
Nga Mehmet Elezi
Studioja e piktorit P. GJ. ndodhej në një ndërtesë me tulla të kuqe, të brejtura skajeve, ndër të paktat që kish mbijetuar nga koha e marrëdhënieve të ngushta me rusët. Një nëntëkatëshe e re, veshur me mermer të errët, i bënte hije. Sharmin e ngrehinës së mermertë e shtonin shitoret e luksit, zyrat e një shoqërie sigurimesh, të mobiluara me shije, bashkë me reklamat e bujshme të saj, dy a tri baret dhe restoranti i shtrenjtë. Dhe më fort se gjithçka, vajzat që shërbenin në këto mjedise. Të zgjedhura kokërr në kokërr, thua ndonjë shoqëri ajrore me emër po u bënte trajnim për stjuardesa ose po përgatiteshin me marrë pjesë në një garë bukurie.
Studioja qe në kat të tretë të ndërtesës me tulla të kuqe. Prej aty nëntëkatëshja shikohej brinjazi, në ije. Ndryshe nga ballina, qelq i gjallë i holluar me dritë, dritaret në këtë krah nuk qenë të mëdha. Mbuloheshin me grila. Vetëm njëra nuk merrej vesh çka qe. Pas një farë kohe fshehur nën një rigë shiu, kështu ngjante perdja, papritmas u zhvesh çiltërsisht. Tërë ditën rrinte çelë krah në krah. Herë-herë krijohej përshtypja se është derë. Derë e kujt? Hije të bardha e të kaltra fektonin nëpër syrin e saj.
P. GJ. qe kthyer në studio pas shumë muajsh mungese. Kaq vjet, ende s’kishte hapur një ekspozitë. Ndezi një cigare, që nuk ishte duhan, dhe lëshoi sytë përballë. Dritaren e mbushi me diell një vajzë e gjatë, me flokë të prerë si çun. Vajza u ndal me fytyrë nga muri (me gjasë aty paska pasqyrë), ai e shihte në profil. Ajo i dha dorës si për të larguar një ble flokësh mbi vetull, se ç’preku te syri me gishtin tregues. I ktheu shpinën pjerrëtas dritares dhe bëri do lëvizje të shpejta, u duk se po zbërthente bluzën, po, po, ja edhe pantallonat, i mbërtheu prapë. U kthye nga pasqyra dhe qiti gjuhën. Vetes apo pasqyrës? Apo dikujt tjetër, që e shihte mendja e saj? Doli duke ecur mjellmërisht, në majë të këmbëve. Shpejt ike, hm!, hungroi P. GJ. Mendja e tij sapo e kishte zhveshur cullak.
Tjetra ia behu fill pas, duke sjellë muzgun e një të diele vere në fshat. Fytyrë vezake të lëmuar, ngjyrë gruri të thellë. P. GJ. e krahasoi me një aktore të Bollivudit, atij i pëlqenin filmat indianë. Indianka qe veshur e tëra me petka ngjyrëkafe. Rrëzoi qafën djathtas, qafa u zgjua duke zdritur si hënë mali, dhe filloi me i rregullue flokët, duke i shtyrë me pjesën fundore të shuplakës. Flokë përnjëmend të rëndë. Të rëndë dhe korb të zinj. P. GJ. i gacëlloi sytë. Bash kur priste ndonjë veprim provokues prej saj, për shembull ndërrimin e të brendshmeve ose të paktën një përdredhje të vitheve të grunjta para pasqyrës, ajo fësht, rrëshqiti e u zhduk. Ike, ë? P. GJ. shtrëngoi dhëmbët. Tundi kokën dhe lëpiu buzët. Paksa, me majë të gjuhës.
Skena që pasoi i zgjoi idhti, ai u bë xheloz. Nga dritarja shqoi si u turrën ngutshëm dy hije kaçurrele, njëra veçanërisht kaçurrele. U kapërthurën furtunshëm. Ashtu të përfytura u tërhoqën në skaj (ka ndonjë kabinë aty, kjo hapësirë është zhveshtore e vajzave, aty veshin teshat e punës, apo janë banjat?). Hijet e kacafytura u fshehën s’di se diku. U shfaqën sërish. Tashti në trajtë figurinash të projektuara në mur, siç bëjnë artistët amatorë nëpër koncerte variete, duke luajtur me dritën në ekran. Hijet e projektuara në mur u zhveshën hovshëm, me padurim. P. GJ. mbajti mend gjinjtë e saj që kërcyen thikë përpjetë, si gjarpnusha. Të dy u rrotulluan, se ku u lëshuan duke u purfulitur. Xhami i dritares nisi me marrë frymë shpejt. Fryhej duke vënë bark, tërhiqej e thithej brenda. Xhami i dritares po dihat. Dritarja po klith. Mos qenë të dyja vajza? Jo, nuk. P. GJ. ndjeu si iu vërsulën hormonet si ujq.
E fundit për atë ditë hyri një fillake me balluke të buta gështenjë, me gojashkën kundër covid-19 ulur nën mjekër (ç’të duhet maska ty, zjarri yt shkrin në furrë virus e viran, kovid e kopil!). Gojashka ngjyrëqielli ia guduliste gushën. Edhe ballin e shtrëngonte me një shall të hollë të së njëjtës ngjyrë, ndoshta fiongo. Të dhimbka koka, moj zemër? Uf, qenke si llokume. Vajza u ul në një cep, vuri bërrylat në gjunjë, do t’i telefonosh dikujt me zë të ulët, në intimitet? Ajo rrëzoi fytyrën mbi shuplaka. Busti i ujshëm i ulej e i ngrihej me gulshe. Po qan ti, vogëlushe, s’ka kush të t’i fshijë lotët? Ah, ç’të bëj unë, nuk. Sytë i shkuan te shtrati në skaj të studios së tij. I parregulluar, i zhubrosur. Qysh atë ditë që.
Iu ndërmend Etilda, s’kish shumë që qenë ndarë. Më saktë, e pati lënë ai. Nuk e dinte as vetë pse. Dhe as që donte me e ditë pse. Thjesht qenë këputur do fije të fshehta, që lidhnin të dy qeniet. I kishte këputur ai. Ajo i qe mërzitur. Është velëse, i kishte thënë në telefon një shoku, me të cilin patën emigruar dhe tjetri nuk qe kthyer më. E mërzitshme, e merr botën shumë seriozisht. Bota është grua. Vure përfundi, mbaro punë dhe thuaji ik, pirdhu! Etilda qe larguar me shpatullat e brishta mbledhur, duke i mbytur lotët diku ndërmjet gjinjëve. Hija e saj u var matanë, në degët e rrapeve, si fustan i larë. Për shumë kohë lëkundej e pikonte aty, e harruar.
Vajza që dëneste përmbys mbi gjunjë, te dritarja përballë, shkoi te pasqyra. U këqyr. U tërhoq sa grima mbrapa. Uli kryet. Papritur iu turr qelqit me ballë, i mëshoi aq rrëmisht sa ajri kërciti, muri u ça. P. GJ. priti me pa një shpërthim gjaku duke gjarpëruar në mur, i kish mbetur në mend një skenë e ngjashme nga një film me tmerre, horror. Filmat me tmerre i ndiqte në orët e vona, e argëtonin. Nuk pa curril gjaku, ndjeu një farë zhgënjimi. Rrapëllima e pasqyrës së thyer u rrëzua në rrugë, bashkë me ciflat e tejdukshme dhe një ballinë pllakash mermeri, që u bënë copë e grimë.
Dritarja u verbua.
Të nesërmen aty u lëshua një spërvjerrë, perde e trashë, e padepërtueshme. Asnjë shenjë, asnjë hije a fëshfërimë. Ç’u bënë të lumet e natës? Zana qenë a çfarë?
Duhet të hap një ekspozitë, shqiptoi P. GJ. përtueshëm. Do të. U kujtua për portretin e Etildës, s’e pati përfunduar kurrë. Do ta kem ruajtur? Duhet të jetë diku, për ekspozitë s’. E gjeti në një qoshk të studios, mbrapa një katranze të thyer, nën një thurimë merimange, që iu ngjit nëpër gishta dhe e pështirosi. Iu kujtua, kish ngecur tek e çara në buzë. Tek e çara në buzë kishte hequr dorë. I mëshonte penelit, në pëlhurë përvijohej një vajzë buzëplasur. Etilda i thoshte jo, duhet diçka tjetër, kjo që kam në buzë nuk është shenjë plage. Kishte marrë në thua dikur, duke ngjitur shkallët vrapthi me një shishe qumështi në dorë, kishte rënë dhe kish prerë paksa buzën te qelqi i thyer. Kjo shenjë nuk është vragë, ngulte këmbë ajo. Është thjesht gjurmë fëminie. Duhet njomështi, a ka mundësi të duket si pikël e zgjatur qumështi?
Flloi me u marrë me portretin e Etildës, edhe ky në ekspozitë, pse jo, portret vajze. Kam shumë punë të pambaruara. U rrek me i dhanë Etildës hijen e vajzës me gojashkë e me fjongo, që kish përplasur kryet te pasqyra. Shalli a fjongoja në ballë u shthur, u shpërbë, u mblodh sërish e u shndërrua në fashë. Në të gjitha rrekjet zhbëhej e shndërrohej në fashë. Edhe maska ngjyrëqielli nën mjekër i shndërrohej në fashë. Fashë me njolla ngjyrë ndryshku. Sikur mbulonte një varrë në fyt. Një të prerë të pjerrët thike.
I cingërroi telefoni. Ç’dreqin do.
– O Zot, si kështu Etilda!, tha zëri që dridhej. Pse ashtu bre, pse? Zëri i njohur u shpërbë i mbytur në vaj.
Në fund të studios televizori hapur. Ia kishte ulur zërin. Lajmet. Bluzat e bardha po ngjitnin në autoambulancë një vig. Një grua me fyt të përgjakur. Një grua e re ka vrarë veten, duke. Titrat u zhdukën. Arriti me lexue emrin e Etildës.
Ndezi një cigare, që nuk ishte duhan, dhe u ul në ndenjësen përballë.
– Ç’idiote!, tha.
ObserverKult
Lexo edhe:






