reklamë

Shkrimtari dhe shoqëria shqiptare, dialog mes Visar Zhitit dhe Stefan Çapalikut

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua një bisedë mes shkrimtarëve Visar Zhiti e Stefan Çapaliku, nën moderimin e gazetares Beti Njuma.

Akademiku Çapaliku, në një refleksion diakronik, siç e cilësoi tha se, në lidhje me raportin e shkrimtarit me shoqërinë shqiptare ka dalë në konkluzionin se është një raport mjaft problematik.

“Shumë rrallë në historinë e letrave shqipe (nga 1555 e deri me sot) shkrimtari ka qenë komod me shoqërinë e vet dhe shoqëria ka qenë komode me shkrimtarët e saj. Si një autor që i përket kapërcyellit të shekujve por edhe kapërcyellit të sistemeve politike, mund të them se i pari autor që flet për shoqërinë të cilën e rrethonte ishte Pjetër Bogdani të cilit i patën vjedhur shtëpinë”, tha Çapaliku përpara audiencës duke rrëfyer mbi Bogdanin.

Nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Çapaliku përmendi dy kategori shkrimtarësh: ata që jetonin jashtë atdheut dhe një pjesë që jetojnë brenda atdheut por nuk kanë asnjë varësi ekonomike nga atdheu, siç ishin klerikët (Fishta e Mjeda).

Nga periudha e komunizmit, Stefan Çapaliku veçoi një kategori të madhe shkrimtarësh të cilët u persekutuan, siç ishte dhe vetë Visar Zhiti, i pranishëm në këtë takim, por edhe shkrimtarët e Realizmit Socialist të cilët i veshën muzat e tyre me rrobat e komunizmit.

Ditët e sotme, Çapaliku i përkufizoi si epokën postkadareiane, e cila sapo ka nisur dhe që koincidon me klimë aspak miqësore ndaj shkrimtarit, i cili ndeshet me hapësirën virtuale, ku vëmendjen e grabisin lajmet, pasiguria ekonomike e krizat e ndryshme. Të gjitha këto nuk e lënë pa ndikim letërsinë dhe rolin e shkrimtarit.

Ndërsa poeti Visar Zhiti e nisi diskutimin e tij me marrëdhënien e shkrimtarit dhe Intelingjencës Artificiale.

“Përtej Inteligjencës Artificiale, njeriu ka nevojë për kuptim, në gjithë këtë vorbull të jetës, të ngjarjeve, informacionit e shpikjeve. Dhe gjithashtu njeriu ka nevojë për emocion i cili sigurohet përmes shkrimtarit”, tha Zhiti.

Sipas poetit, gjithë kjo përvojë narrative, apo identiteti vetjak ka nevojë për një të vërtetë që shkencat e japin dhe e zbërthejnë, por e vërteta e letërsisë është ajo që i duhet njeriut.

“Shkrimtarin nuk do ta konsideroja më të rëndësishëm se mjekun apo agronomin, por gjithsesi është i pazëvendësueshëm. Vuajtja e njeriut, dashuria, humbja, malli, nuk zëvendësohen nga asnjë lloj makine”, tha Visar Zhiti i cili në librin e tij të fundit me poezi shkruan këtë varg “nxitoj t’i them fjalët e mia sa pa i thënë inteligjenca artificiale”./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Zbulime të reja në lidhje me Mesharin e Gjon Buzukut!