reklamë

“Kumbari”, i biri i Vitos


Shpeshherë, trilogjia The Godfather një kryevepër e Francis Ford Coppola shihet thjesht si një film për mafian, por në të vërtetë ajo është një dramë e mirëfilltë psikologjike mbi traumën e fëmijërisë dhe pasojat e saj afatgjata. Vito Corleone ishte vetëm nëntë vjeç kur Don Ciccio, një udhëheqës lokal i mafias në Sicili, i vrau babanë, Antonio Andolinin, një burrë i ndershëm që kundërshtonte t’i bindej. Më pas, vëllai i Vitos, Paolo, betohet për hakmarrje, por edhe ai shpejt vritet nga njerëzit e Don Ciccios.

E dëshpëruar, nëna e Vitos i përgjërohet Don Ciccios që t’i kursejë jetën djalit të saj të vogël, duke pohuar pafuqinë dhe pafajësinë e tij. Megjithatë, ai kundërshton egërsisht dhe e vret të ëmën m’u para syve të Vitos. Kjo përvojë traumatike lë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në psikikën e tij.

Pavarësisht kësaj, Vito arrin të ikë. Një familje nga Corleone, nga respekti dhe nderimi për Antonio Andolinin, e fsheh Viton e vogël dhe më pas e nis fshehurazi me anije bashkë me refugjatët e tjerë drejt Nju-Jorkut (New York). Atje, ai fillon të punojë në një dyqan dhe rritet duke u përballur me jetën e vështirë të emigrantit.

Një ditë, Vito ndeshet me Don Fanuccin, një italo-amerikan i njohur si “Dora e Zezë” që shantazhon dhe plaçket bashkësinë. Vito ndjen rikthimin e pavetëdijshëm të hijes së traumës së fëmijërisë dhe vret Don Fanuccin (si një projeksion i traumës) para derës së apartamentit të tij, duke u hakmarrë, kësisoj, ndaj figurës së “Ciccios” dhe duke përmbushur ndjenjën e munguar të pazotësisë që nuk e pati si fëmijë kur ishte në Corleone.

A do të ishte më tej Don Vito bosi i dinastisë së mafias në New York “The Godfather”-i po të mos ishte e kaluara e tij ngjethëse? A ishte veprimtaria e tij thjesht një hidhërim ndaj botës, një hakmarrje ndaj “Don Ciccios” që ende nuk “vdiq” në pavetëdijen e tij?

Vetë Vito, tani si “Kumbar” e provon këtë ndikim të brendshëm psikologjik në skenën e famshme të kopshtit, ku i thotë djalit të tij, Michael-it:

“Unë kurrë nuk e dëshirova këtë për ty. Kam punuar gjithë jetën time, dhe nuk kërkoj falje për këtë, për t’u kujdesur për familjen time. Dhe refuzova të isha një budalla që kërcen sipas fijeve që tërhiqnin ata peshqit e mëdhenj. Nuk kërkoj falje, kjo është jeta ime. Por mendoja se, kur të të vinte koha ty, ti do të ishe ai që do t’i mbante fijet në dorë.”

Prof Dr Freud ka shkruar: “Fëmija është babai i të rriturit.”/ Agron Islami

ObserverKult


Lexo edhe: