
Nga data 28 deri më 30 maj, qyteti i Shkodrës do të mirëpresë edicionin e dytë të Panairit të Librit, një aktivitet kulturor që mbledh së bashku shkrimtarë, poetë, përkthyes, studiues dhe dashamirës të librit nga trevat shqiptare dhe më gjerë.
Nën moton “Libri të ban të lirë”, panairi synon të promovojë leximin, krijimtarinë letrare dhe dialogun kulturor përmes një programi të pasur me promovime librash, ligjërata, tryeza diskutimi dhe sesione leximi.
Aktivitetet do të zhvillohen në disa prej hapësirave kulturore të qytetit, si Biblioteka “Zoja e Shkodrës”, Muzeu Dioqezan, salla “Kardinal Mikel Koliqi” dhe Odeoni i hapur.
Ceremonia e hapjes do të mbahet më 28 maj në orën 18:45, me përshëndetjen e organizatorëve dhe të ftuarve specialë. Gjatë tri ditëve të panairit, publiku do të ketë mundësi të takojë autorë të njohur, të marrë pjesë në diskutime mbi letërsinë bashkëkohore dhe të ndjekë promovime të botimeve më të reja.
Programi përfshin gjithashtu punëtori të shkrimtarisë krijuese për të rinjtë, ligjërata tematike dhe ndarjen e çmimeve të panairit në ditën përmbyllëse, më 30 maj.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, studentët dhe lexuesit e apasionuar të bëhen pjesë e këtij festivali kulturor, i cili e kthen librin në qendër të jetës artistike dhe intelektuale të qytetit
ObserverKult






