reklamë

“Drejt pushkatimit”, poezi nga Donika Dabishevci

Burrat rreshtohen para vorreve t’çeluna
me duer t’tyne. Me thonj.  Përngeshëm
edhe pse kondakët e pushkëve mbi krye
fshikullonin për shpejtësi. S’ishin për nguti, deka
kishte vakt, bante edhe me pritë pak. Se mos kish
ndonji punë tjetër!

Ishin përhupë andrrash e fantazish burrat,
tuj nxjerr kande t’drejta mjeshtërisht,
tuj lëmue deri n’vizllimë gropat me llum,
si tuj garue mes vete për ujdisjen ma t’hijshme
t’vorrit. Për vorrin ma t’bukur.

Shqelmat nuk ndaleshin.
Ngadalësimi i hapjes së vorrit,
e vetmja rezistencë prej burrash!

Çfarë privilegji hyjnor
me ja sheshue vetes shtratin e fundit!

Kundruell i pret nji togë surratvampirësh
e xhelatësh jargavisun n’gjak.
Me pushkë n’shejë. N’lule t’ballit.
Gati për nji sallatë trurësh fluturue n’erë.

Mos asht’ kjo pamja e fundit
e dëshirueme prej kësaj bote?

N’atë dert,
thojnë, po u nemitshe.
Po t’u merrke goja,
po t’u nalke fryma.
Por, s’po u trembshe
s’po u lemerisshe…
Po t’jepke zoti gajret!

A tuten t’dekunit prej dekës?

Diçka moti e ditun,
e pritun!
Që n’ADN.
Role t’parashkrueme,
fat i urdhërrëfyem,
fund i paracaktuem
për ata shpirtna t’burgosun andrrash
n’jetnat e tyne prej tokësorësh t’zakonshëm.

Nji e shtanë pa ja huqë n’shej për secilin,
e secili pa i huqë hapat,
brof e n’guvë t’vorrit t’hapun me duer t’ veta.

Çfarë koreografie!

Çfarë hedhje elegante drejt tokës s’bekueme,
Çfarë nguti me u kthye n’mitër t’dheut,
e me e ba gjumin e fundit n’ At-Dhè!

*shkëputur nga libri i Donika Dabishevcit “E gjithkohshmja Andërr”, Littera, Prishtinë, 2024

ObserverKult

Lexo edhe:

Donika Dabishevci: Pas masakrës…