reklamë

E kujtojmë aktorin e njohur, Bekim Fehmiu

Më 1 qershor 1936, në Sarajevë të Bosnjë dhe Hercegovinës, lindi aktori i madh me origjinë shqiptare, Bekim Fehmiu.

Ai studioi në Universitetin e Beogradit për film prej vitit 1956 deri më 1960. “Odisea”, “Mbledhësit e puplave” dhe shumë filma të tjerë e renditën Bekimin në mesin e kolosëve botërorë të filmit.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore duke u bërë aktori i parë nga Evropa Juglindore që luajti në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë. Interpretoi një sërë rolesh.

Mishërimi mjeshtëror i personazheve prej tij, do të hasej dukshëm në realizimet “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vite të nxehta” dhe “Dezertori”.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të artit filmik, si: Ava Gardner, Robert Show, John Huston, Dirk Bogard, Irene Papas, Claudia Cardinale etj.

Shqipërinë e vizitoi për herë të parë në vitin 1972. Bekim Fehmiu u martua me Branka Petriq dhe kishte dy djem. Ndërroi jetë më 15 qershor 2010 në moshën 74-vjeçare. 

ObserverKult


Lexo edhe:

Rrëfimi “ndryshe” i Bekim Fehmiut më 1970: Emri i djalit, gruaja dhe “e dashura”