reklamë

Zyrafete Manaj: Jorgani i nënës

zyrafete manaj

Nëna, nën dritën e zbehtë të kandilit,
me duar të çara prej ujit e brengave,
merrte prej kraharorit të vet një copë ngrohtësi,
sikur t’i shqyente dhimbjet e t’i bënte strehë.

Në fillin e hollë të perit lidhte besë,
e në çdo qepje fuste një rrahje zemre;
jorganin e qepte jo me penj,
por me heshtje që pikonte dashuri.

Netët ishin të ftohta, era i binte votrës,
hija e skamjes rrinte mbështetur për muri;
por mbi ne shtrihej krahu i saj i padukshëm,
si qiell që s’lejon terrin të zbresë.

Gjumi na merrte si një lutje e thënë në pëshpërimë,
ëndrra të bardha na çonte kah drita,
e gazit tonë i bënte roje buzëqeshja e saj,
si agim që lind mbi hi të fikur.

Ishin kohë kur buka matej me sy,
e fjala rritej në heshtje;
por zemrat tona s’njihnin varfëri,
sepse rrihnin nën një jorgan që kishte shpirt.

Sepse jorgani i nënës s’ishte veç pëlhurë,
as vetëm penj të lidhur ndër gishta të lodhur;
ishte krah i shtrirë mbi fatin tonë,
ishte zemra e saj duke rrahur mbi gjokset tanë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Zyrafete Manaj: Amaneti i nënës