
Nga Blerim Valla
Organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë u promovua romani “Kur nervat digjen” i autorit Bekim Çaushi.
Ngjarja mblodhi dashamirës të letërsisë, krijues dhe kritikë, të cilët vlerësuan lart këtë prurje të re interesante letrare
Folësit e pranishëm e cilësuan veprën si një libër përmbajtësor me ide filozofike.
Libri sjell një dinamikë të fuqishme mes dhimbjes dhe dashurisë, duke prekur thellë përjetimet njerëzore.
“Kur nervat digjen” është një roman i prozatorit, poetit por edhe piktorit gjakovar Bekim Çaushi. Vepra trajton tema emocionale dhe psikologjike, duke reflektuar mbi sfidat, ngarkesat dhe përjetimet e brendshme njerëzore.
Libri është promovuar në vendlindjen e autorit në Gjakovë, ndonëse autori Çaushi jeton e punon për shumë vite në Gjermani me familjen e tij. Ishte kryetari i Sh. I. “Jakova”, Ruzhdi Sefa i cili hapi këtë promovim e romanit duke thënë mes tjerash: “Romani “Kur nervat digjen” të autorit Bekim J. Çaushi nuk vjen vetëm si rrëfim letrar, por edhe si dëshmi e ndjeshmërisë njerëzore, e lidhjes shpirtërore dhe e përgjegjësisë ndaj shoqërisë. Kemi të bëjmë me një pinjoll të familjes së njohur Çaushi të Gjakovës, një djalë të rritur e të shkolluar në Perëndim, i cili jetën dhe karrierën po e ndërton në Gjermani, por që Gjakovën nuk e ka larguar asnjëherë nga mendja dhe zemra. Në këtë vepër gjejmë ndjeshmëri, revoltë njerëzore, mesazhe morale dhe një thirrje të fuqishme për më shumë humanitet, më shumë mirëkuptim dhe më shumë njerëzillëk në kohën në të cilën jetojmë. Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë promovim është se të ardhurat nga shitja e këtij libri janë dedikuar për fondacione që mbështesin të sëmurët me sklerozë multiple! Prandaj, sot nuk promovojmë vetëm romanin “Kur nervat digjen”. Sot promovojmë edhe ndjeshmërinë njerëzore, lidhjen me vendlindjen, kulturën e solidaritetit dhe besimin se libri ende mund ta bëjë njeriun më të mirë”!
Redaktorja e romanit në fjalë, Migena Arllati vlerësoi se: Romani “Kur digjen nervat” rrëfen për dashurinë dhe sëmundjen, për
tërheqjen dhe kthimin, për thyerjen dhe butësinë. Është një roman i mbështetur në ngjarje të vërteta. Romani ndahet në tri pjesë.
Pjesa e parë dhe e fundit rrëfehen nga një narrator i gjithdijshëm. Por pjesa qendrore i përket zërave të vetë personazheve. Në vetën e parë, ata tregojnë se çfarë i lëvizi, i lëndoi, çfarë shpresuan dhe çfarë humbën. Të gjitha pjesët qëndrojnë në kohën e tashme sepse nuk flitet për një dhimbje të kaluar, por për një dhimbje dhe shpresë të tashme. Romani u frymëzua nga një përvojë e thellë personale e autorit si shoqërues i përditshëm në një shtëpi pleqsh. Aty ai takoi një njeri, drita e të cilit shpërndante ngrohtësi edhe në errësirë. Ky takim la gjurmë dhe ato gjurmë gjetën fjalë. Ky libër i kushtohet atyre që besojnë në dashuri, pavarësisht sëmundjes”!
