reklamë

Poezia e Dije Demiri-Frangut si apologji e konfrontimit poetik

dije demiri frangu
Dije Demiri-Frangu


(Dije Demiri – Frangu, ’’Qumështi i Poezisë’’, poezi, botoi PEN Qendra e Kosovës)

Nga Rijad Berisha

Për një çast vihet në pikëçuditëse imazhi i argumentimit dhe kundërvënies së poetes Dije Demiri – Frangu, pikërisht në librin ’’Qumështi i Poezisë’’, të cilin e karakterizon njëfarë mbrojtjeje kundrejt ekzistencës, mllefit, kaoseve të përditshmërisë të cilat, Dija i mbron dhe i portretizon, edhe pse, herë – herë tregohet ’’rrëmisht’’ e padureshme, e ashpër dhe skeptike. Ndonëse fjala e saj, sado e drejtpërdrejtë dhe e lehtë për t’u kuptuar përmban një jehonë poetike, një bindje personale mbi të cilën jeta bëhet e ndjeshme, me art, me dashuri. Edhe pse dashurinë nuk e shpreh fort si pasqyrim konfrontimi, ajo dëshiron ta përbëjë një produksion të përmasës njerëzore përmes së cilës duhet ndryshuar drejt një qëllimi: protestës për ndjeshmëri, dashuri dhe liri.
Vetë titulli tregon një përmbajtje të gjendjes së lëngët, trajtë kjo e rrjedhës së dobive të mira, që lidhet me bimët, lulet, barin, e që kalon në
përpunim të qumështit artistik, qumështit që distilohet si porosi a si ndjesi e përvetësimit dhe mbledhjes së ’’bimëve’’ dhe kuptimeve nga përvoja njerëzore. Pikërisht është kjo aftësi krijuese, dhe, ç’është e vërteta, e pasuron establishmentin letrar të letërsisë dhe kulturës shqipe që po vuan nga mungesa e artit të mirëfilltë.

