reklamë

Nolan rikthen Homerin në modë, filmi “Odisea” rrit me 1.400% shitjet e librave të letërsisë antike

Përshtatja kinematografike e Odisesë nga Christopher Nolan nuk ka tërhequr vetëm miliona shikues në kinema, por ka shkaktuar edhe një rritje të jashtëzakonshme të interesit për poemën e Homerit dhe mitologjinë greke.

Shitjet e librave të “Odisesë” në Britani u rritën me 1.400 për qind gjatë katër javëve deri më 25 korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përkthimi i vitit 2017 nga studiuesja britaniko-amerikane Emily Wilson është ndër botimet më të kërkuara.

Rrjeti Waterstones raportoi një rritje prej më shumë se 1.000 për qind të shitjeve të tij krahasuar me vitin 2025. Interesi është shtrirë edhe te vepra të tjera, si “Iliada”, “Circe” e Madeline Miller dhe “Penelopiada” e Margaret Atwood. Në Amazon, versioni i “Odisesë” nga aktori dhe shkrimtari Stephen Fry kryeson listën britanike të librave historikë më të shitur. Bumi ka përfshirë edhe librat audio.

Spotify raportoi një rritje prej 310 për qind të kërkimeve për përkthimet e “Odisesë”. Pedagogët britanikë shpresojnë që suksesi i filmit të nxisë më shumë të rinj të studiojnë letërsinë dhe qytetërimin klasik. Universiteti UCL, ku Nolan studioi Homerin gjatë viteve universitare, pret rritje të numrit të studentëve në vitet e ardhshme. Filmi ndjek udhëtimin e Odiseut drejt shtëpisë pas Luftës së Trojës. Matt Damon interpreton Odiseun, Anne Hathaway luan Penelopën, ndërsa Tom Holland djalin e tyre, Telemakun.

“Odisea” ka kryesuar për dy javë radhazi kinematë amerikane dhe ka arkëtuar 640 milionë dollarë në mbarë botën. Megjithatë, filmi është kritikuar nga Emily Wilson dhe historiania Mary Beard. Wilson deklaroi se skenari nuk ka thellësinë psikologjike, emocionale dhe etike të poemës, ndërsa Beard vlerësoi se ironitë dhe dilemat e veprës janë zëvendësuar nga një mesazh i rënduar hollivudian./oranews

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndërtimet në Pogradec e Tushemisht shkojnë në UNESCO/ Komiteti: Shkallë alarmante kërcënimi