dramatike, ndërsa jeta në prag nuk i ofron këto. Ajo nuk ka kulme, ndonëse ka qëndrueshmëri. Nuk ka fitore, që përzihen në ka mos-humbje. Prandaj historia shqiptare shpesh duket e varfër në ngjarje, e shpërndarë, e padukshme. Ky është iluzion historiografie. Heshtja nuk është mungesë jete, por mungesë spektakli.
Etika e mos-tejkalimit. Jeta në prag ka një etikë të veçantë, të pashkruar, por të qëndrueshme që me parapëlqimet e saj thotë: mos e provoko pragun pa nevojë, mos e shndërro mbijetesën në sfidë, mos e ngatërro guximin me ekspozimin. Këto udhëzime doracaku shpesh janë keqkuptuar si: frikë, oportunizëm, mungesë karakteri, por në realitet ato janë etika dhe fytyra e jetës së pambrojtur. Kur ekzistenca nuk ka garanci, maturia bëhet virtyt.
Kur pragu çahet. Historia shqiptare njeh edhe momente kur jeta në prag nuk mjafton më: dhuna bëhet totale, vazhdimi nuk e mbron më jetën, qëndrimi kthehet në rrezik më të madh se përballja. Në këto moment vazhdimësia minimale shndërrohet, jeta kërkon formë tjetër, lind sakrifica, lufta, figura. Por këto momente janë përjashtime të dhimbshme, jo norma. Norma shqiptare ka qenë të jetosh aq sa të mos zhdukesh.
Rreziku i keqleximit pas pragut. Pas çdo momenti të thyerjes, ekziston tundimi për ta rishkruar gjithë historinë si parathënie e heroizmit, ecje drejt kulmit, përgatitje e pavetëdijshme për sakrificë. Ky është keqleximi më i rrezikshëm, sepse e zhduk jetën reale që ka ndodhur. Jetën pa lavdi, pa emra, pa monumente. Dhe kjo jetë është themelore, jo dytësore.
Obligime pa detyrim. Ta pranosh jetën në prag si formë historike nuk do të thotë të idealizohet, as ta përjetësohet, as ta përdoret si justifikim. Në fakt do të thotë: ta kuptosh kufirin e durimit, të dallosh mes mbijetesës dhe jetës së denjë, të mos kërkosh heroizëm aty ku nevojitet drejtësi. Vazhdimësia minimale nuk është destinacion, por gjendje emergjente e zgjatur.
Përmbyllje. Shqiptarët nuk kanë mbetur gjallë nga madhështia e historisë, por nga aftësia për të jetuar në pragun e saj pa u rrëzuar brenda saj. Kjo jetë nuk është e bukur, as e admirueshme, por është reale. Dhe vetëm mbi realen mund të ndërtohet diçka që nuk kërkon më mbijetesën si kusht.
2. DIAGRAMI PRAKTIK
Panorama e historisë shqiptare prej antikitetit deri në ditët e sotme
Bazuar në diagramin teorik kjo ese e lexon botën shqiptare si ruajtje të një pragu minimal ekzistence nën presion të vazhdueshëm në rrjedhën e historisë. Një populli të cilit për shekuj i mungon organizimi në rang shteti, para se akumulimi i trimërisë dhe trajektorja e progresit në liri, i ndodh vazhdimësia pa institucione, vazhdimësia pa të drejta, vazhdimësia pa narrativë mitesh.
Më poshtë do të jepet një diagram i këtij pozicion ontologjik pothuaj buzë skajeve të greminës dy mijëvjeçare.
Antikiteti: Ilirët – vazhdimësi pa histori të shkruar, vazhdimësi pa qendër. Ilirët nuk lanë tekste themeltare, nuk lanë mite të kodifikuara për veten, as ndërtuan perandori jetëgjatë. nuk njihen për shkak të asaj që kanë treguar për veten, por për shkak të asaj që nuk u zhdukën. Në periudhën e sundimit romak përjetuan vazhdimësi nën integrim të thellë. Rekrutohen, romanizohen pjesërisht, shpërndahen në ushtri e administratë, Perandoria romake nuk i përthithi tërësisht, por i administroi si trup. Por, fatbardhësisht territori nuk zbrazet, substrati njerëzor mbetet, sepse u riprodhuan si komunitete dhe mbijetuan edhe përmes fragmentimit. Kjo mbijetesë nuk ishte rezistencë, por vazhdimësi minimale përmes përshtatjes pa zhdukje. pa narrativë mbresëlënëse civilizuese. Edhe në antikitetin e vonë, nën Perandorinë Bizantine hapësira ilire (shqiptare) mbetet periferi, Shqiptarët (para-shqiptarët) jetojnë në hapësira të ndërmjetme, pa mit shtetëror, pa strukturë narrative. Kjo është jetë në prag, jo në qendër.
