
Nga Luan Rama
Në historinë e letërsisë dhe teatrit bashkëkohor, rrallëherë gjejmë një figurë ku arti dhe angazhimi qytetar ndërthuren aq organikisht sa në veprën e Dario Fo-s. Në thelb të krijimtarisë së tij qëndron bindja se arti nuk është një strehë estetike e shkëputur nga realiteti, por një instrument i gjallë ndërhyrjeje në të. Për Dario Fo-n, teatri nuk është vetëm përfaqësim, por edhe akt, një veprim që synon të zbulojë, të tronditë dhe në fund të transformojë ndërgjegjen kolektive.
Ende e kam të gjallë në kujtesë takimin dhe bisedën me të këtu e mbi tridhjetë vjet më parë (Milano,1993), në sallën e bukur të teatrit “Smerald”.
Folëm gjatë për artin, për rolin e pazëvendësueshëm dhe për fuqinë që ka arti për të ndryshuar realitetin.
Ajo që më ka mbetur më e gjallë nga ajo bisedë nuk është vetëm forca e pranisë së tij skenike, por këmbëngulja e tij në një ide që e përsëriste me bindje: artisti, shkrimtari nuk mund të jetë një soditës.
Për të, të shkruarit ishte një akt përgjegjësie, një ndërhyrje e vetëdijshme në realitet.
Ai e refuzonte idenë e artistit të tërhequr, të mbyllur në estetikë të pastër, duke e parë këtë si një formë shmangieje. Në vizionin e tij, shkrimtari duhet të jetë i përfshirë, i pozicionuar, madje edhe i rrezikuar në atë që thotë.
Nga një këndvështrim filozofik, vepra e tij mund të lexohet si një kritikë e vazhdueshme ndaj strukturave të pushtetit dhe narrativave zyrtare.
Ai e shihte realitetin si një konstrukt të manipuluar, ku e vërteta shpesh deformohet nga institucionet politike, fetare apo mediatike.
Në këtë kuptim, arti i tij merr një funksion demistifikues: ai synon të çmontojë diskurset dominuese dhe të rikthejë një të vërtetë alternative, të lindur nga përvoja popullore dhe nga zërat e margjinalizuar.
Estetikisht, kjo filozofi përkthehet në një formë të veçantë shprehjeje që refuzon normat tradicionale të teatrit elitar.
Dario Fo ndërton një estetikë të bazuar në groteskun, parodinë dhe hiperbolën; elemente që jo vetëm argëtojnë, por edhe destabilizojnë perceptimin e zakonshëm të realitetit.
E qeshura, në këtë kontekst, nuk është thjesht reagim emocional, por një akt njohjeje. Ajo shfaqet si një moment çlirimi nga frika dhe si një mënyrë për të parë pushtetin pa maskën e tij solemne.
Dario Fo ishte, në kuptimin më të plotë të fjalës, një showman klasik: ai i shkruante vetë veprat, i vinte vetë në skenë dhe shpesh interpretonte vetë rolin kryesor. Kjo shumësi rolesh nuk ishte thjesht një shfaqje virtuoziteti, por një mënyrë për të ruajtur integritetin e mesazhit dhe për të kontrolluar drejtpërdrejt marrëdhënien me publikun. Teatri i tij nuk kalonte përmes filtrave; ai vinte i gjallë, i drejtpërdrejtë, pothuajse i papërpunuar, si një akt i menjëhershëm komunikimi.
Në këtë univers krijues, një prani e pandashme ishte Franca Rame, bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë. Roli i saj nuk ishte dytësor; ajo ishte një zë i fuqishëm në vetvete, një aktore dhe autore që ndau me Dario Fo-n jo vetëm skenën, por edhe vizionin për një teatër të angazhuar dhe të lirë.
Një nga aspektet më intriguese të estetikës së Dario Fo-s është përdorimi i gjuhës si trup dhe si energji. Përmes eksperimentimit me tingullin, ritmin dhe deformimin e fjalës, ai krijon një komunikim që i tejkalon kufijtë racionalë të gjuhës. Kjo formë shprehjeje e zhvendos theksin nga kuptimi i drejtpërdrejtë te përjetimi, duke e bërë shikuesin pjesëmarrës aktiv në procesin e interpretimit. Kështu, arti i tij nuk jep përgjigje të gatshme, por krijon hapësira të reja për mendim kritik.
Në një këndvështrim më të gjerë, krijimtaria e Dario Fo-s ngre pyetje mbi rolin e artistit në shoqëri. A duhet artisti të jetë dëshmitar i heshtur apo aktor i angazhuar? Përgjigjja e tij është e qartë: neutraliteti është një iluzion.
Çdo akt krijues është, në vetvete, një pozicionim. Duke e pranuar këtë, ai e shndërron teatrin në një formë rezistence, ku arti bëhet zë i atyre që zakonisht nuk dëgjohen.
Megjithatë, forca e tij nuk qëndron vetëm në përmbajtjen politike, por në mënyrën se si kjo përmbajtje mishërohet estetikisht. Ai arrin të krijojë një ekuilibër të rrallë mes formës dhe mesazhit, duke dëshmuar se arti i angazhuar nuk duhet të sakrifikojë kompleksitetin estetik për hir të qëllimit ideologjik. Përkundrazi, është pikërisht përmes risisë formale dhe fuqisë performative që mesazhi bëhet më i thellë dhe më i qëndrueshëm.
Edhe sot vepra e Dario Fo-s na kujton se arti ka potencialin të jetë më shumë se pasqyrë e realitetit; ai mund të jetë një mjet për ta rikonfiguruar atë. Duke ndërthurur humorin me kritikën, traditën me eksperimentin dhe estetikën me etikën, ai krijon një model të artit që jo vetëm reflekton botën, por synon ta ndryshojë atë. Dhe pikërisht në këtë ndërthurje qëndron fuqia e tij e vërtetë.
ObserverKult
Lexo edhe:






