
Përrallat vijojnë të jenë një pjesë e rëndësishme e fëmijërisë, edhe në një kohë kur teknologjia dhe pajisjet digjitale zënë një vend të madh në jetën e përditshme. Studiuesi i letërsisë për fëmijë Xhahid Bushati shpjegon për rtsh se përrallat vazhdojnë të ruajnë vlerën e tyre edhe në epokën digjitale.
“Teknologjia ka vlerat e veta dhe fëmija habitet, por elementi rrëfimtar, elementi i asaj bisedës drejtpërsëdrejti nuk ka magji që heq. Teknologjia kurrë nuk mund ta sfidojnë përrallën”, deklaroi shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati.
Sipas tij përrallat luajnë një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin emocional dhe formimin e vlerave te fëmijët.
“Arritje të mëdha, ka përralla me figura. Mënyra e strukturimit të përrallave popullore e bëjnë fëmijën që jo vetëm “të habitet”, po ta dashurojë përrallën. Pak nga pak fillojnë dhe hyjnë tek shpirti i fëmijës që i zgjojnë një emocion. Gjyshi dhe gjyshja përsëri i tregojnë fëmijës, pavarësisht se realitetet kanë kaluar, ato përalla që janë kujtuar tek fëmija e tij dhe është e bukur se përalla në ecurinë e saj sikur përsërit fëmijërinë e brezave”, shtoi Bushati.
Pavarësisht ndryshimeve që ka sjellë teknologjia, përrallat mbeten një urë e rëndësishme mes imagjinatës, edukimit dhe botës së fëmijëve, duke përcjellë mesazhe e vlera që i shoqërojnë ata në rritjen e tyre.
ObserverKult