Mesjeta e hershme (shek. VII–XI) – vazhdimësi përmes zhvendosjes. Me dyndjet sllave disa popullsi zhduken ose asimilohen, ndërsa territori ballkanik ristrukturohet. Popullata arbërore – shqiptare rrudhet në hapësirat malore dhe periferike. Këtu ndodh ajo që do të jetë model shekullor shqiptar: tërheqje, fragmentim, ruajtje minimale. Jo dominim. Jo shtrirje. Por mbetje që jeton.
Në Mesjetën e mesme (shek. XII–XIV) – shfaqen: principata lokale, feudalë shqiptarë, emra që hyjnë në burime historike. Por ende nuk lind shtet i qëndrueshëm, nuk konsolidohet narrativë kombëtare, nuk ndërtohet kujtesë e përbashkët. Kjo periudhë nuk prodhon mit themeltar, por njësi që mbijetojnë lokalisht, jo projekt të përbashkët. Pra, para shek. XV, bota shqiptare: nuk ndërton histori triumfi, nuk kodifikon mit, nuk prodhon shtet të qëndrueshëm. Ajo prodhon qëndrim pa zë, adaptim pa rrëfim, jetë pa pretendim madhështie. Produkti historik: jo të fitosh historinë, por të mos humbësh ekzistencën.
Skënderbeu (shek. XV) – ndërprerja e përkohshme e vazhdimësisë minimale. Shfaqja e Gjergj Kastriotit nuk është vazhdimësi. Ai është shkëputje nga modeli.. Për herë të parë: qëndrimi bëhet narrativë, mbijetesa bëhet kuptim, lufta bëhet figurë. Skënderbeu e përkthen vazhdimësinë minimale në heroizëm të artikuluar, e nxjerr botën shqiptare nga heshtja historike, e bën të lexueshme për Evropën. Ky reagim është përjashtim historik, jo vijë e qëndrueshme. Pas tij, modeli kthehet sërish te vazhdimësia minimale.
Fundi i shekullit XV, fillimi i shekullit XVI.- vazhdimësia e administruar. Pas vdekjes së Skënderbeut, ajo që ndodh nuk është “rënia e një epoke të artë”, por rikthimi i normalitetit strukturor të botës shqiptare: jeta nën presion pa shtet, pa narrativë qendrore, pa garanci për vazhdimësi simbolike. Perandoria Osmane nuk e zhduk botën shqiptare, por e administron atë. Dhe administrimi imperial, ndryshe nga pushtimet shkatërrimtare, favorizon adaptimin mbi rebelimin e vazhdueshëm. Shqiptarët: shërbejnë në perandori, (mobilitet social, individual) ndryshojnë fe (elasticiteti religjioz, si adaptim) lëvizin por nuk zhduken si trup shoqëror. Kjo nuk është strategji kombëtare. Është adaptim minimal për të mos u shuar.
Shekujt XVII – XIX mbijetesë komuniteti, integrim pa asimilim. Gjatë kësaj periudhe nuk lind: mit i përbashkët, as narrativi shtet formues, as kujtesë qendrore e shenjtë. Bota shqiptare bëhet vetë rezistuese në forma të ulëta organizimi, si familja, fisi, zakoni, gjuha e përdorur pa status. Kjo formë e vazhdimësisë minimale, bën që të jeta të vazhdojë, por nuk arrin të rrëfehet. Kjo është arsyeja pse historia shqiptare para shek. XIX duket “e heshtur”: jo sepse mungon, por sepse nuk është vetëdije historike.
Rilindja Kombëtare. Vazhdimësi pa shtet, artikulim pa mbrojtje. Në fund të shekullit XIX, bota shqiptare përballet për herë të parë me një rrezik cilësisht të ri: jo thjesht sundim imperial, por rrezik për ndarje territoriale dhe asimilim i strukturuar nga shtete fqinje kombëtare. Kjo e detyron vazhdimësinë minimale të dalë nga heshtja. Lidhja e Prizrenit është përpjekja që vazhdimësia minimale politizohet në dy boshte, mbijetesa kërkon strukturë shtetërore, kultura vetëdije kombëtare.
Mënyra si funksionoi Lidhja e Prizrenit, e dalë përtej rutinës së vazhdimësisë minimale dëshmoi shqiptarët nuk kanë ushtri, nuk kanë institucione mbrojtëse afatgjata, nuk kanë shtet. Lidhjen e Prizrenit fuqitë e mëdha nuk e njohën, Perandoria Osmane e toleroi përkohësisht, fqinjët e panë si pengesë. Lidhja dështoi politikisht, por arriti ta bëjë botën shqiptare të dukshme si subjekt, për herë të parë në diplomacinë evropiane, edhe pse në formë të brishtë.
Funksioni i saj real qe jo themelimi i shtetit, por largimi i zhdukjes. Në termat e analizës konkrete, Lidhja e Prizrenit është momenti kur vazhdimësia minimale del nga anonimati, por ende nuk ka mjetet për të mbijetuar si projekt.
Nga ana tjetër, kultura e Rilindjes kodifikoi gjuhën, krijoi alfabet, prodhoi tekste, shpiku traditë atje ku kishte vetëm përdorim pa sistem. Kultura rilindëse u bë artikulim nën rrezik. Shkrimi i shqipes nuk qe akt estetik, por akt politik i pambrojtur. Kultura e Rilindjes dhe Lidhja e Prizrenit shënojnë përpjekje për ta ngritur jetën mbi pragun minimal, pa e ditur ende si të mbijetojnë në nivel më të lartë. Prandaj historia shqiptare nga kjo pikë e tutje hyn në një epokë tensioni të përhershëm: midis jetës që azhdon dhe vetëdijes që rrezikon.
Ndryshe nga Serbia me mit shtetëror të konsoliduar, nga Greqia me institucione kulturore dhe shtet të formuar, nga Bullgaria me bosht kishtar, Rilindja shqiptare është pa shtet, pa kishë kombëtare, pa aparat mbrojtës. Prandaj ajo është më e vonshme, më e brishtë, por më ekzistenciale, në kuptim të përshkimit nëpër mekanizmin shkatërrues të historisë.
Nga 1912 – 1999: çarja e botës shqiptare, me shtet të dobët dhe ajo pa të
Viti 1912 nuk është triumf i vazhdimësisë shqiptare. Është ndarje e saj strukturore. Shqipëria fiton shtetin; Kosova mbetet jashtë tij. Kështu, vazhdimësia minimale ndahet në dy regjime ekzistence: Shqipëria: vazhdimësi me shtet, por pa kapacitet. Kosova: vazhdimësi pa shtet, nën shtet armiqësor.
Ky ndarje nuk është vetëm territoriale. Është ndarje ontologjike e përvojës historike shqiptare.
Shqipëria e pavarur: vazhdimësi me shtet të brishtë. Shqipëria pas 1912-s nuk hyn në epokë stabiliteti, por në epokë mbijetese shtetërore. Shteti ekziston formalisht, por është i dobët, i varur, pa institucione të konsoliduara, pa sovranitet të plotë. Vazhdimësia minimale zhvendoset nga mbijetesa pa shtet në mbijetesa nën shtet të brendshëm të paqëndrueshëm. Luftërat, krizat, pushtimet dhe më pas komunizmi e shndërrojnë shtetin shqiptar jo në garant lirie, por në aparat kontrolli të jetës. Këtu vazhdimësia minimale nuk zhduket, por ngurtësohet: jeta vazhdon, por nën frikë, nën disiplinë, nën izolim.
Kosova nën Serbi (1912–1941): vazhdimësi nën shtet armiqësor. Në Kosovë, pas 1912-s, vazhdimësia minimale merr formën më të ashpër: kolonizim i organizuar, shpërngulje, shpronësim, shtypje institucionale, dhunë simbolike dhe fizike. Shteti serb nuk e sheh popullsinë shqiptare si qytetare, por si problem demografik. Qëllimi nuk është integrimi, por dobësimi gradual i trupit shoqëror shqiptar. Reagimi shqiptar nuk është kryengritje e vazhdueshme, sepse kostoja do të ishte zhdukje. Reagimi është durim i detyruar, mbijetesë e heshtur, ruajtje e pragut biologjik dhe komunitar. Kjo është vazhdimësi minimale në formën e saj më të zhveshur: të mbetesh shumicë pa të drejta.
