reklamë

Studentët e UP-së në garë ndërkombëtare me filmin “Prej 6-ve në 5”

Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë shënuar një sukses ndërkombëtar, pasi filmi i tyre i shkurtër “Prej 6-ve në 5” është përzgjedhur në garën zyrtare të edicionit të 72-të të Festivalit “Internationale Kurzfilmtage Oberhausen”.

Studentët e Fakultetit të Arteve u pritën nga drejtuesit e universitetit, ku u vlerësua arritja e tyre dhe u inkurajuan për përfaqësim në këtë festival, ku konkurrojnë 121 filma nga 48 shtete.

Filmi trajton përditshmërinë e një punëtori sigurimi në një hotel dhe konsiderohet një sukses i drejtimit të ri Kamerë dhe Montazh Filmi në Fakultetin e Arteve.

Projekti është realizuar si temë diplome e studentit Ardian Dubova, me regji dhe skenar nga Erlisë Beqiri, nën mentorimin e profesorit Isak Duraku. Në realizimin e filmit kanë kontribuar edhe studentë e profesorë të tjerë të fakultetit.

Rolet kryesore i kanë interpretuar aktorët Astrit Kabashi dhe Eshref Durmishi, pa kompensim material.

Internationale Kurzfilmtage Oberhausen konsiderohet një nga festivalet më të rëndësishme në botë për filmin e shkurtër, ndërsa pjesëmarrja në të shënon një sukses për Universitetin e Prishtinës. Filmat e përzgjedhur në këtë festival kanë gjithashtu mundësi të hyjnë në garë për çmimet e Akademia Evropiane e Filmit.

Fakulteti i Arteve organizon çdo vit edhe festivalin studentor të filmit “UPward”, në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.

ObserverKult


Lexo edhe:


Miguel de Unamuno: Aty ku ideokracia sundon, kurrë nuk do të ketë liri të vërtetë!