
si nji kashtë në vorbullen rrebane
qe rrembyeshem nalt po kcen
kush msheftësinë e dashunisë gjakon
atë e përbinë, zezdita e gjen
vallëzo moj kashtë vallëzo – o
vallzo mbi valë në sipërfaqe
diellit tand tue ju gzu’
derisa fellina s’të ka gllabru’
*
Skele deti dekun
E di: asht nji skele deti dekun,
e kush andejpari ka qillue
tue knu qyqen n’mjes ka me digjue
E ka me pa vegullt anije me lodhjen n’sy.
Lundrat aty përjetësisht ândrrojnë
se si lundrohet n’ujin e madh,
Po spirancat e tyne gjâjnë qetsinë
Ngat nji bregu në cektinë
E ashtu n’ëndrra e shohin lumtuninë,
Po me lundrue frigë kanë.
N’direk flamuj lara-lara vlojnë
rrinë pip n’kamë ajrin përshkojnë
*
Portokalli
Portokallin p’ej sofre ngre’
mue m’shkrep nji ide
i zymtë dimën përjasht borë
nji copë jug ú mbaj në dorë.
si dukati n’dorë më zdritë
në lëkurë ruen t’jugut dritë
i vjen era moj – aromë portokalli
edhe ndizet sikur stralli’
*
Ujëvara
Rrjedh e rrjedh, rrjedh nji ujëvarë;
ç’vlen kjo pika jeme e mbarë?
pa shih, ylber n’ujë po flet,
ndritë e dridhet n’mijëra fletë.
Që kjo ândërr n’ujë me u thurë,
pika jeme e bën pëlhurë.
*
Pema mbas shiut
Pa shih kët’ pemë mas shiu,
plot pika uji qi era shkundulloi,
prarue p’ej rrezesh sakaç mbiu,
mrekulli e madhe degët begatoi.
Helbete dielli pak me u fshehë,
kjo magji zhduket si tis i hollë
ajo prap nisë me u zbehë
i ngrati dru – e vogla mollë
*
Edhe unë e due*
Edhe unë pranverën due
t’bylbylshmen kângë amëlcue
e due vesën n’lula e bar
ftyrën e njeriut çelibar.
E due botën, mrekullitë,
e njatë diell që nalt zdritë,
por si t’paren dashtuni
tokë atnore du n’ liri.
————————————————-
*”Dhe unë due” âsht vjersha e parë e Dobriša Cesarić-it, botue më 1916 në fletoren “Pobratim” kur poeti i kushte veç 14-vjet.
Shqipnoi e kfjelloi: Halil Matoshi
*
Do fjalë për autorin:
Dobriša Cesarić (1902–1980) âsht nji nga poetët dhe përkthyesit ma t’rândsidhëm kroatë të shekullit XX. Ai konsiderohet si nji nga nismëtarët e poezisë moderne kroate, i vlerësuem nalt për stilin e tij të thjeshtë, muzikalitetin e vargut dhe fellsinë emocionale.
Ngjashëm me demiurgun e poezisë shqiptare në ish-Jugosllavi, Esad Mekulin, ndonëse shqiptari leu kur Cesarić botoi vjetshën e parë.
U lind më 10 janar 1902 në Požega (Kroaci) dhe dekë më 18 dhjetor 1980 në Zagreb. Studioi për ligj dhe filozofi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit.
Punoi si lektor, bibliotekist e redaktor në shtëpi botuese, ndërsa në vitin 1951 u bâ anëtar i Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe Arteve. “Lirika” (1931) âsht përmledhja e tij e parë me poezi.
Veçantitë e poezisë së tij.- Shkruante me nji gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për çdo lexues, por që fsheh mesazhe t’fella filozofike dhe etike mbi jetën. Poet i natyrës (drita, uji, dielli) por edhe i jetës urbane, tue u dhanë shkëlqim rrugëve, pemëve, portokalleve, ujvarave, kashtës që lundron përmi valë, mrekulluve që na zhduken para syve dhe smerakdeve që i përbin fellsia e zezditës! Vargjet e tij kanë një ritëm dhe rimë shumë harmonike, çka ka bâ që shumë prej poezive të tij të kthehen në këngë. E në shqipen gege përafrohen me verin që dashunon jugun e me kângët popullore që ndjellin erosin, si ajo “të vjen era moj – aromë portokalli”;
Me e shqipnu e kfjellu vjershat e Cesarić-it m’leu ideja tue u nisë nga fakti se gegnishtja âsht zbulesë e dritës së fjalëve, me jau hjekë thelbeve gzhojat.
Si me zhdaravitë mjegullen mbj Majat e Alpeve e me zdritë e bardha e plisit.
ObserverKult
———-
Lexo edhe:
Ribotohet libri i Halil Matoshit “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe”