Lufta e Dytë Botërore: çarje pa zgjidhje. Lufta e Dytë Botërore nuk sjell çlirim të qëndrueshëm. Ajo krijon vetëm lëvizje të përkohshme kufijsh dhe pushtetesh, pa prodhuar garanci për vazhdimësi politike shqiptare. Shqiptarët përfshihen në luftë jo si projekt kombëtar, por si trup i përdorur nga forca më të mëdha. Pas luftës, çështja shqiptare në Kosovë nuk zgjidhet; ajo rifutet në kornizë federale jugosllave, nën kontroll serb.
Kosova nën Jugosllavi (1945–1966) – vazhdimësi nën frikë totale. Periudha e pasluftës shënon fazën më të errët të vazhdimësisë minimale kosovare: dhunë sistemike, ndalim i artikulimit politik, ndëshkim kolektiv, aksioni i armëve i Rankoviqit si mekanizëm frikësimi dhe shpërnguljeje. Në këtë fazë, vazhdimësia minimale nuk shfaqet si rezistencë, por si mos-dallim. Të jetosh pa u vënë re bëhet strategji mbijetese. Trimëria nuk ka formë heroike; ajo është aftësi për të mos u shuar nga frika. Hapësira kulturore rritet: arsimi, gjuha publike, vetëdija politike. Kjo gjendje është frymëmarrje, jo liri. Forma: artikulim i kontrolluar, reagimi: shpresë e matut.
1968–1981: frymëmarrje e kontrolluar. Pas rënies së Rankoviqit, hapet një fazë e re: vazhdimësi minimale me hapësirë të kufizuar: demonstratat e vitit 1968, zgjerimi i arsimit, përdorimi publik i gjuhës shqipe, autonomia e viteve ’70. Kjo nuk është liri. Është frymëmarrje. Shoqëria fillon të artikulojë veten, por brenda kornizës jugosllave. Vazhdimësia minimale fiton formë institucionale, por pa sovranitet.
1981: pika e dytë kritike. Demonstratat e vitit 1981 shënojnë kalimin nga jeta që vazhdon në jeta që kërkon kuptim politik. Kjo kërkesë thyen ekuilibrin e brishtë. Reagimi i shtetit është represion. Nga kjo pikë, vazhdimësia minimale kosovare hyn në fazë tensioni të përhershëm: ajo nuk mund të kthehet më në heshtje, por ende nuk mund të përballojë dhunën e hapur.
1989 –1997: alternativa si vazhdimësi minimale kulmore. Heqja e autonomisë në vitin 1989 shkatërron çdo iluzion institucional. Reagimi shqiptar nuk është luftë e menjëhershme, por alternativë shoqërore: rezistencë paqësore, shtet paralel, arsim pa shtet, jetë pa ligj, por me normë. Kjo është forma më e pastër e vazhdimësisë minimale: jo për të fituar, por për të mos u zhdukur.
1998–1999: kur vazhdimësia minimale nuk mjafton më. Kur dhuna kalon pragun biologjik – djegie fshatrash, dëbime masive, vrasje, vazhdimësia minimale kolapson si strategji. Në këtë pikë lind lufta. UÇK-ja nuk lind si mit, por si reaksion ekzistencial i fundit. Ajo nuk synon heroizëm; synon moszhdukje. Lufta e bën Kosovën çështje ndërkombëtare, hap rrugën për ndërhyrje dhe përfundon ciklin dy mijëvjeçar të jetës në prag
Përfundim i përgjithshëm
Nga antikiteti deri në vitin 1999, historia shqiptare nuk është histori ngritjeje lineare, por histori qëndrimi në buzë. Shqiptarët: nuk kanë jetuar në histori, por në pragun e saj. Ajo që i ka mbajtur gjallë nuk ka qenë heroizmi, por aftësia për të mos kaluar pragun e zhdukjes. Kjo është vazhdimësia minimale: jo e bukur, jo e admirueshme, por reale./hejza
ObserverKult
Lexo edhe:






