
Poezia e vërtetë është komunikim specifik që krijon rregullat rrugës. Një poezi që është krejtësisht cerebrale dhe që përfill standardet, sado të larta qofshin ato, është art që ndjek rrugë, por s’hap shtigje; është një lloj komfort zone për epigonët.
Një poete ndryshe, që refuzimin e ka në gjuhë, trup e shpirt, është Donika Dabishevci, poete e mirënjohur shqiptare, e cila, përveç vokacionit poetik, edhe ka doktoruar për letërsi, drejton një portal për kulturë, një shtëpi botuese dhe një festival poezie. Si e tillë, është një nga zërat e shoqërisë që krijojnë frymën e kohës. Por, ajo që e bën të veçantë atë si poete, nuk është fryma, por trupi. Në këtë aspekt, ajo është unike, sepse nëpërmjet tematizimit të trupit, në një diskurs lirik me shenja autobiografike, sfidon autoritetin e gjuhës dhe refuzon hierarkitë dhe skemat.

Nga Ag APOLLONI
Edhe me ofertën e saj më të re estetike, Grue prej zjermi, kjo poete sjell një energji që del jashtë normës, duke na bërë të kuptojmë se jo vetëm që atë s’mund ta kontrollojë askush, por, për më shumë, as ajo vetë s’ia del ta kontrollojë veten. Dhe pikërisht këtë mungesë kontrolli ajo e kthen në pyetje: Kush jam unë? Më udhëheqin ndjenjat, instinktet, apo arsyeja? A jam trup a tru, apo diçka më shumë se të dyja bashkë? Dhe këto pyetje i nxjerr nënteksti, duke hapur mundësinë për përgjigje që do ta zbulonin qëndrimin e lexuesit ndaj çështjeve të ndjeshme sociale e filozofike.
Sipas Hélène Cixous, gratë historikisht janë shtypur dhe nuk kanë pasur hapësirë të shkruajnë lirshëm, prandaj sapo shfaqet një tekst i tyre që artikulon një zë dhe çliron një trup, ai mund të quhet feminine, në kuptimin politik dhe simbolik. Për këtë arsye, te Qeshja e Meduzës, ajo u sugjeron grave të shkruajnë për trupin e tyre, të mos kenë frikë nga gjuha dhe ta luftojnë kulturën binare, që ngrihet mbi kurriz të atij që ka më pak të drejta. Mendoj se kjo teoriciene franceze te Donika do të gjente poeten e dëshiruar.
Emri
Thashë Donika, pa e përmendur mbiemrin, sepse një poete si kjo, insiston të jetë vetja më shumë sesa familja, apo farefisi. Thuhet se te shkrimtarët zakonisht mbiemri kthehet në emër (themi Shakespeare, jo William; Goethe, jo Johan, Eliot, jo Thomas, etj.), mirëpo tradita e mbiemrave është e vonë, zë fill kah fundi i mesjetës, kurse në disa vende më të vogla, njerëzit mbajnë vetëm emra edhe disa shekuj pas mesjetës. Si atëherë edhe sot, mbiemri shpesh shënjon lokacion, zanat, tipar, titull, pozitë, apo prejardhje pronësie, si mbiemrat patronimikë (që e bëjnë gruan herë pronë të babës, herë të burrit), kurse barra kuptimore bie mbi emrin.
Etimologët hedhin dy hipoteza për emrin e saj: e para, Donika rrjedh nga greqishtja që mund të përkthehet si fitore, apo fitimtare; e dyta, rrjedh nga latinishtja (donatio) që do të thotë dhuratë. Se çfarë triumfi e çfarë dhurate është Donika, këtë do ta thotë koha, por ajo çka mund të themi tash ne, si pjesëmarrës efemerë në kohë, është se ajo është bërë emër unik në poezinë shqipe, ndërsa në librin e saj më të ri insiston që trupi të çlirohet nga emri dhe të marrë ndonjë etiketë dashurie:
Thirrëm ndryshe. Lërma nji emën
që veç trupi jem e njeh.
Mos m’thirr n’emën syn!
N’kët botë emnat janë prova,
e dashnia jonë s’guxon me lanë dëshmi.