1. Konteksti i cikleve: Rrjedha e natyrshme mbi semiotikën e ndjesisë perceptuese


Përbërja e këtij vëllimi poetik me katër cikle, na lidh edhe me botën e biografisë së Dijes. Ciklet si ‘’Qumështi i poezisë’’, ‘’Sa drita e vetëtimës’’, ‘’1999’’, dhe ‘’Ditët që flasin për vdekjen e mundshme’’, mund t’i quajmë si rrjedha të konfliktit shpirtëror të Dijes, e cila, me çdo kusht, nuk pranon të bëhet e shurdhër, memece, e verbër, përkundrazi, ajo mëton një reflektim të pastër si loti përgjatë thurjes së vargjeve dhe motiveve prej nga ajo frymëzohet.
Në ciklin e parë, (ashtu siç emërtohet edhe titulli), kemi të bëjmë me një kthesë nga identiteti kombëtar, social, po ashtu përfshihen edhe vende si Roma, oqeanet, toka, Europa etj. Përfshihen edhe peronazhe si Neroni i Romës,
Maria Magdalena, Sokrati, Pjetër Bogdani etj. Të gjitha këto elemente konkrete e ndërtojnë ciklin e parë dhe shprehen artistikisht në shenjë interpretuese dhe unike me porosi në cakun e duhur drejt pamjes stilistike e artistike.
Te poezia ‘’Drita të kuqe të verdha të gjelbra’’, kemi të bëjmë me disa koncepte që lidhen me identitetin: (‘’Gjymtyrët lisa të mbjellë në dyshekë’’); me teknologjinë: (‘’Dritat e teknologjisë kërcënojnë’’); me përpjekjen për ikje: (‘’Të ikësh në një shekull tjetër s’ke si’’) që rrjedhimisht ndërtohet një trinom: rrënjë, teknologji dhe ikje. Kësisoj gjymtyrët janë trajektore ose shenja prej nga e ka fillesën e identitetit kombi. Mbjellja e lisave në dyshekë e paraqet vdekjen dhe rikujtimin në aspektin e joharresës dhe zbulimit të rrënjëve. Është një ndërthurje që pakkush di ta bëjë dhe se krijohet jo vetëm mbi bazën e kontekstit metaforik të parimit identitar, por edhe mbi dy elemente të tjera: kohës së tashme të teknologjisë dhe ikjes si zhvendosje a si largim për të qenë më të qetë dhe më ndjesorë. Dritat e teknologjisë janë sinjale të cilat lidhen me historinë e identitetit. Ato ‘’kërcënojnë’’, sepse krijimi i kushteve dhe rrethanave jo të mira të kohës sonë ku po jetojmë krijon rreziqe dhe pasiguri e largim nga
atdhedashuria. Pse pasiguri dhe anti atdhedashuri? Sepse, semantikisht, ky varg lidhet me titullin që përmban enumeracion me numrin tre, numër ky që është historik. Ndalemi tek e kuqja: ngjyrë jona që përfaqëson gjakun e derdhur, lirinë në sfond dhe ngjyrën e flamurit. Mund të thuhet se ‘’semafori’’ me tri ngjyrat e pasqyrojnë më mirë subjektin e mesazhit. E kuqja: kthim në identitet. E verdha: kaose dhe dilema për të shpërthyer një luftë e re a një dhembje e re ndaj atdheut. E gjelbra lidhet me natyrën shpirtërore e cila nuk pajtohet me këto pakujdesi dhe sforcime, ndaj kërkon të niset, të ikë, por, nuk mundet: s’e lë ndërgjegjja për t’u shndërruar në një qenie që dezerton.
Edhe në ciklin e radhës, ‘’Sa drita e vetëtimës’’ ndërtohet një subjekt, ku, mbi të gjitha, vihet një ndjenjë e luftës, brengës dhe referimit e thirrjes për dashuri: ‘’U zbraz dashnia rrodhi pikë-pikë’’, mbi të cilën lindin disa boshllëqe në motivin që është në mungesë: motivin për të dashuruar. Bie fjala, edhe poezitë e tjera të këtij cikli e mbajnë në rrjedhë të pandërprerë mësimin artistik mbi të cilin vihen në spikamë edhe përvojat jetësore që Dija i ka kaluar e tejkaluar. Edhe te poezia ‘’Karrige ajri’’ shprehet një metaforë mes vendit ku ulemi dhe vendit ku
ne shkojmë përjetësisht. Karrigia në këtë rast është një objekt jostatik: dilemë që lexohet si dyshim: ku e kemi vendin!? Në ajër apo në tokë!? Jo rastësisht e sheh edhe vdekjen me parashikim: ‘’Shoh stërkala vdekjeje mbi barin e tharë’’, që dëshmon se edhe ‘’stërkalat’’ (piklat) vihen më pas si shenja të jetës së shkurtër. Në anën tjetër, vendi përreth paraqitet si vend i lënë djerrë: (‘’Mbi barin e tharë’’) që tregon një pakujdesi ndaj burimit jetësor – tokës.
Vlera e luftës, ndikimi i vet, masakrat, dashuria për atdheun, i formalizojnë poezitë e tjera në një cikël të veçantë si profil me titull numëror ‘’1999’’. Në fillim, Dija e vendos procesin e luftës në vetën e parë, njëjës, më pastaj e zgjeron edhe ndjenjën, dëshirën, argumentin etj. Mosha e saj ‘’e re as e vjetër’’ që në atë kohë shikohej në sy: ‘’Luftën e shikoja drejt në sy’’ dëshmon një lloj force morale për të qenë sypatrembur edhe në kushte masakrash e djegiesh ku përqendrohet edhe te besnikëria. Rrjedhimisht, nuk e harron as moshën e fëmijërisë: ‘’Dija shumë përralla t’u dëftoja fëmijëve’’ e cila paraqitet si një person që ndjen për botën e fëmijëve dhe ua dëfton ato në mënyrë që t’ua lehtësojë e zbusë pamjen dhe frikën përmes kumtimit të tyre.
Njëlloj edhe masakrat, refugjatët, gratë e fshatit Balaj – Ferizaj, kampet në Majdanek – Lublin pasohen me një përmbyllje që mbetet dokumentim i historisë që transmetohej nëpër botë. Pikërisht në poezinë ‘’Treni që e fotografonte bota – 13 prill 1999’’ kemi të bëjmë me një veçori tekstuale që del të jetë ndoshta më emocionalja, për faktin se ndërthuren elemente si vdekja, hija e vdekjes, deri te fotografitë si argument dhe kujtesë historike. Ecja drejt një udhe të errësirës dëshmohet edhe në vargjet: ‘’Hynim e dilnim arkivoleve të mëdhenj arkivoleve të vegjël’’ që ballafaqohet me ndjesinë se kur do të vdisnin, e që mbetet si peng përjetësie a dëshire për të jetuar sërish. Karakteristikë e këtij vargu është edhe hutia e vdekjes, edhe pse të gjallë, ata kalonin prej një vendi në vendin tjetër. Nëpër vdekje të lehta e të rënda.

2. Përmbyllja e vdekjes: Nga dëshira për të jetuar deri te kaptinat e fundit të jetës së librit: Vdekja

Ndonëse përgjatë leximit të këtij vëllimi poetik përqendrimi shkon drejt kërkesës për liri, për dashuri, drejt dëshirës për të jetuar, duke dëshmuar se edhe pas një tragjedie si në aspektin kolektiv ashtu edhe në aspektin
kombëtar, Dija e përmbyll atë me procesin jetësor – vdekjen. Pamja që na jep cikli ‘’Ditët që flasin për vdekjen e mundshme’’ ndërtohet mbi hijet e vdekjes, hënës, deri te poezia ‘’Duart e ujit’’ që pasohet me përmbylljen poetike të kryefundit: ‘’Fryma e keqe’’. Nëse fokusin e mbajmë te vargu i parë i poezisë ‘’Duart e ujit’’, atëherë e kuptojmë se një jetë e lan një vdekje: ‘’Uji me duart e tij të rrjedhshme lan duart tona të ashta’’ e cila shndërrohet në mini-himn për kuptimin e vet në tërësi dhe ceremoninë që na pret kur të vdesim.
Kërkesa e fundit që e bën Dija shndërrohet në një trajektore drejt qiellit: ‘’Mbylleni qiellin ju lutem me një uratë mbylleni’’ mbi të cilën qielli na paraqitet edhe si kontakt amshimi edhe si shikim pafundësie drejt mëkateve, ndaj dhe kërkesa që u drejtohet shoqërisë përkon me mbylljen si mënyrë e pastrimit të ndërgjegjes morale: (‘’T’mos i hyj frymë e keqe’’). Një kërkesë që kërkon pastërti dhe paqe.

3. Fund

Dije Demiri – Frangu përmes kësaj vepre poetike arriti të krijojë një univers që shprehet i pasigurt me njerëzit që na rrethojnë, me armiqtë
që e prishin harmoninë e një kombi a shteti tjetër. E ka bërë një trinom: dashuri, vrasje, vdekje i cili mund të lexohet si dëshmi historike mbi popullin e vuajtur shqiptar dhe mbi problemet nga psikologjia mendore e shoqërisë që vuan nga dashuria ndaj njëri-tjetrit.
Aq thjeshtë: një frymë e lehtë që të rikujton se jeta është shpërblim që nuk mund ta marrë askush.

ObserverKult


Lexo edhe:

Dije Demiri Frangu: KLEPTONI DHE PODRIMJA TAKOHEN NË VDEKJE