reklamë

“Kur të rrëzohesh”, poezi nga Anila Kruti

Kur të rrëzohesh
të bëhesh njësh me tokën
ta shohësh veten në fund
dhe të të tronditet bota.
Shpirti do të të thyhet në copëza
sytë do të të dalin nga vendi
Do kërkosh e tmerruar
sytë e atyre që u besove ekzistencën
dorën e atyre që i deshe në jetë
dhe sinqerisht
pastërtisht
perëndisht
nuk do vijë askush…
Askush nuk do të të ngreje nga grehina
ku re
Paradoksalisht do zgjosh
qeshjen hidhnake të atyre që të urryen
epshin e harbuar të ligësisë
eklips i dritës do të bëhesh
do rrëzohesh edhe më
rrafsh me tokën,
njësh, dhe…
E, më pas
do të pyesësh veten
A jam në agoni?
Do të të dhembin kockat
shpirti, emocionet
pak nga pak
do vishesh me dhimbje
do të qash si fëmijë.
Pastaj, ndaj mëngjesi
do bëhesh në formën e njeriut
mijëra pyetje do të të ndizën në tru
Do dalësh para pasqyrës dhe sërish, do qash
do numërosh me gishta emrat, sytë, duart e atyre që i deshe
dhe të gjithë do të bëhën mjegull…
Në fund do shkruash në dorë emrin e babait dhe të nënës
do t’i përqafosh
dhe më beso:
Kur të ngrihesh
të dalësh
në prag
mijëra zogj
presin fluturimin tënd.

ObserverKult


Lexo edhe:

“Njerëzore”, poezi nga Anila Kruti