Emri në këtë libër kthehet, gjithashtu, në temë, sepse është figurë e shfaqur fillim e mbarim, si apostrofë me trajtën syn. Pikërisht në këtë libër që flet për trupin, ajo zgjedh ta quajë të dashurin syn, sepse e di që dashuria, edhe pse trupore, i tejkalon trupat. Pra, duke folur për trupin, ajo i drejtohet synit si dritare e shpirtit. Ajo e dëshiron dhe e dashuron synin, dhe kërkon që edhe ai të shpikë një emër për të, pra si në fillim të botës, kur çifti biblik emërtonte gjithçka përreth. Por, meqë këtu kemi diskursin e saj gjinocentrik, i cili, sado që me dashuri, e hesht diskursin e tij androcentrik, ne nuk e dimë emrin, epitetin, apo nofkën, që merr prej atij. Insistimi i saj për të pasur një emër më të cilin e thërret vetëm ai, është manifestim i dëshirës së saj për injorim të rrethit si në kohën e çiftit të parë biblik.
Trupi
Ky libër mund të quhet libër trupor, në kuptimin e fokusit tematik që bie mbi trupin, i cili bëhet burim krijimi. Është një libër-trup që i bie trup teksa flet për trupin. Ky trup flet për veten. Dhe s’ka turp. Në momentin që lexuesi, mashkull ose femër, turpërohet, kjo është shenjë që kultura binare s’është zhdukur. Nëse gruas i vjen turp, do të thotë se ajo s’është liruar nga kontrolli mendor që ushtron burri mbi të, ndërsa nëse burri e sheh si turp, do të thotë se ai e refuzon tradicionalisht, duke e ‘argumentuar” refuzimin me mendimin se vlera e gruas qëndron në moral, të cilin e redukton rreth ushkurit.
Lirisht mund të thuhet se nuk ka poete që e tematizon trupin më shumë sesa Donika. Dhe ky tematizim është jashtëzakonisht kreativ dhe filozofik. Ja, për shembull, ca vargje që tregojnë se si një shkëndijë dëshire, dashurie, apo pasioni, e ndryshon komplet natyrën dhe funksionin e trupit:
Para teje, trupin e kisha veç vendbanim.
Hapsinë ku rrnoja si bimë. Ku vegjetoja.
Pa ndi, pa pyet, pa drashtë. Pa dashtë.
Mbas teje, diçka u përmbys.
Trupi m’u ba gjuhë
e nisi me folë edhe pa mu
Trupi që flet, ja poetja ideale e francezes Cixous! Donika nuk moralizon, nuk thërret për barazi, nuk e instrumentalizon poezinë. Ajo nuk është poete e angazhuar dhe këtu është epërsia e saj ndaj kolegeve që e kthejnë poezinë në tribunë politike. Erotizimi i diskursit nëpërmjet përshkrimit të aktit seksual flet për një afinitet artistik që e normalizon edhe pornografinë: Shtrati bahet det/ e trupi t’bahet breg/ ku përplasem ashpër, ose: Lermë t’rrëshqas trupit,/ lermë t’lëpij e t’pi krejt,/ lermë t’dehem shkallëve për n’parajsë.
Diskursi erotik në këtë libër e refuzon lexuesin tradicional, i cili jo vetëm që e mbyll dhe e hedh librin, por edhe e mobilizon trurin paragjykues ndaj autores. Autorja shkruan e flet me lexuesin si me të dashurin, kështu që lexuesi etik “divorcohet” nga subjekti lirik, për ta mbrojtur “martesën” me normën. Kjo poete është e rrezikshme për këtë tip lexuesish, oferta e saj shkakton divorce. Prandaj atij s’i mbetet tjetër: ose ta refuzojë, ose të reformohet.
Poetja flet për aktin seksual si për një akt normal tekstual: lëpirje, puthje, kafshime, goditje, ritëm përplasjesh mes trupave etj., duke i përdorur të njëjtat shkronja që përdoren edhe në tekste e vende të shenjta. Pra, në këtë aspekt, ajo nuk shpik alfabet të saj, veç i kombinon ndryshe të njëjtat shkronja.
Mirëpo, kjo grue prej zjermi, që mëkaton, është grua që në letërsinë tonë ende ndiqet me gurë. Kush nga ju nuk ka mëkatuar, le të hedhë gurin i pari, do të thoshte ndonjë mbrojtës i saj. Kjo vërejtje biblike është veç sa për t’i barazuar lexuesin dhe poeten, mirëpo poetja shkon edhe më tutje; ajo nuk pranon se po mëkaton. Dhe këtu nis rebelimi i saj. Madje aktin “imoral” e kthen në fakt eternal: e unë rri aty,/ e lidhun me ty n’nji ritëm që e njoh me trup,/ n’nji lëvizje që s’ka fillim as fund,/ veç kthim t’përhershëm n’mu. Edhe punën e trupave e sheh si diçka krejt normale, si një mënyrë për të arritur diçka tjetër: dashurinë mes shpirtrave. Kështu, e thellon problemin, duke e bërë aktin seksual një akt spiritual: N’zjarmi trupi e gjaku, trupat s’banin gja,
shpirtnat çonin dashni! Dhe këtë e bën, sepse përpiqet ta kthejë trupin në shtëpi, jo në burg të shpirtit: trupi me ju ba shpi e jo burg shpirtit!
Insistimi në shenjtërim të “perversitetit” dëshmon për konsekuencë dhe koherencë poetike:
Trupat akordohen n’simfoni hyjnore
tuj u mbërthye fort n’njani-tjetrin,
si me qenë çastet e fundit para apokalipsit.
Ajo ia eklipson teoriçkat atij, ai ia humb koordinatat asaj. Pra, ka diçka që zhbëjnë tek njëri-tjetri, derisa e bëjnë. Duke e tematizuar trupin, ajo dëshmon rëndësinë që ka për të trupi, të cilin s’e ka shitur për të blerë ëndrra: S’jam ulë n’gjunj,/ as s’i kam hapë kambët./ Kam pëshurrë n’andrra jetësore/ kur për çmim m’asht lypë trupi.
Poetja i thotë mashkullit (dhe këtu më me vend është t’i përdorim termat biologjikë sesa ata socialë): T’jam dhanë. Por nuk e akuzon. T’i jepesh s’do të thotë t’i nënshtrohesh: T’u kam dorëzue, syn!/ Ty dhe asaj që jam kur jam me ty!
E vërteta
Qëllimi final i artit thuhet se është e vërteta. Por çka është e vërteta? Nëse gënjeshtra është mbulesë, atëherë e vërteta është zbulesë. Për Donikën, e vërteta është sinqeritet me vetveten, me kërkesat e trupit: Ne shtiremi si dy të huej,/ por e vërteta âsht ajo që ndodh n’trup/ E vërteta âsht që duhemi…/ Kjo âsht e vetmja e vërtetë e jona, syn!
Filozofët dhe poetët kanë folur shpesh për trininë: trupi, zemra dhe shpirti. Donika, duke e marrë zemrën si metaforë, e kthen atë si kockën e fundit në puzzle-in e dashurisë: Trupi e shpirti m’rrinë bashkë/ tuj pritë nji zemër t’vetme./ Tuj t’pritë ty. Dhe: E vërteta nis aty, ku trupi jem fillon me u ndie vazhdim i trupit tand.
Trupi është e vërteta më e madhe në jetën tonë materiale. Harta e tij bëhet më e fortë se çdo e vërtetë. Poetja, ose subjekti lirik (por meqë poezia e saj duhet të lexohet si autobiografi trupore dhe shpirtërore, më mirë të thuhet: poetja), është një grue prej zjermi, një grua që dashuron tjetrin jo për hir të tij, por për hir të vetes: ajo që kam dashtë ka qenë mënyra qysh digjem.
Donika shkruan manifestin poetik të lirisë femërore. Për të, poezia është estetikë, funksionalisht dhe etimologjikisht. Prandaj, kur u diskutua emri, epiteti, apo apostrofa, e pamë se emri është shenjë: nomen est omen. Megjithatë, Donika më shumë se donatio është revolutio ndaj etikës. Ajo s’është trofe e ndokujt, por triumf i trupit të saj, i atij trupi që është kaq i rëndësishëm dhe kaq i injoruar në historinë e poezisë shqipe. Donika e çliron poezinë dhe, nëpërmjet saj, shoqërinë. Prandaj, mund ta mbyllim këtë shkrim me një slogan që është bërë i njohur viteve të fundit, por që këtu merr kuptim më të thellë: liria ka emër. Ajo quhet Donikë.
Cambridge, Massachusetts,
15 qershor 2026
ObserverKult
Lexo edhe:
“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një himn poetik për gruan, dashninë e lirinë