Kurse pedagogia Delvina Dylazeka – Hajdari, vajza e hallës e autorit të romanit në fjalën e saj mes tjerash u shpreh: “Bekim Çaushi vjen nga një rrugëtim i formuar mes kujtesës së luftës, largimit nga vendlindja dhe kërkimit të vetes në një vend të huaj. Në Gjermani ai u përball jo vetëm me një gjuhë dhe kulturë të re, por edhe me ndjenjën e heshtur të mos-përkatësisë atë ndjesi që e njohin shumë njerëz që jetojnë mes dy botëve. Ndoshta pikërisht aty nisi arti i tij: në përpjekjen për të gjetur një strehë shpirtërore mes vetmisë dhe kërkimit për kuptim. Për vite me radhë ai punoi në fusha terapeutike, në spitale dhe institucione kujdesi, pranë njerëzve të sëmurë dhe të brishtë. Aty pa nga afër jo vetëm dhimbjen njerëzore, por edhe forcën e heshtur që njeriu mban brenda vetes. Një nga përvojat që e shënoi më thellë ishte kujdesi për një burrë që vuante nga Multiple Sclerosis një njeri që, edhe përballë shuarjes fizike, ruante ngrohtësinë, humorin dhe dashurinë për jetën. Nga kjo afërsi njerëzore, nga heshtjet dhe bisedat mbi jetën e humbjen, lindi romani “Kur nervat digjen” një vepër që ndërthur autobiografinë me artin dhe trajton dashurinë, sëmundjen, shpresën dhe transformimin shpirtëror. Sot ky roman jeton në disa gjuhë dhe ka prekur lexues të ndryshëm përmes ndjeshmërisë dhe sinqeritetit të tij.. dhe në romanin tjetër të tij “Clara dhe dashuria sterile”, Bekim Çaushi vazhdon të eksplorojë botën e brendshme të njeriut, duke ndërthurur humorin, vetminë, frikën dhe nevojën për afërsi njerëzore. Ndërsa në projektin e tij më të ri “Teleskopi i Zemrës”, ai rikthehet te temat e arratisjes, kujtesës dhe miqësive që lindin mes realitetit dhe imagjinatës. Bekim ka të shkruar edhe dy libra me poezi. Ajo që e bën të veçantë krijimtarinë e tij është se ai nuk shkruan për të impresionuar; ai shkruan për të kuptuar njeriun. Me ndjeshmëri artistike dhe një botë të pasur shpirtërore, ai ka botuar në Gjermani përmbledhjen poetike “Midis Qiellit dhe Zemrës”. Përveç krijimtarisë poetike, Bekim Çaushi merret edhe me artin pamor, duke pikturuar me ngjyra akrilike dhe vaj. Një veçanti e këtij vëllimi është se për secilën pikturë ai ka shkruar edhe një poezi përkatëse, duke bashkuar fjalën dhe ngjyrën në një gjuhë të vetme artistike. Andaj sot nuk promovojmë vetëm një libër. Promovojmë një zë që ka lindur mes përvojave të vështira, por që zgjedh të flasë me ndjeshmëri dhe njerëzi.” tha Dylazeka – Hajdari
E pranishme në këtë promovim ishte edhe Nazmije Peja mësuesja e parë e autorit të romanit e cila përshëndeti arritjet artistike të Çaushit por edhe shpirtin e tij humanist e njerëzorë në ndihmë të njerëzve në nevojë! Kurse në fund foli vet autori i romanit Bekim Çaushi, i cili me këtë rast zbuloi zanafillën e krijimit të librit në fjalë, duke thënë se: “Këtë roman e shkrova nga dhimbja e zemrës dhe e shpirtit”. Ai shpjegoi se libri është një rrëfim i ndjerë mbi dhimbjen, dashurinë, besimin dhe forcën për t’u ngritur përsëri pas çdo rrëzimi shpirtëror. Ai falenderoi organizatorët e promovimit, folësit, të pranishmit e shumtë në këtë promovim dhe qytetarët e vendlindjes së tij – Gjakovës.
Shkrimtari Bekim Çaushi është një autor i ri në skenën e letërsisë bashkëkohore shqipe në Kosovë. Meqenëse ai sapo ka shënuar një sukses të rëndësishëm me botimin e tij të fundit – këtë roman në fjalë.
Ai vlerësohet si një autor me qasje psikologjike dhe filozofike në librat e tij, duke u fokusuar në shndërrimin e dhimbjeve dhe sfidave të përditshme njerëzore në artin e shkrimit dhe artin pamor.
“Kur nervat digjen” është një roman që shënon kulminacionin e punës së tij të fundit krijuese, një libër të cilin vetë autori ka deklaruar se e ka shkruar si një rrëfim të ndjerë shpirtëror të mbledhur për një kohë të gjatë.
Ky libër është një refleksion i thellë filozofik, i cili nuk i lë lexuesit indiferentë, pasi trajton tema ekzistenciale me një dinamikë të fuqishme mes dhimbjes së jetës dhe dashurisë njerëzore.












